23 Nentor 2025

Për 120 vite një mandolinë ka udhëtuar brez pas brezi në familjen e artistëve Sulioti, duke mbetur një nga instrumentet më të vjetër që ende ruhen në Korçë.

Krahas saj, një kitarë 75-vjeçare plotëson koleksionin familjar, duke mbajtur gjallë historinë e serenatave dhe artizanatit muzikor të qytetit. Mandolina që sot Aleksi Sulioti e tregon me krenari i përkiste stërgjyshit Kristaq, një zdrukthëtar korçar që e porositi instrumentin nga Amerika, pa e imagjinuar se ajo do të bëhej fillesa e një tradite artistësh.

Më pas, i biri Piro dhe nipi Gjergji do të rriteshin me tingujt e saj dhe do të shndërroheshin në disa prej emrave më të njohur të skenës së kohës.

Gjergj Sulioti

Në familjen Sulioti arkiva është një pasuri më vete: kostume, dorëshkrime, sende të vjetra, tekstet origjinale të serenatave dhe qindra kujtime të tjera që Aleksi sot i ruan me përkushtim. Pikërisht kjo trashëgimi e ka shtyrë atë të studiojë historinë e artit dhe të kuptojë se sa e thellë është rrënja kulturore e familjes së tij.
Edhe pse serenatat sot nuk prodhohen më si dikur, Korça vazhdon ta mbajë gjallë traditën e tyre. Dhe në këtë qytet, ku kujtesa kulturore është një mënyrë jetese, instrumentet e familjes Sulioti mbeten një dëshmi e gjallë e asaj që arti arrin të ruajë ndër shekuj.