8 Shtator 2026

Qytetarët e Fushë-Arrëzit u helmuan një javë më parë nga uji i pijshëm. Lajmi konfirmohet nga Instituti i Shëndetit Publik, pas kryerjes së analizave laboratorike, duke e klasifikuar ngjarjen si shpërthim me transmetim hidrik, si pasojë e moszbatimit korrekt të praktikave higjieno-sanitare që garantojnë cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm.

Sipas raportit, gjatë periudhës 24 gusht–3 shtator 2026, në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz janë paraqitur 139 persona me shenja gastrointestinale. Prej tyre, 128 raste, ose 91.7%, janë banorë të Fushë-Arrëzit, me përqendrim të rasteve kryesisht në lagjet “Demokracia” dhe “Nushaj”. Të gjitha rastet kanë pasur diarre, ndërsa 128 persona kanë raportuar të vjella dhe 81 kanë pasur temperaturë. Moshat e personave të prekur variojnë nga 2 deri në 94 vjeç.

Hetimi i ISHP-së ka vënë në fokus sistemin e furnizimit me ujë, pasi banorët e prekur kanë deklaruar se konsumojnë ujë nga rrjeti publik dhe furnizohen nga i njëjti sistem.

Analizat laboratorike kanë konfirmuar ndotje mikrobiologjike në disa pika të sistemit të furnizimit, ku u gjetën koliforme dhe enterokokë.

Po ashtu, në raportin e ISHP-së bëhet me dije se nuk është kryer si duhet dezinfektimi i ujit të pijshëm. Analiza e hipokloritit të natriumit tregoi se klori aktiv ishte 9.04%, ndërsa kufiri i përcaktuar në raport është 13–15%, duke mos përmbushur kërkesat për përdorim në procesin e klorinimit dhe dezinfektimit të ujit të pijshëm. Pavarësisht analizave laboratorike, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër që ka përgjegjësinë për furnizimin me ujë të Fushë-Arrëzit nuk ka bërë asnjë njoftim që qytetarët të mos e konsumojnë ujin që shkon në rubinetet e tyre.