
Izraeli vijon sulmet në Gaza, 38 të vrarë gjatë orëve të fundit! Trump: – Po zhvillojmë bisedime produktive për të arritur një marrëveshje
27 Shtator 2025
Të paktën 38 persona janë vrarë që nga agimi nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, 25 prej të cilëve në qytetin e Gazës. Në këtë zonë, ushtria izraelite ka nisur kohët e fundit një operacion të ri për pushtim, me qëllim, sipas tyre, eliminimin e të gjithë terroristëve të Hamasit.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, në një postim në Truth Social, ka bërë me dije se po zhvillohen bisedime produktive për Gazën, në të cilat, sipas tij, janë përfshirë të gjithë vendet e rajonit të Lindjes së Mesme. Trump thekson se e rëndësishme është që ka vullnet për të arritur një marrëveshje.“Është një nder të jesh pjesë e këtyre negociatave. Duhet t’i kthejmë pengjet dhe të sigurojmë një paqe të qëndrueshme”, ka shkruar mes të tjerash Trump.
Sulmet izraelite po vrasin çdo ditë civilë, ndërsa kriza humanitare është përkeqësuar. Shumë vende Perëndimore, mes të cilave, Franca, Britania e Madhe, Kanadaja, Portugalia etj, njoftuan njohjen e Palestinës si shtet, një veprim që Izraeli e cilësoi si një “shpërblim” ndaj Hamasit.
Një ditë më parë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahi mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke e quajtur njohjen e Palestinës si një turp. Ai tha se ky vendim ishte një “vetëvrasje kombëtare” për Izraelin dhe “një çmenduri që nuk do ta bëjnë”.
Por gjatë fjalës së tij, një pjesë e madhe e liderëve u larguan nga salla, në shenjë proteste për atë që po ndodh në enklavën palestineze.