Nga Klodi Stralla.

Çamëria është një krahinë gjeografike në veriperëndim të Greqisë, e cila para Luftës Ballkanike të 1912-ës, ka qenë pjesë e Perandorisë osmane, e banuar nga shqiptarë, të të dy besimeve. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (29 korrik 1913) ajo iu dha Greqisë, sikundër krahina e Kosovës, Serbisë, si fitimtarë të luftës ndaj osmanëve.

Që nga ajo periudhë e në vazhdim, si Serbia ashtu edhe Greqia në krahinat përkatëse, ndoqën politika diskriminuese ndaj popullsisë vendase shqiptare, ose përmes asimilimit kulturor dhe fetar ose përmes dëbimeve masive. Me Traktatin e Lozanës (1923), midis Turqisë qemaliste dhe Greqisë, u bë një këmbim masiv popullsish: grekët kristianë të Azisë të Vogël (Turqi) u atdhesuan në Greqi dhe muslimanë të Greqisë u shpërngulën në Turqi. Një pjesë jo e vogël e tyre ishin shqiptarë muslimanë të Çamërisë.
Në kohën e pushtimit gjerman (1941-1944), krahas grekëve që bashkëpunuan me okupatorin, pati edhe shqiptarë çamë të cilët natyrshëm shpresonin që Gjermania do t’i ndihmonte të bashkoheshin me shtetin amë – Shqipërinë, siç bërri me Kosovën.

Mbas lufte, kudo në vendet e pushtuara nga Boshti, u ngritën Gjykatat Speciale që dënuan bashkëpunëtorët e fashizmit; midis tyre ishin edhe krerët e shumë familjeve shqiptare çame.
Gjykata Speciale e Janinës (1946), dënoi me vdekje mbi 2100 shqiptare çamë dhe u konfiskoi pasurinë. Etiketimi masiv i çamëve si “bashkëpunëtorë të gjermanëve”, i shoqëruar edhe me reprezalje (Zerva), i detyruan ata, të braktisin vendin dhe pronat e tyre dhe ardhën në Shqipëri. Shteti shqiptar i E.Hoxhës u dha shtetësinë shqiptare, i integroi në shoqëri, por nuk di ligjërisht se ç’u u bë me shtetësinë greke që kishin para largimit.
Ja kjo është pak a shumë tabloja e përmbledhur e ngjarjeve, nga aq sa kam unë dijeni.

Ndonse qeveritë shqiptare, në negociatat me palën greke, e kanë ngritur problemin çam, në kuadrin e të drejtave të njeriut (jo të pretendimeve teritoriale), pala greke nuk pranon të bisedohet për një problem të tillë dhe deklaron shprehimisht se për të nuk ekziston ndonjë “Çështje çame”.

Kështu, si heqja e “Ligjit të Luftës” ashtu edhe zgjidhja e “Çështjes çame”, na serviren nga qeveritarët tanë si demagogji në negociatat me palën greke, pa ndonjë vlerë praktike përfitimi për shqiptarët.