
Kroacia bllokon ne dogane ngarkesën me pjeshkë nga Shqipëria
4 Shtator 2025
Një tjetër ngarkesë me produkte bujqësore shqiptare është bllokuar nga autoritetet evropiane për tejkalim të normave të lejuara të substancave të rrezikshme.
Këtë herë është Kroacia vendi që ka ndaluar në doganë një ngarkesë me pjeshkë të eksportuara nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përmbajtje të lartë të nikelit, një substancë e rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Lajmi është konfirmuar nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), i krijuar nga Bashkimi Evropian për të siguruar ndërveprim të menjëhershëm mes vendeve anëtare në rast rreziku për sigurinë ushqimore.
Në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e RASFF, thuhet se pjeshkat shqiptare janë klasifikuar si produkte me “risk potencial” për konsumatorin, duke shënuar Shqipërinë si vend origjine dhe Kroacinë si vendi që ka ndaluar hyrjen e tyre në treg.
Deri më tani nuk është bërë publik emri i kompanisë shqiptare eksportuese, dhe as zona e prodhimit të frutave. Autoritetet shqiptare nuk kanë dalë me asnjë reagim apo sqarim zyrtar, ndonëse rasti daton që në muajin gusht.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore ku fruta të eksportuara nga Shqipëria bllokohen nga vendet e BE-së. Vetëm pak muaj më parë, një ngarkesë me mandarina shqiptare u bllokua në disa vende të BE-së për shkak të nivelit të lartë të pesticideve të rrezikshme që, sipas ekspertëve, ndikojnë në zhvillimin e trurit tek fëmijët dhe shkaktojnë çrregullime të sistemit nervor.