Jozefina Topalli

Jozefina Topalli kthehet në PD. – Sulmon Bashën se la vendin pa opozitë

– 30.04.22

Jozefina Topalli është rikthyer në Partinë Demokratike me kërkesat për një opozitë të fortë dhe me akuzat ndaj Lulzim Bashës, të cilin e sulmoi indirekt se ka lënë vendin pa opozitë.

“Sot është një moment kur PD-ja duhet të kthehet te vetja e saj dhe unë kam shumë besim që ajo do ta bëjë. Nuk është hera e parë që jemi gjendur në vështirësi. Shumë herë ka kaluar momente të vështira. Në përgjithësi nuk jemi tërhequr. Kemi thënë atë që kemi besuar dhe jemi hedhur në besimet tona, është rasti për ta bërë.

Ndoshta mund të them një gjë, që dhe pa qenë në krye të PD-së dhe pa qenë deputete, njeriu duhet të gjejë forcën për të thënë të vërtetën e tij. Të vërtetat janë liria e gjithsecilit. Jemi në një kohë që duhet të bëjmë beteja të vërteta”, tha Topalli.

Lidhur me mungesën e disa deputetëve, ajo tha që e rëndësishme që bashkimi të bëhet mbi vlera, te njerëzit e thjeshtë, tek ata që kërkojnë një opozitë reale. “Ky është dëmi më i madh, nuk ka dëm më të madh për një vend se ta lësh pa opozitë, ose të kesh një opozitë farsë. Sot është dita për të bërë kthesën dhe prandaj jam sot këtu”, tha Topalli.

Topalli u la jashtë listave të deputetëve në vitin 2017 me një vendim personal të Lulzim Bashës. Në zgjedhjet e 25 Prillit, ajo krijoi partinë e saj me të cilën nuk mundi të zgjidhej deputete.

Gazeta Shqiptare