Neritan Ceka: – Bylisi grek? Faji i shoqëruesve të Sgarbit

– 10.06.2020

Nga Fatmira Nikolli

 Arkeologu i njohur, Neritan Ceka, del kundër deklaratave të kritikut italian Sgarbi, për Bylisin si qytet grek. Ai e gjen fajin te shoqëruesit shqiptarë të tij dhe ve në dukje origjinalitetin e Bylisit.

Vizita e kritikut italian të artit në Shqipëri, Vitorio Sgarbi, është shoqëruar me disa pritje e takime nga ministrja Kulturës te kreu i Bashkisë së Vlorës, ndërsa vendet që ka vizituar janë disa, nga Galeria Kombëtare e Arteve, te galeritë private, Bylisi, Butrinti dhe Himara. Njëherësh, edhe postimet e tij në rrjetet sociale si një mënyrë shumë e mirë e promovimit të Shqipërisë nuk kanë munguar. Por, në vazhdën e këtyre postimeve, ai e ka cilësuar Bylisin si qytet grek, çka ka ngjallur debat dhe reagime mes specialistëve të trashëgimisë. Sgarbi cilëson injorant gazetarin që e kundërshton teorinë e tij për Bylis grek, ndërsa sot, një prej zërave më me autoritet në arkeologji, i përgjigjet. Neritan Ceka thotë se, “kompetenca në art e Sgarbit është e padiskutueshme, por është historian i mesjetës, i Rilindjes dhe jo i antikitetit”, për çka Ceka nuk i vë faj. Ai e gjen fajin, megjithatë diku tjetër. “Ajo që më shqetëson është mosinformimi i tij. Pra, një mik i shtetit shqiptar ftohet për të bërë propagandën dhe duhet të evidentojë edhe kulturën. Për çdo turist është më interesant të vizitojë Bylisin si qytet ilir, se qytete greke ka me qindra”, thotë Ceka.

Arkeologu i njohur, duke bërë dallimet mes qyteteve greke e ilire, i vesh një pjesë të madhe të fajit shoqëruesve shqiptarë të Sgarbit.

“Bylisi është dëshmi e përpjekjes së një populli të lashtë për të nxjerrë diçka origjinale. Që është teatri, për shembull. Sgarbi thotë është teatër i thjeshtë, por në fakt është teatri më i komplikuar. Nuk i kanë treguar që afër aty është edhe shëtitorja 140 metër e gjatë, me vlera të mëdha arkitektonike. Nuk i kanë treguar që është stadiumi, që është cisterna, kishat paleokristine. Ai ka qenë i shoqëruar nga injorantë, nuk e ka fajin Sgarbi. Pavarësisht se është afër Apolonisë, për shembull Bylisi, ka një shesh publik krejt ndryshe. Është shesh i tipit gjeometrik”, thotë Ceka. Sgarbi, personazh i artit dhe medias italiane ka pasur disa postime për vendin tonë gjatë vizitës së tij. Më herët, Ceka shprehej se, “nuk është e vështirë të kuptosh origjinën e cilësimit të Bylisit si qytet grek nga studiuesi i njohur italian i historisë së artit, Vitorio Sgarbi, i ftuar për të vizituar Shqipërinë nga Qeveria shqiptare. Kjo ftesë që vjen menjëherë pas prishjes së Teatrit Kombëtar, një memorial i kulturës shqiptare, po aq sa vepër e vlerësuar e arkitekturës italiane, të krijon dyshimin se qoftë edhe heshtja e tij do të shërbente për të justifikuar atë krim kulturor”. Sipas Cekës, që këtu vjen edhe kujdesi për ta rrethuar ekspertin e thellë të artit dhe polemistin e paepur me një koracë zgërbosh, mes të cilëve ai e ndjen veten si profeti në shkretëtirë. ”I gjori Sgarbi, e çojnë në Bylis për të ngrënë kalastren me pilaf tek klubi i fshatit dhe ai zbulon papritur teatrin e vendosur magjishëm mbi hapësirën që shtrihet nga malet e Vetëtimave deri në Adriatik”, shkruante arkeologu Ceka. Ai vëren se, “dikush që di më shumë se gjiza dhe rakia, të cilën i ofruan mikut në klubin e fshatit (por jo librin në italisht për Bylisin të shkruar nga armiku Neritan Ceka!), do t’i kishte thënë Sgarbit se njëqind vjet para ndërtimit të teatrit një, autor grek, Skylaksi, shkruante se “Orikasit banojnë në krahinën e Amantisë; amantët që shtrihen deri këtu janë ilirë që nga bylinët”. Pra, ai dallonte qartë koloninë greke të Orikut nga vendësit ilirë. Sikur të kishte shkruar, duke ditur se një ditë do të vinte në atë vend Sgarbi, Skylaksi vazhdon më tej: “Pas ilirëve vijnë kaonët… Pas Kaonisë, vjen fisi i thesprotëve… Pas Kasopisë vjen fisi i molosëve… Pas Molosisë vjen Ambrakia, qytet helen… Prej këndej fillon Hellada pa ndërprerje”, shton Ceka. Sipas tij, për të hequr merakun nëse fisi mund të ishte barbar, pra ilir, por qyteti mund të ishte helen, një autor tjetër grek, Stefan Bizantini, që ka bërë një inventar të fiseve dhe qyteteve antike, shkruante: “Byllis, qyteti Ilirisë pranë detit”. Por ai nuk përmend ndonjë qytet tjetër antik me të njëjtin emër dhe nuk e marr dot me mend përse Sgarbi e cilëson Bylisin si “citta omonima”, pra “qytet me të njëjtin emër”. “Me cilin qytet? I gjori Sgarbi, në shoqërinë e gjizëngrënësve dhe rakipirësve, mund të ketë mësuar së emri i qytetit fqinjë të Ballshit vjen pikërisht nga emri Byllis. Por nuk besoj t’i kenë thënë se në dokumentet mesjetare Byllis/Ballsh përkthehet në greqisht si Kefalenia, ndërsa në ato sllave si Glavinica, që do të thotë kokë, ballë, pra kryevend. Sigurisht, ishte një fjalë që vinte nga ilirishtja dhe jo nga greqishtja”, – thotë Ceka.

Ndërkohë, ish-drejtori i Butrintit, Auron Tare, përmes një postimi në “Facebook”, ka ironizuar përmes një bisede hipotetike mes dy specialistëve të Ministrisë së Kulturës.

“Pse greke?

Po çfarë?

romake.

Pse romake?

Po çfarë?

Bizantine.

Bizantine?

Po ça o bizantine?

Nuk e di po varja, e kam nigju kur e thonë në televizion.

Jo më jo, më mirë romake. Ja, gjeta edhe i mbishkrim romak. Ça thua? Ka mbishkrim romak? Po ore ja ku është te hyrja e Portës së Bylisit. E pashë se kalova andej se nuk kishte banjo gjëkundi këtu. Dreqin si s’e dinim s’na tha asnjoni, edhe Klosi që e ka shtëpinë këtu afër nuk e dika që paska mbishkrime romake. Ta kishte pa Zgarbi të paktën nuk do bëhej gjithë kjo gjullurdi. Po pra edhe ky ku dreqin erdhi këtu, pa le po e boni me zë. Në Butrint të paktën ishte me muzikë nuk e kuptoi njeri ça tha. Varja, hajde dëgjoi këta që nuk marrin vesh nga këto punë. “Fragment nga dy ekspertë të Ministrisë së Kulturës”, – shkroi Tare.

Nga Gazeta Shqiptare