9 Gusht 2026

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Beograd, se Ukraina nuk do ta njohë Republikën e Kosovës.

Konjufca ka shprehur keqardhje për këtë qëndrim, duke theksuar se Kosova, që nga dita e parë e agresionit rus në shkallë të gjerë, ka qenë në mënyrë të palëkundur në krah të Ukrainës.

Ai ka përmendur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën, përfshirë dënimin e pushtimit rus, përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të BE-së, vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ofrimin e ndihmës humanitare dhe strehimit për gazetarët ukrainas, si dhe dhënien e ndihmës dhe trajnimit ushtarak në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës.

“E bëmë këtë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin e tij territorial është çështje parimore”, ka shkruar Konjufca në platformën “X”.

Ai ka theksuar se është i rëndësishëm edhe dallimi mes qëndrimit të Kosovës dhe Serbisë ndaj luftës në Ukrainë.

Sipas tij, ndërsa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është përafruar me sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura si përgjigje ndaj luftës ruse kundër Ukrainës.

Konjufca më pas ka hedhur poshtë çdo përpjekje për ta paraqitur Kosovën si precedent për pushtimin apo aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia.

“Pikërisht për këto arsye, përpjekjet e Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedent apo justifikim për pushtimin, okupimin apo përpjekjen për aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe ligjërisht të pavërteta. Nuk ekziston një paralele e tillë”, ka theksuar tutje Konjufca.

Ai ka thënë se Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, por në të njëjtën kohë ka refuzuar çdo paraqitje të Republikës së Kosovës “përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”.

“Një vendim i tillë do t’i forconte pikërisht parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare që vetë Ukraina po i mbron sot”, ka deklaruar ai.

Një ditë më parë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vizitoi Serbinë dhe zhvilloi takim me presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç. Gjatë një konferenceje për media, Zelensky deklaroi se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket njohjes së shtetësisë së Kosovës.

Kosova është prej vendeve që i ka dhënë mbështetje vazhdimisht Ukrainës prej kur ka nisur lufta me Rusinë në vitin 2022. Kosova pranoi të strehojë refugjatë ukrainas, nisi program për gazetarët ukrainas, i vendosi sanksione Rusisë dhe ofroi ndihmë humanitare dhe mjekësore.