25 Qershor 2023

Një nënë dhe fëmija i saj 5 vjeç kanë humbur jetën në Pejë të Kosovës si pasojë e përmbytjeve të mëdha që përfshinë vendin.

Sipas policisë së Kosovës, fillimisht u raportua për fëmijën, vdekja e të cilit u konstatua edhe nga ekipi mjekësor i spitalit të Pejës.

Ndërsa për nënën e tij u raportua se ajo ishte zhdukur, por pas mesnatës u konfirmua se edhe gruaja kishte humbur jetën.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё 24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen “Asllan qeshme” njё fëmija ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet Policore rreth orё 01:20, tё datës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj përmes një postimi në facebook thotë se njësitë e kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës ku e cilësoi gjendjen të rëndë.

“Njësitë tona të kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës, do të jenë aty ku ka nevojë për t’iu dalur në ndihmë në këtë gjendje të rëndë. Me të gjitha kapacitetet tona jemi në dispozicion për të tejkaluar këtë situatë” shkruan Mehaj në facebook.

Gazeta Panorama