Kush ishte Franc Miklosiç?

Franc Miklosiç (1813-1899) ishte filolog slloven, profesor në Universitetin e Vjenës, sllavist, ballkanolog e albanolog i njohur.

U mor gjerësisht në vitet 60-70 të shekullit të kaluar edhe me studimin historik të krahasuar të gjuhës shqipe dhe solli një ndihmesë me vlerë për të ndriçuar marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera.

Që në veprën e tij “Elementet sllave në rumanishten”, në të cilën shtroi edhe problemin e lidhjeve në mes gjuhëve ballkanike, u mor gjerë edhe me mjaft çështje të historisë së shqipes, me fjalët autoktone të përbashkëta të shqipes e të rumanishtes, me latinizmat e gjuhës sonë.

Pas vitit 1870 u mor me studimin historik të leksikut të shqipes. Botoi tre vëllime me titullin “Gjurmime shqiptare”.

Me studimet e tij sjell ndihmesa të rëndësishme edhe për fonetikën historike e për morfologjinë historike të shqipes.

G. Dita