17 Korrik 2026

Komisioni Europian ka ngritur shqetësime për nivelin e ekspozimit ndaj korrupsionit në disa sektorë kyç të administratës publike në Shqipëri, duke theksuar se masat parandaluese duhet të jenë më të fokusuara dhe më efektive.

KE – Raporti

Në raportin e tij për sundimin e ligjit, KE vlerëson se Shqipëria ka miratuar një kuadër të strukturuar për identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit, por nënvizon se disa fusha vijojnë të mbeten veçanërisht të prekshme.

Sipas dokumentit, sektorët me rrezikun më të lartë të korrupsionit janë shëndetësia, arsimi, prokurimi publik, partneritetet publike-private, organet ligjzbatuese, prona, administrata tatimore dhe doganat.

“Disa sektorë vazhdojnë të konsiderohen veçanërisht të ekspozuar ndaj korrupsionit, në veçanti shëndetësia, arsimi, prokurimi publik, partneritetet publike-private, organet ligjzbatuese, prona, administrata tatimore dhe doganat”, thotë KE, ndërsa evidenton mungesë transparence, veçanërisht sa i përket dhënies së statusit të investitorit strategjik.

“Transparenca e procedurave të prokurimit publik, veçanërisht në partneritetet publike-private, mbetet e kufizuar”, thuhet në raport, ndërsa theksohet se ndërhyrja politike vijon të jetë një problem që kërkon masa më të forta mbrojtëse.

Sipas raportit, rreziqe të korrupsionit vazhdojnë të ekzistojnë në procedurat e prokurimit në sektorë si digjitalizimi, infrastruktura dhe projektet e financuara nga Bashkimi Europian.

“Megjithëse është miratuar dhe zbatuar një kuadër i strukturuar për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në disa sektorë me rrezik të lartë, nevojiten masa parandaluese më të targetuara. Disa sektorë vazhdojnë të konsiderohen veçanërisht të ekspozuar ndaj korrupsionit, në veçanti shëndetësia, arsimi, prokurimi publik, partneritetet publike-private, organet ligjzbatuese, prona, administrata tatimore dhe doganat. Integriteti i biznesit mbetet një fushë që kërkon vëmendje të veçantë.

Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në ndërmarrjet shtetërore ose pjesërisht shtetërore, të cilave u janë besuar përgjegjësi të rëndësishme publike, përfshirë procedurat e prokurimit publik në sektorët e digjitalizimit dhe infrastrukturës, si dhe në projektet që financohen nga Bashkimi Evropian. Transparenca e procedurave të prokurimit publik, veçanërisht në partneritetet publike-private, mbetet e kufizuar, sidomos sa i përket dhënies së statusit të investitorit strategjik. Ndërhyrja politike vazhdon të jetë e përhapur dhe kërkon vendosjen e garancive më të forta.

Strategjia e re Kundër Korrupsionit përqendrohet në sektorët më të ekspozuar ndaj rrezikut, veçanërisht infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat e pronësisë, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë dhe prokurimin publik.

Zbatimi efektiv i saj, i orientuar drejt rezultateve, me mekanizma të fortë monitorimi dhe koordinim institucional, duhet të vazhdojë. Në prill 2025 u miratua metodologjia për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në sektorin publik, duke krijuar një kuadër të strukturuar për identifikimin dhe minimizimin e rreziqeve të korrupsionit në institucionet publike.

Gjatë periudhës së raportimit, vlerësime të rrezikut janë kryer ose kanë nisur në disa sektorë me rrezik të lartë, përfshirë prokurimin publik, shëndetësinë dhe sektorin e pronës. Pas vlerësimit të kryer në sektorin e pronës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës miratoi Planin e Integritetit 2025–2027, i cili parashikon masa parandaluese të synuara” thuhet në raport.