12 Korrik 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për marrëveshjen për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë, Kurti sqaroi katër pikat e dakordësuara në Bratislavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti bëri me dije se qeveria e Kosovës është dakordësuar me BE-në të zvogëlojë praninë e policisë së Kosovës rreth ndërtesave komunale në veri si dhe të mbajë zgjedhjet të parakohshme në 4 komunat me shumicë serbe.

Gjithashtu ai njoftoi vijimin e dialogut në Bruksel për implementimin e të gjitha pikave të marrëveshjes.

Kurti thekson se zbaimi i pikave të dakordësuara do të arrihen pasi palët duhet ta pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe, sipas tij.

Gjithashtu ai nënvizon se marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe se zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet.

“Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.

Si përfundim besoj që dakordimi i Bratislavës do të ndihmojë shumë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve, që ndihmon zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe të Aneksit të saj”, tha Kurti.

4 pikat e dakordësuara në Bratislavë:

1-Qeveria e Kosovës e shpall publikisht gatishmërinë e saj për të punuar në drejtim të de-eskalimit të situatës, si dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të eskalojnë situatën në veri të vendit tonë. Kjo gjë nënkupton edhe reduktimin e menjëhershëm të 1/4 të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre. Pra, 25% e policëve do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka më shumë nevojë për ta, meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë.

2-Policia e Kosovës, në varësi të rrethanave, bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in do ta vlerësojnë gjendjen e sigurisë, me synimin që eventualisht të shihen mundësitë për zvogëlim të mëtejshëm të pranisë policore në ndërtesat komunale apo në afërsi të tyre. Kjo ishte kërkesë e jona që nga fillimi, duke qenë se sundimin e ligjit dhe qetësinë e sigurinë, i shohim si interes i përbashkët i të gjitha palëve.

3-Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku mbështetë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në ato komuna. Kjo do të ndodhë pas stinës së verës dhe natyrisht, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Ne me këtë rast kemi shprehur përkushtimin tonë që të sigurohet baza e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme komunale. Për ne, si Qeveri e Kosovës ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë me rëndësi që qytetarët e Republikës, kudo që ata janë, pa dallim, të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson siç duhet. Por për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, dhe që garanton paprekshmërinë e votës. Në këtë kontekst duhet të interpretohet edhe rëndësia që Qeveria jonë ia jep sundimit të ligjit në secilën pjesë të vendit. Nuk mund të bëjmë kompromis me sundimin e ligjit, sepse ajo do të cenonte rëndë demokracinë.

Ligji mbi politikën është definicioni adekuat i demokracisë në kontekstin tonë aktual.

4-Pika e fundit e dakordimit në Bratisllavë ka të bëjë me ftesën që Bashkimi Evropian do të dërgojë, për dy kryenegociatorët. Këta do të ftohen në Bruksel që të finalizojnë planin e sekuencimit, apo thënë ndryshe tabelën e implementimit, për Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve. Pas finalizimit të planit të sekuencimit do të fillojë menjëherë zbatimi i të gjitha neneve të Marrëveshjes.

Gazeta Sot