Ministrja e Drejtësisë e Kosovës non grata në Shqipëri? – Reagon Ambasada

22 Mars 2026
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka reaguar për një lajm të qarkulluar sot se ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla është shpallur “non-grata” nga Shqipëria.
Malaj shprehet se Ambasada nuk e konfirmon këtë dhe nuk ka asnjë vendim ose udhëzim të tillë.
“Ambasada nuk konfirmon asgjë të tillë. Në media qarkullojnë shpesh hamendësime nga më të ndryshmet, të cilat ne nuk i komentojmë më tej. Nuk ka asnjë vendim apo udhëzim të tillë.
Marrëdhëniet tona me Kosovën dhe me qeverinë e saj janë të qarta, të forta dhe gjithëpërfshirëse, siç është theksuar së fundmi edhe nga Ministri Hoxha në bisedën e zhvilluar me Ministrin Konjufca”, shprehet Malaj.
Disa ditë më parë, Gërvalla, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
“Krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”, tha ajo.
“Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë” – tha ajo në RTK.
Kjo deklaratë e Gërvallës vjen pas një editoriali të përbashkët të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Problemi i artikullit nuk është pse Rama me Vuçiçin shkruajnë një artikull të përbashkët, por problem i atij artikulli është që propozimi është që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian, duke mos përmendur në asnjë rrokje të vetme, pozicionin që ka Serbia në raport me Perëndimin, Rusinë, Kinën, Venezuelën, Iranin dhe forcat botërore që bien ndesh në çdo aspekt me përcaktimet tona për BE dhe NATO por edhe me përcaktimet e Shqipërisë”- ka thënë ajo.
Nga: Gazeta Dita
