26 Dhjetor 2025

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka komentuar sot zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te kërkesa e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Ndreu theksoi se ende nuk mund të thuhet me siguri nëse Balluku do të japë dorëheqjen, duke shtuar se kjo mbetet një mundësi e hapur.

“Kush tha që Balluku nuk do të japë dorëheqjen? Duhet durim. Edhe mund ta japë. Kam informacion që ajo e ka kërkuar disa herë dorëheqjen,” deklaroi Ndreu.

Ai theksoi gjithashtu se një nga problematikat kryesore lidhet me mënyrën e aplikimit të masave të sigurisë, duke lënë të kuptohet se arresti mund të përdoret si mjet presioni politik. Ndreu ngriti pyetjen se çfarë do të ndodhë në rast se Gjykata Kushtetuese vendos që Balluku duhet të vijojë detyrën e saj.

Kryebashkiaku i Lezhës theksoi se mazhoranca ka treguar korrektesë institucionale dhe hodhi poshtë pretendimet se ajo ka tentuar të pengojë hetimet e SPAK.

“Për asnjë rast nuk ka ndodhur që mazhoranca të pengojë hetimet. SPAK nuk ka qenë kurrë më parë kaq i pavarur në raport me një strukturë qeverisëse,” tha Ndreu.