19 Prill 2026

Nga OraNews

Biznesmeni i ndërtimit Armand Lilo është paraqitur ditën e Premte në ambjentet e prokurorisë së Tiranës, ku ka dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen e rëndë të djegies së fasadës së një pallati dhe 35 apartamenteve të ndërtuar nga kompania e tij, “Arlis” në zonën e farmacisë Nr.10.

Lilo, është paraqitur në akuzën e kryeqytetit duke u shoqëruar me një nga juristët e zyrës së avokatisë “Hyseni Associates” që drejtohet nga ish-deputeti i PS, Alket Hyseni.

Redaksia e “MaShqip” ka mësuar se për gati 1 orë oligarku i ndërtimit në Tiranë, ka dhënë shpjegime para një oficeri të Policisë Gjyqësore dhe më pas është larguar sërisht. Pyetja e tij është realizuar si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Veç dëshmisë së dhënë, mësohet se Armand Lilo, ka dorëzuar dhe dokumenta në prokurori. Hetimet për djegien e pallatin aktualisht vijojnë nga prokuroria e Tiranës, e cila ditën e djeshme vendosi të caktojë masa “detyrim paraqitje” për 4 personat që policia arrestoi dy ditë më parë me iniciativë.

Prokuroria e Tiranës tashmë ka sekuestruar dhe një paisje DVR, që ishte instaluar në katin minus 1 të pallatit të djegur. Paisja rezulton të jetë tërhequr prej andej nga një punonjës policie, i cili përmes vorbullës së tymit ka arritur të marë pajisjen elektronike dhe dorëzojë prokurorisë së Tiranës.

Pikërisht kjo paisje ka arritur të filmojë momentin e rënies së flakëve, tek mbeturinat prej kartoni të lëna aty pranë nga një subjekt privat.

Filmimi tregon se shkaktarë për ndezjen e zjarrit kanë qënë disa fëmijë aty pranë që po luanin. Fëmijët i kanë vënë zjarrin mbeturinave të kartonit dhe më pas zjarri është shpërndarë në pjesën e fasadës së pallatit, duke shkaktuar atë tragjedi.

Mësohet se 3 nga fëmijët janë marë në pyetje në policinë e Tiranës, ku në prezencë të prindërve dhe një psikologeje ata kanë pranuar se ishin duke luajtur duke i vënë zjarrin pa dashje dhe pa qëllim të cakutuar mbeturinave prej kartoni.

Pas marjes në pyetje, të 3 fëmijët janë lënë të lirë duke mos u marë asnjë masë ndaj tyre. Ndërkohë pritet që këtë javë kompania “Arlis” të nisë rikonstruksionin e fasadës së pallatit dhe njëherësh rregullimin e 35 apartamenteve që u dogjën plotësisht.