7 Janar 2026

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në një emision televiziv, ka folur mbi perspektivat politike dhe ekonomike të vitit 2026, duke theksuar nevojën për reflektim dhe zgjidhje të problemeve të brendshme që, sipas saj, po pengojnë zhvillimin dhe integrimin evropian të Shqipërisë.

Tabaku u shpreh se ka kontakte të vazhdueshme me përfaqësues ndërkombëtarë dhe se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për situatën aktuale dhe pasojat e saj. Ajo theksoi se ekziston një vëmendje dhe shqetësim i shtuar, i cili po kthehet në problem serioz për vendin, duke sjellë si shembull çështjen e fondeve IPARD. Sipas saj, kjo ishte një skemë korruptive që në raporte konfidenciale është cilësuar si vjedhja më e madhe e fondeve të Bashkimit Evropian jashtë territorit të BE-së, duke sjellë pasoja të rënda për kapitujt e integrimit, veçanërisht në sektorin e bujqësisë.

Deputetja demokrate nënvizoi se gjatë 12 viteve të fundit, rrugëtimi evropian i Shqipërisë është penguar vazhdimisht nga qeveria, ndërsa retorika publike për integrimin ka qenë në kundërshtim me veprimet konkrete. Sipas Tabakut, qeveria nuk e ka mbështetur realisht procesin e integrimit me akte dhe politika të qarta.

Në vijim, ajo theksoi se qeveria mund të sfidohet përmes veprimeve politike, një oferte më të mirë për qytetarët dhe protestave të qëndrueshme, duke shtuar se opozita ka fuqinë të ndërtojë një kundërofertë serioze. Në përfundim, Tabaku u shpreh se Partia Demokratike nuk duhet t’i përballet Partisë Socialiste me të njëjtin model të lidhur me krimin dhe korrupsionin, por duhet të sjellë ndryshimin përmes shembullit dhe një programi të qartë në shërbim të qytetarëve.