Edi-Rama – 14 Korriku Perkohësisht

14 Korrik 2026

Në një kohë kur fishekzjarrët e propagandës qeveritare po ndizen në maksimum për suksesin “historik” në Bruksel, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka bërë pa dashje një dush të ftohtë realist. Përmes një postimi plot data e vetëvlerësime, Hoxha ka zbuluar hapur detajin që po kalohet në heshtje: tre kapitujt e parë po mbyllen vetëm përkohësisht.

Në gjuhën e Brukselit, kjo “përkohësi” është prova më e qartë se BE-ja nuk mjaftohet me fjalime entuziaste dhe shirita të prerë. Ajo që në Tiranë shitet si sukses përfundimtar, në tavolinat e burokratëve evropianë është thjesht një provim me kusht. BE kërkon prova të vazhdueshme dhe, mbi të gjitha, në këtë lojë rregullat janë të qarta: ato kapituj që sot mbyllen, nesër mund të rihapen sërish nëse reformat mbeten vetëm në letër. Festa vazhdon, por me kusht që të mos harrohet se “suksesi” ka një afat skadence të varur tërësisht nga monitorimi i rreptë.

Më poshtë vijon postimi i plotë i Ministrit Hoxha:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Disa data kyçe që tregojnë historinë mbresëlënëse të një udhëtimi të jashtëzakonshëm:

14 tetor 2024 – Shqipëria nuk kishte hapur asnjë kapitull negociues.

17 nëntor 2025 – Shqipëria kishte hapur të 33 kapitujt negociues.

26 maj 2026 – Shqipëria u bë vendi i parë negociues që arriti #IBAR sipas metodologjisë së re.

14 korrik 2026 – Shqipëria hyn në fazën përfundimtare të negociatave duke mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë:

Kapitulli 25 – Kërkimi Shkencor Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë

Ato që duken si data në një afat kohor janë në fakt momente historike që pasqyrojnë një transformim të jashtëzakonshëm, rezultat i punës së palodhur, angazhimit të vërtetë dhe të vazhdueshëm institucional, vendosmërisë së fortë dhe vullnetit të palëkundur politik.

Kur ambicia përputhet me rezultatin, progresi bëhet i mundur, i dukshëm, i matshëm, real.

“Muri i zgjerimit” po ndryshon përsëri.

Nga Gazeta Dita