3 Prill 2026

Një ditë pas përplasjeve të ashpra në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës, ka reaguar deputetja e PS, ish Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila konsideron atë si një krizë që tejkalon tensionet politike dhe prek vetë funksionimin e Republikës Parlamentare.

Sipas saj, zhvillimet e fundit në Kuvend nuk tregojnë thjesht përplasje politike, por një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë dhe vendimmarrje efektive.

Spiropali thekson se konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e politikës, por problematika aktuale qëndron tek fakti se “konflikti banal po zëvendëson funksionin”.

“Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim. Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare”, shkruan Spiropali.

Spiropali thekson se rreziku më i madh nuk është vetëm një Parlament i dobët, por një sistem që mbetet thjesht në formë, pa përmbajtje. Ajo rikujton se standardet evropiane kërkojnë institucione që funksionojnë realisht dhe jo vetëm ekzistojnë formalisht.

“Një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi. Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje. Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë”, mbyll postimin Spiropali.

Gazeta Panorama