Kushtuar artit dhe kulturës: “Lis”, revista më e re në treg, që i sjellë lexuesit atë që i ka munguar

30 NËNTOR 2020

Revista “Lis”, është botimi më i ri në tregun shqiptar, që do i sjelli lexuesve atë që deri më tani thuajse ka munguar, kulturë dhe krijimtari.

Numri i saj i parë është botuar të shtunën e kaluar, dhe do të jetë në versionin print dy herë në muaj, ndërsa çmimi është vetëm 200 lekë të reja.

E ndonëse një revistë kulturore mund të tingëllojë si paradoksale, me situatën e pandemisë ku ndodhet vendi, Ervin Lera, Drejtori Ekzekutiv i kësaj reviste, thotë se në fakt, kjo është koha kur arti ka më shumë se çdo fushë tjetër për të shprehur.

“Është një revistë që do të promovojë artin shqiptarë dhe do të rikthejë lexuesin te letra. Letra ka magjinë  e vet dhe është e padiskutueshme. Në kohë krizash, arti ka më shumë se çdo fushë tjetër për të shprehur sepse ka dhe mesazhin që është shumë i rëndësishëm dhe është i pashmangshëm për t’u shprehur një mesazh në fund të çdo vepre. Tani është periudha më e mirë për të bërë krijimtari”.

E ndonëse qëllimi i kësaj reviste është rikthimi i lexuesit te letra, Revista “Lis” ka tashmë edhe faqen online, që mund të ndiqet nga kushdo duke klikuar në “lis.al”.

Në “Lis”, revista e vetme në treg dedikuar 100% artit dhe kulturës, lexuesit do të gjejmë editoriale, opinione, një hapësirë dedikuar letërsisë klasike, asaj bashkëkohore apo shqiptare, kinematografisë, teatrit, Nobelit e shumë rubrika të tjera që do të pasurohen javë pas jave.

Gazeta Shqip