Libri I Ri: “A ke mall për pranverën?”, të Bona Mulaj-Lluka

Nga Albert Vataj.

Bona Mulaj Lluka pyet: “A ke mall për pranverën?”… kur në shpirt, dhimbja çel lule?!

E pata thënë dikund, se vendi i femrës gjithnjë e më i pranishëm në poezinë e sotme shqipe, është preludi i një erë e re, në të cilën hyn ky lëmë i letërsisë. Pata shtuar gjithashtu, se femrat janë gjithnjë e më të pranishme në ligjërimin petik, qoftë edhe përdhunshëm.
Poezia sot ka një prurje të bujarshme, dhe poetet janë ato që kanë dominim.
Pse?!
Ashtu siç femra din të dashurojë me gjithë shpirt, ashtu shkruan me zjarriun e zemrës. Është dukshëm më e sinqertë dhe shumë herë më e ndjeshme, është ndoshta në kohen e duhur në vendin e duhur. Ata janë lëxuese të vëmëndshme dhe përjetuese sqimatare. Kanë privilegjet e natyrës të arrijnë të përshkojnë anëpërtej rrethimin që vë diktati i kotësisë, boshit dhe shtirjes. Janë reale dhe gjithçka që pjesëmerr rreth tyre, ata e lidhin më fijet e holla të ndijimeve. Sepse edhe vetë poezia është tashmë, jo vetëm një akt i etertë komunikimi, por edhe një mëkim i shuguruar shpirtrash.


Pata këtë mendim për femrën poete, e tani mbasi lexova përmbledhjen me poezi, “A ke mall për pranverën?”, të Bona Mulaj-Lluka, vetëm e përforcoj këtë qëndrim. Nisur prej këtij shkasi, vendosa të shkruaj diçka, më shumë se sa për librin, për atë forcë lëvizëse që ka shndërruar këtë vullnet në blatim shpirti poetik.
Poetja Bona Mulaj, ka guxuar të dëshmojë publikisht, nëpërmjet këtij libri jetësimesh vargëzuese, kësaj krijese fryme, asaj force shprehëse, që ka poezia dhe shpirtërorja në këtë libër. Ngulmoi ta bëjë këtë, jo vetëm se kishte diçka për të thënë, por edhe për të shpaluar ashtu krahëhapur, qiellore. Të mëtonte veten, atë pafundësi që e merr dhe e kthen, atë tejpërshkueshmëri që e end dhe e shpërbën, për ta rikrijuar e shndërruar. Në atë kacafytje të kahershme hezitimi ajo përmendej çdo ditë dhe… dikush, diçka e shtyn, dhe prej thellësisë së vetes, rrëmon e nxjerr, i jep shpirt, një trupi fjalësh, një krijese që mbante të murosur. Pa patur frikë të shprehë atë që ndjen, ashtu çiltërsisht, pa ndrojtjen e yshtjes së ndonjë keqkuptimi apo dashaligësie, ajo i’a jep dritës, dhe ëndjes së leximit, librin e saj të parë, “A ke mall për pranverën?”.

Bona MulajLluka

Poezia e saj është e mbushur me ndijim, me atë që shpesh ka shije të athët, siç është vetë jeta, jo vetëm ajo që i përket asaj, por e gjithë grave dhe nënave. Ajo, ndryshe nga shumë prej grave dhe nënave, që ngrysen nën barrën e ndalimit, hezitimit dhe ndrojtjes, ajo shprehet, me zë e me zemër, thërret, jo duke tubuar zemëratë, trishtim e ankim, por duke kallzuar se forma ku ata janë derdhur janë prej gjendjesh dhe prej mishi. Si të tilla ata duhet të dëgjojnë zërin e brendshëm dhe t’i përgjigjet vullneteve përjetuese, qoftë dhe duke besuar fuqinë që ka fjala, magjinë që krijon arti, mrekullinë që mëton dashuria, eternen që kremton poetikja.
Poezia e Bona Mulaj-Lluka krijon atë gjendje të mallshme ndijimi, të të gjithë trajtave, të larushisë së amullt rrethuese që zgjon nevoja për të dëshmuar përmes vargjeve, shpirtëroren. Ëndjen për ta parë dhe për ta ndjerë të sotmen e çdo çasti të përbërjes së tij, përmes drithërimash e shkulmimeve të një kohe tjetër. Të asaj të tashme, e cila duke gjetur përngjasim, nxiton të na kujtojë, pandryshueshmërinë e asaj gjendje, me të cilën i qasena realitetit dhe shpirtërores.


Poetët vijnë nga ngulmet e mrekullive si ngjarje, nga ajo çfarë na bën ta duam dhe ta rrokim jetën me zjarr e me afsh, ashtu siç përballemi me të, për ta përballuar me luftë e triumf. Bona jeton, si të gjitha gratë dhe nënat, por këtij rituali të çdoditshëm, ajo i mëkon eterin e kohëve të epërme të njëtrajtësuar në ngulmim shprehëse, që mëkon fjala, vargu. E bën këtë si çdonjëri nga ne, që ngjitemi në lartësitë e besimit dhe… ashtu siç i jepet dhimbjes, arrin të përjetojë në çdo shkëndi lumturimin. Ashtu siç i gjunjëzohet kujtesës dhe trishtimit, rrëmbimshëm ngrihet mbi apatinë dhe rrëzimin. Beson, se çdo altar nalton në shpirt dhe të gjithë gjunjëzimet e poetit janë lutje qielli që eteri i shndërron në fjalë, në vargje, në kumt.
E lexova, librin “A ke mall për pranverën” të Bona Mulaj Lluka. Më përshkoj shpirti i poezisë së saj. Ajo krijes e dlirë që na bën të përmendemi, me ndigju çdo psherëtimë e me përjetu çdo rënkim. Me u pa në ligështim e në hidhërim, që na hedh jeta, e me i gëzuar çdo çasti e shpërblese, që ka mylmyer shkasin për sfidë. Poetja, te Mulaj, është forcë dhe brishtësi e atij vullneti, që mundet të përshkruaj dallgën në momentin që përplaset me të. Ajo është syçelë e çdo pamësie dhe pulsi i çdo pipëtitjeje. Sepse është e gjallë në gjithçkanë e asaj që zien. Asaj që oshëtin. Asaj që përplaset gjëmimshëm. Asaj që rrëzohet dhe ngrihet… Besimit, bësimit në çfarë qiellorja derdhet duke marrë trajtën e gjendjes.
Është fatlum ai që ka lindur të ketë një sens të tillë perceptimi. Dhe ka bekimin e gjuhës, ai që i shndërron këto valë, në fjalë, dhe vetë tingullin shprehës të shpirtit në ritëm, në mëlodi, në refren, në këngën që mërmëritim. Jo çdo zë mund të këndojë, por ka prej atyre që kumbojnë, që kushtrojnë, që kërdisin botën, më gjëmimin e kraharorit të tyre. Poetja tek Bona Mulaj rreket ta bëjë këtë.
Të kthehemi tek teksti, te ligjërimi poetika, kujdesi i dukshëm i rregullit dhe strukturës, te muzikaliteti dhe ritmi, metafora dhe nënteksti, domethënia dhe qartësia e drejtpërdrejtë e mendimit dhe emocionit, e idesë dhe kumtimit.
Përgjithësisht tek libri, “A ke mall për pranverën?”, kemi të bëjmë me një varg të çliruar nga normat strikte dhe kodet akademike të shtjellimit të poezisë. Bona Mulaj e vlerëson lirinë e shprehisë poetike. Asaj i pëlqen rima dhe dialekti. Nuk frikësohet ngase rrezikon të nxjerrë jashtë suazës panoramën poetike. As nuk druhet të ndërfus impresionin vetiak brenda vargut e shkujdesjes ashtu në një cekje të atypëratyshme. Për të ka vetëm një rregull, të cilën ajo e ka një ligjësi të shndërruar në besim krijues. Të të shprehurit çiltërsisht të asaj që ndjen. Njëjtësisht siç atë e ndez në shpirt, ashtu e prush ajo edhe në varg. Fundja e çfarë tjetër është poezia?!
Humbjen e kohës për të gjurmuar kadencat e vargut, metrikën dhe sinkronizimin ritmit, ajo ia dedikon kthjellimit, çlirimit, davaritjes së asaj që ndjen, prej rregullave e pengimeve që lypin duke na “shpëtuar”, e duke na fshehur pas trillesh dhe tekash. Jo, për të është me ndi e me përjetu. Me shkru njaq pastërtisht, siç i jepet nevojës me ç’burgos prej shpirtit ato përjetime e ato gjendje që e trazojnë dhe e përpushin. Ngulmon ta bëjë këtë, jo duke dëshiruar për tu çliruar, por duke e parë shprehshmërinë poetike, si të nevojshem për tu rrëfyer, si për “fajet” ashtu edhe për hallet, si për mëkatet, ashtu edhe për pendimet, njëjtë edhe për gëzimet. Me shumë rëndësi për të është gjetja e një rrëfimtoreje, aq të devotshme, sa të meritojë këtë shpalim të shpirtit. Dhe poezia e rrokë këtë besim, poeti është i përuluri i dinjitetshëm i këtij altari, poetja tek Bona Mulaj-Lluka është ai shpirt gruaje i blatuar në shenjtërinë e krijimit, si flija më e lartë, dhe përulja më e përkorë. Poete beso te poezia, te forca që ka fjala, te vullneti që bart dashura… dhe lutu përmes saj, për gjërat që do me gjithë shpirt, ata për të cilat je gati të sakrifikohesh, sepse është ajo që ti beson, është poezia, ajo gjuhë me të cilën ti kërkon tu flasësh njerëzve, atyre që mund të dëgjojnë dhe ndjejnë ashtu sikurse edhe ti.