 
			Kryepiskopi Joan pritet në Selinë e Shenjtë nga Papa Leo XIV

31 Tetor 2025
Takim i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, z. Joan me Shenjtërinë e Tij, Papa Leo XIV
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, u takua me Shenjtërinë e Tij, Papa Leoni XIV. Ky takim historik u zhvillua në një audiencë private, pas pjesëmarrjes në Takimin Ndërkombëtar “Osare la pace”, të organizuar nga Komuniteti i Sant’ Egidios në Romë.
Në këtë takim vëllazëror u diskutua për çështje të ndryshme me interes të përbashkët dhe u theksua rëndësia e rivendosjes së paqes dhe ndalimit të luftrave që po mundojnë botën.
Diskutimi u ndal edhe në interesimin dhe përkujdesjen e veçantë ndaj të rinjve të cilët janë jo vetëm e ardhmja, por dhe e tashmja e shoqërive.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vazhdon të jetë e angazhuar për të pasur marrëdhënie miqësore dhe të hapura me të gjithë, duke ndikuar në harmoninë dhe mirëqenien e përgjithshme.
Ky takim historik dëshmon për përpjekjet e përbashkëta të të krishterëve si faktor kyç për paqen, në të cilin Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë luan një rol shumë të rëndësishëm. Në fund të takimit u shkëmbyen dhurata.

