“Jam dhe do jem socialist, por Rama është një turp për të majtën”

21, gusht 2019

Në një prononcim për mediat, Arbis Vjerdha, një prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, shprehet se këshilli është një turp, te i cili, fatkeqësisht, ishte i detyruar të marrë pjesë.

Në një prononcim për mediat publikuar nga mediat lokale, ai ka shprehur pakqënaqësitë e tij në lidhje me këshillin bashkiak në Shkodër. Në fakt, ndër të tjera, Vjerdha, ish-sportist me disa tituj uron që ky Këshill ta ketë jetën sa më të shkurtër.

Prononcimi i Vjerdhës:

“Ishte një turp që fatkeqësisht duhej të merrnim pjesë. Ajo zyrë nuk shihet me sy, një këshill i bërë si kur jemi në ’36-ën, nëpër bira dhe nëpër skuta.

Më bëri përshtypje fjala ‘betohem’, mendoj se disa njerëz kanë probleme me nderin e tyre, me intelektin dhe mënyrën se si janë zgjedhur. Kjo është lindja e një fëmije të vdekur. Ky këshill nuk e ka jetën e gjatë pasi është ilegjitim dhe unë jam shumë i kënaqur me këtë fakt.

Unë kam qenë gjithë jetën socialist dhe do të jem socialist… Por ky këshill sot ishte pjesa e turpshme e të majtës shkodrane dhe shqiptare. Rama duhet të zhduket një sahat e më parë, bashkë me modelin e Rilindjes që na ka instaluar…

Rama nuk ka promovuar askënd përveçse një kampioni. Unë jam Arbis Vjerdha dhe ai më ka promovuar si sportist pasi i ka leverdisur që një kampion të jetë në anën e tij. Unë jam vetëm një person, ndoshta edhe i zhytur në politikën e majtë, por do të mundohem t’u hap sytë dhe t’u tregoj edhe të tjerëve se nga kush rrethohen.

Nuk ka asnjë lloj kompromisi që më bën të jem pjesë e një Këshilli Ilegjitim. Ishalla e ka jetën sa më të shkurtër.

Sot pati një përpjekje për të më lënë jashtë votimit, por u thashë prerë ‘këtu më keni, sepse kam ardhur me forcat e mia deri këtu’.

Do të jem një zë i mbytur por do të jem aty. Do shfrytëzoj të drejtat që më jep këshilli për të shkuar në instance më të larta”.

Një ditë më parë mes tensioneve u konstituua Këshilli Bashkiak i Shkodrës, që zgjodhi kryetare Brisela Kadian.

Gazeta Dita