Maks Velo: – Galeria është mbyllur, nuk ekziston më! –

Emrin “Onufër” Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore do t’ia vendoste arkitekti dhe piktori Maks Velo. Shënonte viti ’94 dhe ministër Kulture asokohe ishte Dhimitër Anagnosti, ndërsa Këshilli i Kulturës përbëhej nga emra me peshë si vetë arkitekti Velo, Aurel Plasari, Ylljet Aliçka etj. Emri i ikonografit të mesjetës do të aprovohej si i duhuri për këtë ekspozitë të arteve figurative. “Gjatë ekspozitës së parë fjalën e çeljes e kam mbajtur unë”, rrëfen Velo për “Shekulli”-n. Ashtu si edhe artistë të tjerë, arkitekti rrëfen se konkursi ndryshe nga sa ishin pritshmëritë do të degradonte. “Nisi të bëhej edhe ndërkombëtar dhe pikërisht në këtë moment filloi të degjenerojë, pasi ne nuk i përballojmë dot kapacitetet ndërkombëtare”.

Velo tregon se prurja e artistëve të huaj, që hera-herës sillnin vepra të dobëta (për të mos thënë qesharake), kishte kosto të larta, pasi të gjitha shpenzimet e tyre  përfshiheshin në buxhet e caktuar. “Kështu degradoi ‘Onufri’!”, përsërit Velo, duke theksuar dëshirën për ekzistencën e kësaj ekspozite, që ka nevojë për një Këshill Organizativ që të shqyrtojë çdo gjë me vëmendjen e duhur. Sipas tij, do Ekspozita do të ishte e suksesshme nëse në zhanëra të ndryshëm, do të përfshinte sa më shumë artistë. “Gjatë një edicioni u bë diçka e tillë, duke pasur në fokus fotografinë dhe nisma rezultoi e suksesshme”.  Sipas Velos, Ekspozita do të merrte më shumë vitalitet nëse do të përfshinin edhe pllakatin, ilustrimin e librave, pikturën, skulpturën etj. Mirëpo, ai shprehet se ky konkurs duhet të mbahet për artistët shqiptarë dhe jo të huaj, pasi ne nuk i kemi mundësitë financiare për të bërë ekspozita ndërkombëtare. Por përse u la “Onufri” të degradojë në këtë formë?! “Degradimi është bërë me qëllim për të ardhur tek mbyllja e galerisë. Galeria më nuk është! Nuk është!”. Artisti shprehet se “Onufri” duhet të bëhet çdo vit, duke propozuar që të caktohet një temë për krijuesit vendas, për dizajnin, arredimin, karikaturën etj. Sipas tij, nëse konkursi do të kishte ecur në këtë linjë, sot do të vijonte. “Mirëpo, nëse veprohet si në Galerinë Kombëtare, ku ekspozohen ‘betona’ dhe tulla plastike, arti merr fund, po ashtu edhe Galeria! Duke qëndruar në këtë pikë, theksoj faktin se “Onufri” nuk kishte më vizitorë çka paralajmëronte vdekjen e tij, siç ndodh me një njeri pa oksigjen. Sepse, vizitori është oksigjeni i ekspozitave. Këtu nuk është puna se u mbyll vetëm ekspozita, këtu është mbyll galeria!”. Velo, si një njohës i mirë i galerive ndërkombëtare shprehet se atë që ndodh në GKA nuk e has në vendet e zhvilluara. “Në sallën kryesore të Galerisë neve na imponohen blloqe ‘betoni’. Ndërkohë që jashtë vëren ngjyrat, pikturat, skulpturat etj. Sigurisht që edhe forma të tilla të artit mund të bëhen, por jo t’ju jepet prioritet. Nuk zëvendësohet sensibiliteti i ngjyrës që duhet të ketë artisti duke varur plastikën dhe betonin. Këtu është problemi!Salla kryesore mbahet për afro tre muaj me blloqe betoni. Pra Galeria, nuk ekziston më! Për mua ky institucion është i mbyllur, sepse nuk marrim asnjë informacion dhe nuk kemi se çfarë të shohim përveç realizmit socialist”. Sipas Velo,s është e gabuar kërkesa e atyre që duan të heqin veprat e realizmit socialist, pasi siç shprehet ai, masandej nuk do të mbetet më asgjë. Artisti thekson faktin se gjatë post diktaturës nuk është ditur të seleksionohet arti modern, për t’u vendosur në katin e tretë. “Këtu është lufta. Prandaj mbyllet galeria, për hir të katit të tretë. Kush do të pushtojë katin e tretë!”. Velo parashikon se do të bëhen seleksionime jo objektive nga ata që do të justifikohen me dëshirën “se duan të ndërrojnë historinë e artit”. Përpos përzgjedhjeve personale që bëhen dhe do të bëhen për veprat dhe artistët në GKA, ai bën thirrje për të ruajtur veprat e socrealizimit. “Na duhet, se është një epokë e tërë që e krijoi atë pikturë. Ashtu siç është, por e krijoi!”, përfundon ai.

Fragment i shkrimit: “Artistët – Kumbaros: Hapeni Onufrin, nuk është aktiviteti juaj, i përket Shqipërisë!” botuar ne gazeten Shekulli.