Koka, Bllako, Rakipi: – A është “moralisht e rrëzuar” maxhoranca me 74 mandate e Edi Ramës?

– 20.04.22

I ulur në një tryezë të një lokali të thjeshtë fshati, në mes të disa banorëve që e dëgjonin gojëhapur, Edi Rama kërkoi një stilolaps. Papritur nisë të shkruajë mbi mbulesën e letrës dhe sytë e të pranishmëve u ngulitën aty.

“Po e lë të shkruar parashikimin tim. Më 25 prill do të marrim 74 deri në 78 mandate. Ja po e firmos këtu. Memorandumi i Kuvendit zakonor, Kuç!”

Ishte 10 prilli 2021. Edi Rama vizatoi mbi mbulesën e letrës së tryezës së një lokali në Kuç, profecinë e saktë për rezultatin e zgjedhjeve. Rreth dy javë më pas, kur kutitë e para nisën të numërohen, Shqipëria e kuptoi se Edi Rama kishte fituar mandatin e tretë qeverisës. Një rekord absolut në historinë e pluralizmit.

Një parashikim i saktë: ajo u konfirmua pikërisht me 74 mandate. Duke shtuar edhe 3 mandatet e fituara nga PSD-ja e Tom Doshit, shumica e mandatit të tretë dukej e super-konsoliduar me 77 mandate.

Surprizat nisën që ditën e parë pas zgjedhjeve.

Më 26 prill 2021 Tom Doshi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, megjithëse ai kishte kandiduar i pari në Tiranë dhe Shkodër. Doshi nuk e sqaroi veprimin e tij, por ambasadorja amerikane, Yuri Kim e përmendi më shumë se një herë emrin e tij, si person i shpallur i padëshirueshëm nga SHBA.

Doshi nuk hyri në parlament dhe formalisht PSD mbeti e pavarur, por “de facto” një mbështetëse e maxhorancës së PS. Këtë mbështetje e ka treguar dhe vazhdon ta tregojë me votë “pro” për nismat e qeverisë. Fundja, Ramës i duhen votat dhe mandatet, jo logoja dhe historia e PSD.

Precedenti “Doshi” u pasua nga surpriza të tjera.

Ende pa u konstituuar parlamenti i ri, në 1 shtator 2021, deputeti Lefter Koka dha dorëheqjen nga mandati.

“Rrugëtimin tim politik do ta vazhdojnë të tjerë”, tha publikisht Koka.

Ç’sens ka që kandidatë për deputetë si Doshi e Koka të lodhen disa javë në fushatë, të investojnë para dhe energji, dhe në fund, pasi fitojnë mandatin e deputetit, refuzojnë ta marrin atë?

Me gjasë, kjo ishte një skemë e mirëmenduar më herët dhe jo një surprizë për Edi Ramën.

Pa mbushur 5 muaj nga nisja e mandatit të tretë, në mes të dhjetorit të 2021, deputeti i Partisë Socialiste Lefter Koka u arrestua me akuzën për korrupsion.

Pak javë më parë, të njëjtin fat pati deputeti i Tiranës, Alqi Bllako. Të dy akuzohen nga SPAK si të përfshirë në aferën e inceneratorëve.

“Të papriturat” e hidhura për Ramën nuk mbaruan këtu.

Pak ditë më parë, SHBA njoftoi sanksione ndaj ish-deputetit të PDIU, Aqif Rakipi, me akuzën e lidhjeve me grupe kriminale.

Rakipi vetë nuk kandidoi në zgjedhjet e fundit, por djali i tij, Ornaldo Rakipi dhe një i afërm tjetër, Saimir Hasalla janë aktualisht deputetë të Partisë Socialiste.

Kanë kaluar vetëm 8 muaj nga nisja e mandatit të tretë dhe maxhoranca e Edi Ramës është tronditur seriozisht. Ndoshta jo ligjërisht, pasi i ka ende votat në Kuvend. Zgjedhja e presidentit të ri do ta vërtetojë këtë.

Por, nga pikëpamja etike, maxhoranca e sotme mund të quhet “e rrëzuar”. Ata që i dhanë votat Edi Ramës për mandatin e tretë, ose gjenden në burg, ose janë detyruar të dorëzojnë mandatet, ose janë në shënjestrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë sallatë “non-gratash”, përgjimesh, aferash korruptive dhe dosjesh hetimore, përbetimet e Ramës me “reformë” dhe “drejtësi” e humbasin efektin. Ideja se kupola e PS është e gatshme të bëjë gjithçka për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit, pavarësisht sa legale e morale është kjo gjë, po çimentohet çdo ditë e më shumë në mendjet e njerëzve.

Mbledhjen e famshme të Kuçit, ku profetizoi fitoren e 74+ mandateve, Edi Rama e mbylli me një batutë.

“Ja ku e keni memorandumin e shkruar. 74-78 mandate. E firmosur nga unë dhe nga Damiani, noteri i tërmeteve”, buzëqeshi ai duke iu referuar përgjimeve të dosjes 339 të prokurorisë, ku Damian Gjiknuri fliste për “tërmet” dhe “çuna problematikë” në zgjedhjet e Dibrës.

“Tërmeti” ndodhi. Rama fitoi mandatin e tretë. Por, siç thotë shkenca e sizmikës, ndonjëherë paslëkundjet mund të jenë fatale.

Gazeta Shqiptare