Figura e Musine Kokalarit pavarësisht ndryshimit të sistemeve politike nuk është trajtuar ende në dimensionin e saj të plotë intelektual. Përveçse një shkrimtare e talentuar dhe njeri i letrave ajo ka pasur dhe një angazhim të fuqishëm intelektual dhe politik në shoqërinë shqiptare të pas luftës. Ky angazhim politik i saj nuk do të mund të kuptohet nëse nuk analizojmë mendimin e saj politik të shprehur në programin e Partisë Social Demokrate të hartuar prej saj si dhe kontekstin historik të ballafaqimit të opozitës antikomuniste me komunistët shqiptarë që kishin ardhur në pushtet. Rezistenca e saj morale dhe intelektuale ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendimin intelektual shqiptar.

Në historinë e rezistencës antikomuniste  të Evropës Lindore , Shqipëria si vendi që hyri shumë shpejt se çdo vend tjetër i Evropës Lindore në procesin e sovjetizimit, nuk ka shumë histori politike për të rrëfyer pasi çdo mjet dhe akti i rezistencës u shtyp dhe u përndoq nga regjimi komunist. Udhëheqja e re komuniste që erdhi në pushtet pasi ndaloi kthimin e mbretit Zog në vend, shpalli se do të krijonte një tip demokracie popullore që do të reflektohej në kthimin e vendit në republikë dhe respektimin e disa të drejtave të njeriut. Deklarata e KANÇ-it në 24 tetor 1944 hapte shumë shpresa se pushteti i ri që po vinte në fuqi ndoshta do të mund të respektonte disa parime minimale të demokracive popullore. Sigurisht që këto shpresa përvijoheshin në njerëzit që nuk e njihnin natyrën e regjimeve komuniste dhe metodat e tyre për të dominuar në jetën politike të vendit, pasi për një pjesë të madhe të intiligjencës së kohës nuk kishte dyshim se komunistët ashtu si dhe gjatë luftës do të përpiqeshin që të mos ndanin pushtet me asnjë fraksion tjetër politik.Mes intelektualëve shqiptarë më kurajozë për të kundërshtuar instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri ishte shkrimtarja e re shqiptare, Musine Kokalari, një nga zërat më  të veçantë në kulturën shqiptare. Gjatë viteve 30’ ajo kishte mbajtur pseudonimin letrar “Muza” për shkak të brishtësisë së prozës së saj që trajtonin tema të konservatorizmit në shoqëri, por në të njëjtën kohë janë momumente të vërteta leksikore të së folmes së Gjirokastrës dhe aeralit të gjuhës shqipe të Jugut të Shqipërisë. Kësaj radhe asaj i duhej të përballej me ashpërsinë dhe terrorin politik shumë herë më të vështirë se betejat me konservatorizmin në shkrimet e saj,

Periudha kur pushteti komunist në Shqipëri dha iluzionet që mund të pranonte edhe një pjesëmarrje të opozitës është shumë e shkurtër. Ajo zgjati nga dhjetori i vitit 1944 deri në dhjetor 1945 periudhë në të cilën ende nuk kishte mbaruar zyrtarisht Lufta e Dytë Botërore dhe ende nuk ishin ndarë zonat e influencës në Evropën Lindore. Gjatë kësaj kohe Shqipëria po sovjetizohej me hapa shumë të shpejtë nën asistencën jugosllave. Mirëpo pavarësisht hapave të shpejtë që po hidhnin në këtë drejtim, qeveria komuniste formalisht po ndiqte dhe hapat e legjitimitetit të pushtetit. Zgjedhjet e para për të formuar Asamblenë Kushtetuese që do të vendoste dhe formën e qeverisjes në Shqipëri, do të mbaheshin në datën 2 dhjetor 1945. Zhvillimi dhe mbarëvajtja e tyre ishte një kushtet që duhet të plotësonte qeveria shqiptare, në mënyrë që të fitonte njohjen e plotë dhe të pakushtëzuar. Masat e shpejta të komunistifikimit të shtetit dhe të qeverisjes, edhe pse P.K.SH vazhdonte të mos deklarohej hapur dhe të fshihej përmes FNÇ, kishin krijuar një klimë jo shumë të përshtatshme për gjallërimin dhe pjesëmarrjen politike të opozitës shqiptare në jetën publike e sociale të vendit. Në Shqipëri tashmë ishte vendosur një regjim komunist sipas modelit sovjetik, por në ndryshim nga “demokracitë e tjera popullore”, ky proces u zhvillua me asistencën dhe mbështetjen direkte të Jugosllavisë dhe Titos . Shumë shpejt, në vlagën e korrospondencave të Qeverisë së Përkohshme me qeveritë e Aleatëve për të siguruar njohjen, si dhe masave për komunistifikimin e Shqipërisë, edhe perëndimorët që operonin në Shqipëri nëpërmjet misioneve të veta ushtarake dhe civile e ndjenë të nevojshme të ndihmonin dhe përkrahnin opozitën e brishtë shqiptare. Për më tepër, brenda vetë FNÇ, kishte figura dhe personalitete që nuk binin dakord me format e organizimit të ri shtetëror, si gjykatat vendore, këshillat dhe komitetet egzekutive, forma të huazuara nga sistemi komunist sovjetik. Një pakënaqësi e madhe tjetër ishte dhe e elementëve të shpronësuar apo tregtarëve të mëdhenj, pasuria e të cilëve u ishin nënshtruar ligjit të Tatimit të Jashtëzakonshëm të Luftës.

Kontaktet e para të britanikëve me opozitën u vendosën  në qershor të vitit 1945 , përmes njërëzve që punonin pranë Misionit Ushtarak Britanik, si  Kiço Xhonga, Ing.Avdulla Muça, Shaban Balla, Niko Beço, Hivzi Golja, Llazi Posti etj. Intelektualët e mësimpërm, të afërt me Misionin Ushtarak Britanik, siguruan komunikimin midis këtij misioni me koordinatorin e grupit të rezistencës Sami Çeribashi, me elementë të përjashtuar nga Fronti si ish ministrin e arsimit Gjergj Kokoshi dhe grupin social-demokrat të përfaqësuar nga Musine Kokalari. Gjithashtu ata përfshinë në Komitetin inisiator të krijuar në pranverë 1945 edhe Qenan Dibrën eksponent i njohur i Partisë së Legalitetit. Grupimi Social-Demokrat  kryesohej nga Musine Kokalari, intelektuale dhe shkrimtare e njohur për kohën . Ky grupim  ishte krijuar që gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në të bënin pjesë figura të njohura të botës së pakët intelektuale shqiptare të kohës si Avokat Suad Asllani dhe Musa Disdari. Është interesant fakti se vazhdimisht opozita shqiptare e pas luftës është konsideruar en block si opozitë e mbështetur në ideologjinë e djathtë. Ky sugjerim dhe mendim duke analizuar grupimet e opozitës nuk i përgjigjet realitetit. Sipas një analize të programit të Partisë Social Demokrate, parti në të cilën Musine Kokalari ishte themeluese i përkiste skeptrit të majtë të partive politike.

Grupimi social-demokrat përfaqësonte një rrymë të moderuar të së majtës shqiptare, e cila ishte për një evolucion të shoqërisë shqiptare pa qenë e nevojshme të ndërmerreshin masa ekstreme të kopjuara nga sistemi komunist në Bashkimin Sovjetik. Në nenin dy të statusit të Partisë Socialdemokrate shkruhej se PSD është evoculioniste përsa i përket kolektivizmës ekonomike.  Pra grupimi socialdemokrat kërkonte evolucion të marrëdhenieve ekonomike në Shqipëri dhe jo një kolektivizim të dhunshëm që u zbatua nga komunistët shqiptarë. Po kështu përsa i përket problemit agrar, një nga problemeve më të mëdha të shoqërisë shqiptare të asaj kohe PSD në statutin e vet, neni tre shënonte se ka për qëllim kryesor t’i sigurojë bujkut tokën e mjaftueshme për të punuar, të zhdukë shfrytëzimin,spekulimin dhe parazitizmin. Gjithashtu do t’i sigurojë proletariatit bukën, banimin dhe të gjitha ndihmat e tjera për t’ja bërë jetën e këndshme.  Siç shikohet nga frazeologjia e përdorur PSD ishte shumë afër qëndrimeve të së majtës shqiptare që synonte një shndrrim social që t’i përgjigjej nevojave të kohës. Si qëllim të afërt dhe shpresëdhënës për të realizuar një balancë ekonomike në jetën e popullit shqiptar, PSD shikonte realizimin e një reforme agrare që do të ishte etapa e parë e ndarjes së tokës . Për më tepër në program synohej në realizimin e një sistemi sigurimi shoqëror për mbrojtjen e të gjitha klasave shoqërore .  Musine Kokalari dhe socialdemokratët shqiptarë ishin të ndërgjegjshëm se në Shqipëri duhet të kishte një drejtësi shoqërore në mënyrë që të kishte më shumë liri politike. Edhe në aspektin e politikës së jashtme PSD ishte në mbështetje të të një ideje për realizmin sa më parë të një konfederate ballkanike,  duke qenë një hap më parë se dhe vet komunistët shqiptarë që nuk guxonin ta shprehin hapur në asnjë program të tyre këtë qëllim. Mirëpo pavarësisht këtyre qendrimeve shumë të ngjashme me komunistët shqiptarë, sërish qendrimet e tyre u quajtën të rrezikshme për monopolin e pushtetit që dëshironin të arrinin komunistët sepse sociademokratët ishin për një jetë aktive parlamentare dhe egzistencën e opozitës në jetën politike të vendit. përfshinte të tre organizatat.

Gjithësesi edhe Misioni Ushtarak Britanik që ishte më aktivi në takimet dhe konsultimet me opozitën shqiptare nuk ndiqte preferenca partiake. Ata ishin të interesuar për të pasur një opozitë të bashkuar në mënyrë të tillë që jeta politike në Shqipëri të mos monopolizohej nga Partia Komuniste Shqiptare.

Në takimet e dëndura të shefit të Misionit Ushtarak Britani, Palmerit dhe anëtarëve të këtij msioni, majorëve Smith, Arnot dhe Leon me komitetin iniciator të përbërë nga të ri grupimet ishte nënvizuar nevoja për krijimin e një opozite të bashkuar që do ti përfshinte të tre organizatat. Pas takimeve të shumta me britanikët, u ra dakord që në mbledhjen e parë të përbashkët të tre grupeve dhe me praninë e Gjergj Kokoshit, në datën 17 nëntor 1945 të krijohej një Komitet Nacional i organizatës Bashkimi Demokratik. Në këtë takim u shtrua për shqyrtim edhe çështja e pamundësisë së pjesëmarrjes në zgjedhje pasi kishte mbaruar afati ligjor, afat që sipas ligjit shkonte të paktën 40 ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve. Në këtë kontekst, duke mos pasur mundësinë nga ana ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje, u shqyrtua versioni i kërkesës për shtyerjen e datës së zgjedhjeve. Për këtë arsye ata vendosën t’i drejtoheshin me një memorandum aleatëve ku do të shpreheshin qartë kërkesat e tyre, përfshi dhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të 2 dhjetorit. Kësaj radhe në mbledhjen e datës 20 nëntor që u organizua në shtepinë e Shaban Ballës, me profesion gjeometër dhe shofer pranë Misionit Ushtarak Britanik, e kryesoi Gjergj Kokoshi. Për këtë rol udhëheqës të Gjergj Kokoshit, mesa duket ka luajtur rol, kredencialet e dhëna nga anglezët por edhe autoriteti i tij i padiskutueshëm si ish ministër i Arsimit dhe Kulturës Popullore dhe ish anëtar i kryesisë së Frontit Demokratik. Në mbledhjen e dytë të opozitës Gjergj Kokoshi ra në mosmarëveshje me Musine Kokalarin për pikat e hartimit të Memorandumit dhe krerët e grupeve.Musineja kërkonte të përfshihej në memorandum kërkesa për zhvillimin e një plebishiti në Kosovë për vetëvendosje.  Këtë qendrim Musine Kokalari e mbështeste jo vetëm në formimin e vet kombëtar nën frymën e Rilindjes Kombëtare por edhe në nenet e statusit dhe frymën që kishin ndërmarrë intelektualët që kishin themeluar Partinë Social Demokrate.  Në nenin VI të statutit të PSD shkruhet partia ka për qëllim të lufotjë kundër çdo okupatori për indipedencën e një Shqipërie të unjisur brenda kufijve të saj etnikë

Duket se nën arsyetimin e sigurimit të mbështetjes britanike ndaj opozitës dhe aktivitetit të saj, ky moment i mos rënies dakord mes grupeve pë çështjen e Kosovës,  u kapërcye dhe në datën 22 nëntor u organizua mbledhja e tretë në shtëpinë e Ali Kavajës, anëtar i Grupit të Resistencës, nëpunës tatimor para pushtimit dhe gjatë kohës së luftës. Në këtë mbledhje u hartua Memorandumi në frëngjisht nga Musine Kokalari dhe Qenan Dibra, e cila iu dorëzua misioneve anglo-ameriakane prej Qenan Dibrës, Shaban Ballës dhe Sami Qeribashit.  Ndërkohë një notë tjetër i ishte dorëzuar Misionit Ushtarak Britanik më parë nga Komiteti Inisiator i Opozitës dhe programi prej 13 faqesh i hartuar nga Kiço Xhonga, e përkthyer në anglisht nga Emin Bakalli, nëpunës në Ministrinë Botore. Nota iu  dorëzua Nënkolonelit Palmer nga Lari Posti në datën 5 nëntor. Ky i fundit do të udhëtonte po atë mbrëmje për në Kazerta ku ndodhej Shtabi i Forcave Aleate të Mesdheut. Në këtë mënyrë britanikët do të njiheshin drejtë për së drejtë me kërkesat dhe programin e opozitës së brishtë shqiptare. Mirëpo, për fat të keq kishte një mospërputhje midis vullnetit dhe zellit antikomunist të Palmer-it dhe oficerëve të tjerë britanikë të misionit dhe kalkulimeve të kujdeshme të Londrës zyrtare për të mos u përfshirë në një mbështetje të hapur apo planifikuar një zbarkim të mundshëm në Shqipëri. Nga dokumentacioni i shqyrtuar rezulton se qoftë Palmer-it dhe më vonë Hoxhsonit, Londra zyrtare i ka tërhequr vëmendje për ndërhyrje në punët e brendshme të qeverisë shqiptare me argumentin se fundi, fundit Qeveria  e Përkoshme e dominuar nga komunistët, kishte ardhur në fuqi me vullnetin e plotë të popullit shqiptar e se nuk ishte imponuar nga jashtë. Në deponimet në gjyq të anëtarëve të Bashkimit Demokrat, dëshmohet se ka një devijim nga ajo, çka Londra u kish komunikuar oficerëve britanikë për mbështetjen e opozitës dhe mundësinë e zbarkimit në Shqipëri. Palmeri kishte nënvizuar faktin se nuk ishte pranuar kërkesa për ndërhyrjen angleze për ndryshimin e regjimit në Shqipëri pasi edhe Anglia ishte në pamundësi të zbarkimit të forcave ushtarake pasi ishin okupuar në Greqi. Palmeri ishte shprehur me anëtarë të opozitës”nuk mund të vëmë në rrezik jetën e asnjë ushtari anglez dhe se smund të nisim luftën e tretë botërore për shkak të Shqipërisë. Ky qendrim i britanikëve rezultoi tëishte fatal për shpresat e opozitës antikomuniste shqiptare.

 

Për fat të keq të historisë së parlamentarizmit në Shqipëri, zgjedhjet nuk u shtynë dhe u zhvilluan në datën e përcaktuar më parë në 2 dhjetor 1945.  Fronti Demokratik fitoi shumicën e vendeve në Asamblenë Kushtetuese prej 70 vendesh dhe asnjë kandidat jashtë listave të Frontit, nuk fitoi. Misioni Ushtarak Britanik dhe Misioni Civil Amerikan i ndoqën zgjedhjet nga afër, por u zhgënjyen nga rezultati i tyre. Triumfi në zgjedhjet e 2 dhjetorit nga Fronti Demokratik dhe P.K.SH që qendronte në prapaskenë, u dha komunistëve shqiptarë një vetëbesim për të ecur më tej në projektin e tyre për instalimin e regjimit të tyre.  Modeli, mbi të cilin ata bazoheshin ishte modeli sovjetik, që në Shqipëri po instalohej me asistencën e drejtë për së drejtë të jugosllavëve. Modeli sovjetik ishte një sistem totalitar i bazuar në një parti të vetme. Si i tillë, në procesin e funksionimit të shtetit, në të mungojnë  ata organizma që shërbejnë si kundërpeshë ndaj pushtetit, që e kontrollojnë dhe e kufizojnë atë nga ndërrmarrja e veprimeve arbitrare. Kundërshtarët ideologjikë të komunistëve gjatë luftës “Balli Kombëtar” dhe “Lëvizja e Legalitetit”, me mospërfshirjen e tyre në luftime të drejtë për së drejta kundër forcave të Boshtit, e kishin humbur legjitimitetin për të ushtruar opozitë në Shqipëri, aq më tepër që shumica e udhëheqësve të tyre ishin në emigrim politik, jashtë Shqipërisë dhe nuk kishin asnjë mundësi për të ndikuar në ngjarjet në Shqipëri. Në këtë kontekst të vetmit që mund të krijonin probleme në instalimin e regjimit komunist në  Shqipëri ishte opozita e Bashkimit Demokrat, ndaj për këtë arsye menjeherë pas zgjedhjeve , qeveria e Enver Hoxhës vendosi të marrë masa respresive ndaj tyre.  Mjet kryesor në ushtrimin e pushtetit të regjimeve totalitare është tiranizimi. Ai është në vetë përmbajtjejn e totalitarizmit, të sundimit total nga një parti e vetme e udhëheqësi i saj, të nënshtrimit të individit në kuadrin e komb-shtetit.  Një numër i madh i eksponentëve të opozitës shqiptare kishin mbajtur kontakte shumë të ngushta me oficerë të Misionit Ushtarak Britanik, si Nënkolonelin Palmer, Kapitenin Smith dhe Togerin Arnot. Të arrestuarit ishin pothuajse të gjithë eksponentët e Bashkimit Demokrat duke filluar nga Gjergj Kokoshi, Musine Kokalari, Sami Qeribashi, Ali Kavaja, Qenan Dibra etj. Rezultoi që pjesa më e madhe e tyre kishte qenë prej kohësh nën survejimin e agjentëve të Mbrotjes së Popullit dhe ndaj tyre u ushtrua një proces hetimor i dhunshëm  dhe i egër. Akuzat kryesore drejtoheshin ndaj bashkëpunimeve të tyre me të ashtëquajturit kriminelët e luftës ose të arratisurit në male dhe përpjekje për të rrëzuar me dhunë pushtetin në fuqi. Në këtë proces u përfshinë 75 persona prej të cilëve 9 veta morën dënime kapitale dhe të tjerët u dënuan me burgime të gjata. Procesi hetimor edhe me vonë ai gjyqësor hodhën bazat e sistemit të eliminimit të elitave jokomuniste dhe të kundërshtarëve politikë që do të vazhdonte për pothuajse gjithë periudhën e sundimit komunist në Shqipëri. Ky gjyq i parë ndaj opozitës shqiptare nuk ishte i rastësishëm. E veçantë për mjetin e eliminimit komunist nuk ishte vetëm numri i madh i të eliminuarve, por mënyra e përzgjedhjes së atyre që ekzekutoheshin. Iu dha fund gjykimit në bazë të fajësisë vetiake apo përgjegjësisë vetiake. Dënimi nuk bëhej mbi bazën e akuzës për krime vetiake, por mbi bazën e prejardhjes sociale të të dënuarit dhe të thashethemeve për të.

Mbi Musine Kokalarin u zbatua e njëjta strategji për ta denigruar dhe burgosur. Qendrimi i saj në gjyq ishte një shuplakë ndaj regjimit komunist dhe dëshmi e forcës morale që intiligjenca shqiptare po tregonte përkundrejt totalitarizmit.  Me ndërgjegje të plotë ajo kish braktisur muzën e krijimtarisë Kalipso dhe përmes guximit të saj intelektual po hynte në histori duke u shndrruar në muzën e historisë Klio. Në gjyq ajo do të shprehej me një guxim të pashoq intelektual e njerëzor se “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e saj. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi qe doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!” Me arrestimin dhe dënimin e Musine Kokalarit u shuan shpresat se regjimi komunist në Shqipëri do të ndiqte një rrugë të moderuar drejt konsilidimit të pushtetit të tij dhe me veprimet e tij arbitrare po shuante rezistencën  dhe mendimin ndryshe.

Bibliografi

1- Hamit Kaba, Ethem Çeku. Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse 1946-1962. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti  I Historisë. Tiranë:2011, fq 16

2- Leka Ndoja. Zanafilla e Bashkimit Demokratik. Bashkimi Demokratik Shqiptare 1946. Instituti i  Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë:2015

3- Llambro Filo. Sistemet politike bashkëkohore. Botimet Ideart, Tiranë.

4- Musine Kokalari. Vepra 2, Programi i Partisë Socialdemokrate Geer, 2009