27 Nentor 2025

Një operacion i madh ndërkombëtar antidrogë ka goditur një organizatë të dyshuar kriminale që vepronte midis Italisë dhe Shqipërisë, ku në qendër të skemës financiare qëndronin ‘mushkat e parave’ shqiptarë, kryesisht shoferë autobusësh që udhëtonin rregullisht në linjën Itali–Shqipëri.

Operacioni, i koordinuar nga Prokuroria e Brescias në bashkëpunim me SPAK, Eurojust, Europol dhe struktura të tjera europiane, çoi në ekzekutimin e masave sigurie për 24 persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Mbi 150 efektivë të Guardía di Finanza morën pjesë në aksionet e kryera njëkohësisht në Itali, Shqipëri, Francë dhe Britani.

Sipas hetuesve, organizata me bazë drejtuese në Shqipëri dyshohet se ka importuar në Evropë mbi 1.3 ton kokainë, të ardhur nga Amerika e Jugut dhe të futur përmes porteve të Europës së Veriut. Droga më pas hynte në Itali me mjete të rënda dhe shpërndahej në gjashtë baza logjistike në territorin italian.

Fokusi kryesor i hetimit ishte skema financiare, ku sipas akuzave paraprake, drejtues autobusësh shfrytëzoheshin si ‘mushka parash’, të ngarkuar me transportimin e fitimeve të trafikut nga Italia drejt Shqipërisë. Këta transportues të parave, të përzgjedhur për lëvizjen e shpeshtë mes dy vendeve, mbanin me vete shuma të mëdha të ardhurash të drogës, të maskuara si bagazh i zakonshëm udhëtimi.

Hetimet, të zhvilluara gjatë viteve 2020-2025, përfshinë përdorimin e algoritmeve të avancuara për dekodimin e chat-eve të kriptuara, përgjime telefonike, vëzhgime në terren dhe metoda të tjera tradicionale. Deri tani janë arrestuar në flagrancë 10 persona dhe janë sekuestruar 550 mijë euro cash, 10 automjete, një armë dhe 130 kg drogë me vlerë rreth 12 milionë euro.

Ndërkohë, po kryhen mbi 35 kontrolle në disa rajone të Italisë, me ndihmën e njësive antidrogë, qenve ‘cash dog’ dhe efektivëve të specializuar ‘baschi verdi’.

Autoritetet theksojnë se të gjithë të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë, ndërsa hetimet për zinxhirin e ‘money mule’ dhe pistat e tjera financiare të rrjetit kriminal vijojnë me intensitet të lartë.