Kanioni i Antelopes, mrekullia e shkretëtirës amerikane

15 Shkurt 2026
Kanioni Antelope është një ndër mrekullitë e natyrës. Është i njohur mbi të gjitha për ngjyrat e jashtëzakonshme, por mbart edhe shumë informacione të tjera po aq të bukura e të rëndësishme.
Kanionet konsiderohen të shenjta për popullsinë Navajo, duke përfaqësuar një katedrale të pushtetit të natyrës. Gjendet në brendësi të rezervës natyrore indigjene Navajo, që e gjithë ndodhet mes Arizonës, New Mexico dhe Utah.

Ky kanion përbëhet nga shkëmbinj që janë formuar rreth 190 milion vjet më parë, antikë sa dinozaurët. Antelope Canyon është sot kanioni më i vizituar në SHBA, pra gryka e krijuar nga erozioni i erës dhe ujit. Gjendet në tokë Navajo, pranë Page në Arizona. Përbëhet si strukturë nga 6 seksione të ndara dhe panoramike kanionesh. Kanioni Antelope i Sipërm dhe ai i Poshtëm janë më të famshmit. Nga gjuha Navajo, vendasit lokalë e quajnë të parin Tse’bighanilini, që do të thotë “Vendi ku uji rrjedh përmes shkëmbinjve”, ndërsa emri në anglisht dhe si njihet në mbarë botën e ka marrë nga antilopat Pronghorn që popullojnë zonën gjatë stinës së dimrit.

Ndërsa i poshtëmi, në gjuhën vendase do të thotë “Harqet e shkëmbinjve spirale”. Upper Antelope Canyon është i gjatë 270 m, dhe duke vijuar më tej për rreth 5 km, pranë liqenit, erozioni ka penetruar terrenin duke prodhuar, ndër miliona vite, Antelope Canyonin e poshtëm.
Të dy këto kanione, ku era dhe uji ndër kohëra i kanë gërvishur duke krijuar këto mrekulli, përfshihen nga përmbytje të befasishme në momente të caktuara të vitit, nga të ashtuquajturat Flash Flood, që provokohen nga reshje shiu të rrëmbyeshme e të menjëhershme.
Tonalitetet e së kuqes, portokallisë, rozës vibruese në muret e kanionit janë krijuar nga oksidimi i mineraleve, kryesisht hekurit. Si pasojë, falë edhe formave të shkaktuara nga gërvishtja dhe erozioni nga përmbytjet dhe era, dhe dritës si bie dhe thyerjeve të saj, krijohet një spektër ngjyrash në evolucion të vazhdueshëm.

Kanionet kanë edhe një tjetër veçanti: pushteti i tingullit, që për nga format që kanë, krijon thellësi dhe efekte të ajrit e tingullit të veshura me mistere. Një tjetër veçanti është se nuk duhen prekur, pasi janë shumë të çmuar dhe delikate. Lagështira dhe yndyra e lëkurës njerëzore mund të përshpejtojnë erozionin dhe, për më tepër, simbolika shpirtërore e tribuse Navajo bën që respekti ndaj këtij rregulli të nderojë natyrën, por edhe shenjtërinë e vendit.
Dy kanionet janë me famë botërore edhe për diçka që në fakt godet shikimin. Ngjyrat, format, drita dhe efektet që krijon bëjnë që të jenë ndër atraksionet kryesore në botë për fotografët dhe të apasionuarit e këtij arti. Këtu është shkrepur edhe “Phantom”, fotografia më e shtrenjtë në botë. Mendohet se është shitur për 6.5 mln $ fotoja ikonike e Peter Lik, e cila është shkrepur në brendësi të Upper Antelope Canyon, tek Kanioni i Sipërm. Blerësi është anonim, por fotoja me rrezen e dritës në qendër është vërtet një vepër arti.
E gjithë zona, monument natyre, ka një sipërfaqe prej 71 mijë km², dhe u shpall e tillë që në vitin 1868.
Navajo Nation përfshin një ndër mrekullitë natyrore e gjeologjike më të famshme në botë, përfshirë këtu Monument Valley. E gjithë zona afër Antelope Canyon është e mbushur me surpriza. Liqeni Powell dhe perimetri përreth ofron mundësinë për të admiruar disa prej bukurive më të mëdha të kohës dhe forcës së natyrës. Gjendet edhe një formacion shkëmbor, që si pasojë e forcës së erës e ujit është modeluar në formën e një vale, e kuqe sipas dheut të kuq, dhe pikërisht nga kjo ka marrë edhe emrin, The Wave.
Ndërsa Liqeni artificial Powell është ai që shton pamje të tjera marramendëse e të pazakonta. Liqeni artificial Powell është i krijuar mbi lumin Colorado që rrjedh në këtë zonë, me ndërtimin e digës së Glen Canyon. I gjatë rreth 300 m, pozicionohet në kufirin mes shteteve të Arizonës dhe Utah. Ujërat e këtij liqeni janë të kristalta dhe mund të arrijnë rreth 170 m thellësi, me 3,057 km breg, dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 658 km². Ky liqen është krijuar nga njeriu, dhe dëshmi e gjallë se veprat artificiale nuk janë gjithmonë në konflikt me natyrën që i rrethon. Ngjyra, forma dhe madhështia e asaj që shohin sytë shtojnë edhe më shumë bindjen se kjo zonë është një ndër vendet më të bukura të planetit Tokë.
Gjithnjë në të njëjtën zonë, një tjetër teatër ngjyrash e formash shtrihet në 300 m lartësi, Horseshoe Bend, spektakël mes realitetit e fantazisë me forma të çuditshme, ku ngjyrat e forta portokalli, e kaltra e qiellit dhe blu vijojnë të dominojnë imazhin.
Dhe në të shtrihet Harku i Gurit Rozë, ose Rainbow Bridge, një hark natyral i lartë 85 m, që transmeton një ndjesi mes paqes dhe të shenjtës.
E gjithë kjo është një ndër zonat më të rralla, të bukura, misterioze të Tokës, dhe peizazhet dhe loja e ngjyrave dhe dritës, dritë-hijeve, e bëjnë të jetë ndër më sugjestionueset.
