Tani më ato janë të tilla ligjërisht, ashtu si edhe kalatë, kishat, xhamitë, urat, të shpallura monumente kulture.  Deri më tani boshe ligjërisht, kjo listë u mbush me kryeveprat e para, që në të vërtetë janë edhe elementet më përfaqësuese në llojin e vet, por edhe më të ekspozuara ndaj rrezikut të zhdukjes, apo deformimit. Ishte Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, i cili bëri të njohur këtë vendim të marrë nga Komiteti i Trashëgimisë Shpirtërore.

E para në listë është padyshim Isopolifonia, kryevepra e Shqipërisë së Jugut, e shpallur si pjesë e pasurisë botërore nga UNESCO, për të vijuar me “Bjeshkët e Namuna”, veriun e thellë, nga ku zbresin këngët kushtuar heronjve mitikë, Muji dhe Halili, pra “Eposi i Kreshnikëve”. Në këtë listë renditen gjithashtu dialektet gjuhësorë gege e toske.

Nuk mund të mbeten jashtë kësaj liste këngët e Shqipërisë së Mesme, por as ahengu shkodran. Por që një rapsod të këndojë trimëritë e jutbinasve të famshëm duhet me doemos lahuta. Kjo është arsyeja pse listës së “kryeveprave” i janë shtuar edhe mjeshtërit e punimit të veglave muzikore popullore, që nga lahuta, fyelli, daullja, bakllamaja, çiftelia, dajreja, etj. E së fundi, por jo më pak e rëndësishme në listë qëndron Vallja e vajzave dropullite, një nga ma të bukurat në tërësinë e folklorit koreografik. Sipas Ministrit Xhaferaj, “kjo listë e përzgjedhur do të depozitohet edhe pranë strukturave përkatëse të UNESCO-s, e cila do të ndiqet nga një plan veprimi me masa konkrete për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre”.

Prej vitit 2006, në bazë të ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, kultura materiale dhe ajo shpirtërore kanë të njëjtën rëndësi, por për gati katër vjet, kjo barazi mbeti vetëm në letër. Përkundër listës shumëemërore të pasurisë materiale, ajo shpirtërore nuk kishte asnjë syresh. Ndërsa tani kemi një listë konkrete, e cila është më përgjithësuese se ajo e monumenteve, pasi nuk është emërore (tek Isololifonia përfshihet një numër shumë i madh këngësh, apo tek Eposi i Kreshnikëve, këngët e Shqipërisë së Mesme, etj.). tanimë edhe ligji mund të flasë në mënyrë konkrete. Sipas muzikologut, akad.

Të mbrosh trashëgiminë shpirtërore, do të thotë të ruash vetë popullin, pasi është bartësi i kësaj pasurie”. Tanimë plotësohen të gjitha detyrimet e parashikuara në Konventën e UNESCO-s, ku Shqipëria, jo vetëm është palë, por në sesionin e radhës së Asamblesë së Përgjithshme të shteteve palë në këtë Konventë, vendi ynë u zgjodh me shumicë votash anëtare e Komitetit Ndërqeveritar për katër vitet e ardhshme. Gjithashtu përmbushen edhe detyrimet e Kartës së Diversitetit kulturor, që parashikon respektimin dhe mbrojtjen e pasurisë shpirtërore të pakicave etnike, duke iu referuar përfshirjes në këtë listë të valles së vajzave dropullite, tipologji e trashëgimisë shpirtërore të minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Shteti ka për detyrë të mbrojë e të promovojë origjinalin, çka do të thotë se tanimë nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë të përdorësh trashëgiminë shpirtërore për qëllime përfitimi. Kështu ka ndodhur deri më tani me isopolifoninë, apo edhe me këngët popullore të trevave të tjera, të marra, përpunuara e të shitura nga lloj-lloj zanatçinjsh të muzikës.

Lista

1. Isopolifonia popullore shqiptare – Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare, e shpallur “Kryevepër e trashëgimisë gojore dhe shpirtërore e njerëzimit”, UNESCO, 25 nëntor 2005.

2. Eposi i Kreshnikëve – Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Cikël këngësh legjendare, i shoqëruar me lahutë me në qendër dy vëllezërit Muji dhe Halili, i kënduar në Malësinë e Madhe, Dukagjin, Has, Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit, etj.

3. Dialektet gjuhësorë: dialekti gegë dhe ai toskë – Folklor gojor. Tipologji e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare.

4. Muzika popullore homofonike e Shqipërisë së Mesme (Tiranës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Krujës dhe  Beratit) – Folklor vokal, instrumental dhe koreografik.

5. Ahengu qytetar shkodran – Folklor vokal, instrumental dhe koreografik. Tipologji të trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare.. Ahengu bëhej natën e dasmës, ditën e martesës, mbrëmjen e kurorës deri në mëngjesin e ditës së nesërme.

6. Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore popullore – Zeje tradicionale, pjesë e trashëgimisë shpirtërore kombëtare shqiptare. Në rrugë artizanale në Shqipëri prodhohen vegla si gajde, fyelli, culë dyjare, çifteli, sharki, lahutë, dajre, daulle, etj.

7. Vallja e vajzave dropullite – Folklor instrumental dhe koreografik. Tipologji e trashëgimisë shpirtërore të minoritetit etnik grek, pjesë e diversitetit kulturor në Shqipëri.