Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, diplomati Nesho zbulon prapaskenat dhe paralajmëron Kosovën: Kujdes me lëvizjet e radhës!

5 SHTATOR 2020

Diplomati shqiptar, Agim Nesho, komentoi marrëveshjen e arritur mbrëmjen e kaluar në Shtëpinë e Bardhe mes Kosovës dhe Serbisë. I ftuar në rubrikën “Opinion”, në Neës24, diplomati i njohur paralajmëroi politikanët kosovarë të tregohen të kujdesshëm dhe të koncentruar në lëvizjet e mëtejshme, pasi sipas tij, në vazhdimësi kjo marrëveshje do të marrë përmasa të tjera, që mund të vërë në rrezik ato që Kosova ka fituar deri më tani.

“Rikthimi dhe vazhdimi i kësaj marrëveshjeje, për të cilën kosovarët duhet të jenë që tani të koncentruara në lëvizjet e mëtejshme, do të marrë përmasa të tjera, që mund të vërë në rrezik ato që Kosova deri më tani ka fituar, nëse në SHBA do të jetë kjo administratë. Shumë vija të kësaj marrëveshjeje tentojnë për një prioritet ndaj Serbisë. Këtu është gabimi i politikës shqiptare, flas për Kosovën, pse duhet të dilte kaq lehtë, për një gjysmë ditë, gjithë ai konsensus për një mini-shengen? Këta duhet të jenë konseguentë”, tha Nesho.

Më tej, ai e cilësoi të çuditshëm të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke shtuar se administrata e Donald Trump nuk ka akoma një strategji të qartë për çështjet e Ballkanit.

“Grenell është një negociator i cuditshëm. Administrata e Trump akoma nuk ka një strategji të qartë për cështjet e Ballkanit. Ka një lob serb, që nuk është më i madh se lobi shqiptar. Këtu duhet të nxjerrim mësim që lobi shqiptar të jetë më i unifikuar dhe të ndihmojë cështjen shqiptare, të influencojë në këtë gjë. Është shumë e rëndësishme që edhe me lobet të ketë një pjesë të politikës amerikane. Mendoj se edhe te marrëveshja ka pasur, pasi lobin serb e kënaqën me pezullimin e Presidentit Thaçi. Kjo është shitur si një fitore në lobin serb për të thënë se ai që bëri luftën, ja ku përfundoi”, u shpreh diplomati.

Sipas tij, marrëveshja e firmosur në Shtëpinë e Bardhë nuk është pritur me entuziazëm në Kosovë dhe ky është një problem.

“Kjo marrëveshje nuk është pritur me entuziazëm në Kosovë dhe ky është problem. Kjo lloj marrëveshjeje është kërkuar nga elementi shqiptar. Unë e kam thënë që kjo do të jetë një cështje e dhimbshme për Kosovën dhe kjo e fundit do të jetë gjithmonë e humbur. Jemi ne shumë të nënshtruar për të pranuar cdo gjë që vendoset. Amerika është padiskutim miku më i madh, më i pazëvendësueshëm, dhe si i tillë do të respektohet gjithmonë, pork a dicka para së gjithash se interest kombëtare nuk negociohen. Cfarë ndodhi? U ndërrua qeveria e Kurtit, që ishte shumë popullore, duke krijuar një impakt. Nga ana tjetër, ishte një shatanzh i tejskajshëm nga Grenell se do të tërhiqen trupat amerikane nga Kosova. Ne kishim dy mundësi për të reflektuar: të ishim më dinjitozë, të mos bazoheshim vetëm në njohjen nga Serbia. Kosova mund të kishte kërkuar të futej në NATO”, shtoi ai.

Ndërsa, i pyetur se “Kush e pengoi Kosovën të vepronte ndryshe?”, diplomati Nesho theksoi se “Nuk e penguan amerikanët. Ata duhet të ishin shumë realistë dhe duhet të jenë edhe tani, që kjo marrëveshje të mos pengohet. Kjo marrëveshje ka efekte edhe për fushatën e Trump. E dyta, përpara serbëve, që do thonë se ju kërkuat diskutime në tryezën e amerikanëve dhe tani nuk u kënaqët. Kosovarët duhet ta marrin me shumë seriozitet dhe kjo marrëveshje do të ketë një vazhdimësi, dhe vazhdimësia do të jetë mos limitimi i aspiratave të Serbisë që të bëhet fuqi dominante në rajon. Nuk duhet lënë cështja e Kosovës që të bëhet një pazar gjeopolitik për fuqitë e mëdha. Presidenti Trump ka një vizion, për të bërë aleanca të caktuara ndaj rritjes së pakontrolluar të një regjimi komunist”.

Gazeta Sot