Kosova përballet me përmbytje të reja
11 Janar 2026
Sipas te dhenave te dt. 10 janar vala e re e shiut që nisi në orët e mbrëmjes të së premtes dhe vazhdoi gjatë së shtunës ka shkaktuat sërish vërshime, që përmbytën shtëpi, biznese dhe bllokuan rrugë në disa pjesë të Kosovës. Nga to u përmbytën edhe institucione, përfshirë një qendër kryesore të mjekësisë familjare dhe njësi të termocentralit. Përkohësisht u mbyll për qarkullim një segment i rrugës Ferizaj-Prishtinë, ndërsa në atë Prishtinë-Pejë u krijuan kolona shumëkilometërshe shkaku i nivelit të ujit në Sllatinë
Ende pa u ulur niveli i ujit në disa lumenj dhe përrenj të Kosovës, ato dolën sërish nga shtrati, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që nisën në mbrëmjen e së premtes dhe vazhduan gjatë pothuajse gjithë ditës të shtunën.
Vala e re e ujit vërshoi shtëpi, biznese e fusha, ndërsa bllokoi edhe rrugë në komuna të ndryshme të Kosovës.
Në Drenas, dalja nga shtrati e lumit Drenica shkaktoi bllokimin e rrugës kryesore dhe krijoi kolona të gjata gjatë gjithë ditës, ndërsa uji vërshoi edhe në shtëpi dhe toka bujqësore përreth.
Rruga Drenas-Komoran është kaluar me vështirësi, ndërkaq sipas njoftimit të kryetarit Ramiz Lladrovci, të pakalueshme kanë qenë rrugët Drenas – Guri i Plakës, Drenas – Kroi i Mbretit, Shtrubullovë – Korroticë e Ulët, dhe Rruga që lidh Komoranin 1 me Komoranin 3.
Ai ka bërë apel që qytetarët të mos kalojnë në atë që njihet si “Ura e Senikëve” në drejtimin që lidh fshatrat Korroticë e Poshtme dhe Shtrubullovën, për shkak të gërryerjes së bazës së saj nga ujërat dhe dëmtimit të rrugës që lidh këtë aks.
“Personat që nuk respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet do ta bartin vetë përgjegjësinë. Policia e ka të pamundur të jetë e pranishme në secilën pikë”, ka shkruar ai. “Dalja në rrugë kërkon kujdes të shtuar dhe është i obligueshëm respektimi i ndalimit të qarkullimit kur vendi është i ndërprerë me shirit”.
Sipas njoftimit të komunës, ekipet emergjente kanë inspektuar vendet që ishin kritike gjatë javës kur ndodhi përmbytja e parë dhe “u siguruan që gjendja të stabilizohet, përfshirë edhe pastrimin e rrugëve kryesore nga bora”.
“Janë vizituar disa familje që u prekën nga situata dhe ato u mbështetën me pako ushqimore falë donatorëve. Pakot ushqimore u dhanë për familjet që kishin më shumë nevojë”, thuhet në njoftim.
Nga shtrati, në disa pjesë, ka dalë edhe lumi Mirusha, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim në shumë zona të komunës së Malishevës. Megjithëkëtë, autoritetet lokale e kanë vlerësuar situatën të menaxhueshme.
Gjatë ditës, vështirë të kalueshme kanë qenë rruga “Hamdi Berisha” në Malishevë, transiti afër lagjes Hoti, rruga Malishevë-Banjë, rruga Mirushë-Gurbardh, rruga Lubizhdë-Turjakë, ura në Lubizhdë, një urë në një lagje të fshatit Damanek, si dhe rruga për në fshatin Panorc, ku në dy segmente ka pasur prezencë të ujit.
Vështirësi qarkullimi ka pasur edhe në rrugë nacionale.
Si pasojë e akumulimit të ujit, Policia gjatë ditës e bllokoi përkohësisht për qarkullim një segment të rrugës Ferizaj-Prishtinë.

“Për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugën nacionale Ferizaj-Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i ‘Prishtina Mall’ në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i ‘Marigona’ në drejtim të Ferizajt, në koordinim me zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugës, është marrë vendim që të bllokohet plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar”, thuhet në njoftim.
Reshjet kanë rënduan qarkullimin e automjeteve në rrugë të tjera kryesore.
Kolona disakilometërshe u krijuan në të dyja kahet e magjistrales Prishtinë-Pejë, shkaku i nivelit të ujit në Sllatinë, te kyçja për aeroport.
Reshjet e fuqishme të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut në disa zona të Prizrenit.
Kjo komunë ka njoftuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë, në bashkëpunim me operatorët e kontraktuar, kanë ndërmarrë veprime për normalizimin e qarkullimit dhe parandalimin e rreziqeve të mundshme për qytetarët.
“Rrëshqitje të dheut janë evidentuar në fshatrat Gjonaj, Tupec, Randobravë, Lubinjë të Epërme e të Poshtme, Lokvicë, Piranë, Zojz dhe Sërbicë, që kanë rrezikuar rrugë dhe prona private, me ç’rast ekipet po punojnë pandërprerë për ta hapur qarkullimin”, thuhet në njoftimin e komunës. “Autoritetet lokale po monitorojnë nga afër gjendjen dhe u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe ta shmangin lëvizjen në zonat e rrezikuara”.
Situatë e vështirësuar në rrugë ka qenë edhe në Komunën e Gjilanit, ku qytetarëve iu kërkuan t’i shmangin përkohësisht rrugën për Kufcë në Malishevë, rrugën ndërmjet dy Livoqëve, si dhe magjistralen Gjilan-Ferizaj në zonën e udhëkryqit të rrugës së Cërnicës.
Edhe në Suharekë, u bë thirrje për kujdes gjatë kalimit në disa rrugë të vërshuara.
“Rruga që kalon nga fshati Tërrnje në drejtim të Nëpërbishtit është e bllokuar. Rruga që shkon nëpër bjeshkë është e bllokume. Unë apeloj te qytetarët me pas kujdes. Ftojmë inspektorët me ardhë dhe vendos shiritat. Ne jemi në terren bashkë me ekipin e zjarrfikësve”, ka thënë Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Suharekës.
Në Mitrovicë, bodrumi i objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është përfshirë nga uji. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë të ditur se janë angazhuar ekipet për ndërhyrje operative, duke përdorur pompa me kapacitet të lartë të siguruara nga AME-ja, si dhe pompat operative të NJPZSH-Mitrovicë.
Në Mitrovicë, në kompleksin “Amina” është evakuuar një familje.
AME-ja ka bërë të ditur se edhe menaxhmenti i Termocentralit Kosova A në orët e mëngjesit ka kërkuar intervenim urgjent për pompë thithëse me kapacitet të madh, shkaku i vërshimeve.
Nga reshjet është prekur edhe Prishtina.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka bërë të ditur se ekipet emergjente, në bashkëpunim me Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Investimeve Kapitale, Ndërmarrjen Gjelbër dhe kompanitë kontraktuese të kryeqytetit, kanë qëndruar në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe kanë intervenuar njëkohësisht në 7 raste.
Sipas AME-së, në rajonin e Prishtinës, ka pasur vërshime në rrugën “Rifat Berisha” në “Kodër të Diellit” dhe në fshatin Hajvali, në rrugën “Brigada 153”. Në Lipjan vërshime ka pasur në fshatin Smallush, përkatësisht te rruga “11 Qershori”, në Shtime vërshimet kanë përfshirë rrugën Shtime-Reçak e në Graçanicë është vërshuar një objekt afarist.
Edhe Komuna e Obiliqit ka bërë të ditur se ekipet emergjente kanë dalë në terren për sanimin e situatës së krijuar si pasojë e reshjeve dhe vërshimeve. Janë zhvilluar ndërhyrje me mjete të rënda për largimin e ujit, pastrimin e rrugëve dhe stabilizimin e infrastrukturës së dëmtuar, me qëllim rikthimin e normalitetit sa më parë.
“Lusim qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të shmangin zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përkatëse deri në përmirësimin e plotë të situatës”, është thënë në njoftimin e komunës.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe gjatë së dielës, ndërsa java e ardhshme do të karakterizohet me rënie të temperaturave dhe me paraqitje të acarit.
E, ndonëse janë shkaktuar përmbytje e edhe janë ndërprerë për qarkullim rrugë pas reshjeve të pandërprera gjatë së shtunës, AME-ja e ka vlerësuar situatën stabile dhe të menaxhueshme.
Sipas raportit të përditësuar të kësaj agjencie, pas rënies së intensitetit të reshjeve, në shumicën e rajoneve është vërejtur përmirësim i dukshëm i gjendjes, me rënie graduale të nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj.
“Situata paraqitet stabile dhe e menaxhueshme. Rreziku kryesor aktual lidhet me reshjet e borës, ngricat në rrugë, vështirësitë në qarkullim. Nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës”, thuhet në njoftimin e AME-së.
Reshjet gjatë gjithë javës kanë shkaktuar përmbytje në shumë rajone, duke shkaktuar dëme edhe në infrastrukturë. Janë prishur rrugë e është raportuar edhe për ura të shembura.
Ministria e Mjedisit ka bërë të ditur se një numër ekipesh janë angazhuar për të intervenuar aty ku dëmet janë më të mëdha.
“Ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe borës, janë shkaktuar disa vërshime të cilat kanë prodhuar probleme në disa rrugë të Kosovës. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve deri në sanimin e plotë të këtyre problemeve dhe, nëse është e mundur, të evitohet qarkullimi i panevojshëm në këto pika”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Krahas në infrastrukturë publike, dëme janë shkaktuar edhe në ekonomi familjare e biznese. Komunat kanë nisur evidentimin e dëmeve.
“Qytetarët kanë filluar me paraqitjen e kërkesave për vlerësimin e dëmeve. Në vazhdim, tri komisionet në terren do të merren me regjistrimin e dëmeve në ekonomitë familjare, biznese dhe në sektorin bujqësor. Po ashtu, dëmet infrastrukturore janë vlerësuar dhe pritet që së shpejti të realizohen përmirësimet e nevojshme”, thuhet në një njoftim të Komunës së Drenasit.
Por, komunat kanë raportuar mungesë buxheti për kompensim.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh midis nivelit qendror dhe atij lokal. Ai ka theksuar nevojën për krijimin e një fondi emergjent për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga vërshimet.
“Kemi rastin se në disa komuna ende nuk është bërë rimbursimi i bizneseve apo bujqve që kanë qenë të prekur nga vërshimet nga vitet e kaluara dhe për këtë arsye ne si Asociacion po mendojmë që krijimi i një fondi emergjent për emergjenca në nivel lokal është i domosdoshme”, ka thënë Ibrahimi.
Vërshimet e datës 7 dhe 8 janar përfshinë Gjakovën, Malishevën, Rahovecin, Drenasin, Skenderajn, Klinën, Hasin e Prizrenit, Fushë-Kosovën dhe Mitrovicën e Jugut, si dhe komunat e veriut.
Në Kosovë, afro 50 për qind e territorit klasifikohet si zonë me rrezik të lartë ose shumë të lartë për rrëshqitje dheu pas vërshimeve, tregon drafti i Strategjisë së qeverisë për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike për periudhën 2026-2036.
Më të rrezikuara janë komunat perëndimore dhe jugore, ku rreth 1.3 për qind e popullsisë dhe 1.35 për qind e zonave të ndërtuara parashikohet të mbeten të ekspozuara nga ky rrezik deri në vitin 2030.
“Rreth 47.9 për qind e territorit të Kosovës klasifikohet si zonë me rrezik të lartë ose shumë të lartë për rrëshqitje dheu, sidomos në komunat perëndimore dhe jugore. Vlerësimet ekonomike tregojnë humbje mesatare vjetore nga përmbytjet rreth 58 milionë dollarë amerikanë, ndërsa projeksionet sinjalizojnë rritje të humbjeve nën të gjithë skenarët e ardhshëm klimatikë. Modelet makroekonomike sugjerojnë se, në mungesë të masave të adaptimit, rreziqet klimatike mund të ulin Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit deri në 5.1 për qind deri në vitin 2050. Këto ndikime burojnë kryesisht nga përmbytjet lumore, efektet e thatësirës në bujqësi dhe stresi termik mbi produktivitetin e punës”, shkruan në draft-strategji.
Problemi kryesor që përballet vendi është intensiteti dhe paqëndrueshmëria gjithnjë në rritje e rreziqeve klimatike që variojnë nga të nxehtit ekstrem dhe përmbytjet, deri te thatësia, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e dheut. Siç shkruan në draft, këto i tejkalojnë kapacitetet ekzistuese të menaxhimit të rrezikut në Kosovë.
Komunat më të ekspozuara ndaj përmbytjeve të shpeshta konsiderohen Mitrovica, Vushtrria, Podujeva dhe pjesërisht Skenderaj. Po ashtu, rrezik i dukshëm është evidentuar në pellgun e Lepencit (Ferizaj dhe Lipjan), ku urbanizimi dhe aktivitetet industriale janë zhvilluar në afërsi të shtretërve të lumenjve.
“Ky zhvillim paraqet një kërcënim të konsiderueshëm për zhvillimin afatgjatë socio-ekonomik të vendit dhe aftësinë e tij për të mbrojtur komunitetet dhe infrastrukturën. Gjatë pesë dekadave të fundit, të dhënat klimatike tregojnë një trend të qëndrueshëm ngrohjeje prej rreth 1.2 °C, ku çdo dekadë e re është më e ngrohtë se e mëparshmja. Valët e të nxehtit janë bërë më të gjata dhe më intensive, me një numër gjithnjë e më të madh ditësh që tejkalojnë 35 °C, veçanërisht pas vitit 2000”, thotë dokumenti.
Në Draft-strategji thuhet se modelet e reshjeve janë bërë më të parregullta, të karakterizuara nga periudha të zgjatura thatësie gjatë verës dhe rritje të reshjeve të shkurtra me intensitet të lartë.
“Vlerësimet hidrologjike tregojnë se rreth 491 kilometra të lumenjve të Kosovës përballen me rrezik të shpeshtë përmbytjeje, ndërsa përmbytjet e mëdha kombëtare në vitet 2013, 2014 dhe 2016 kanë shkaktuar dëme që arrijnë miliona euro. Vetëm në janar 2023, përmbytjet e rënda në Skenderaj shkaktuan dëme të vlerësuara në rreth 12 milionë euro”, thuhet në dokument.
Sipas një raporti të Bankës Botërore, në Kosovë përmbytjet prekin mesatarisht rreth 10 mijë persona çdo vit.

