16 Tetor 2023

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha në intervistë televizive se Samiti i Procesit të Berlinit që do mbahet nesër në Tiranë do ketë në fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Ai theksoi se nuk beson që çështja e tensioneve Serbi-Kosovë të zërë vend në tryezën zyrtare, por do të jetë temë shkëmbimi mendimesh gjatë drekave.

Megjithatë Milo nuk e përjashton mundësinë që në lidhje me Kosovën, të ketë takime dypalëshe midis përfaqësuesve të nivelit të lartë të vendeve të BE dhe drejtuesve të institucioneve të Brukselit. Sipas Milos BE po pret përfundimin e hetimeve për Bansjkën për të dalë me një qëndrim ndaj Serbisë.

Lidhur me Samitin, Milo tha:

Është një Samit i BE në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kjo është e reja, dhe është zgjedhur Tiranë, sepse axhenda nuk përcaktohet nga Shqipëria, është një axhendë që është rënë dakord nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me Brukselin. Ajo që është interesante dhe shkon për meritë të Shqipërisë, është se u zgjodh Tirana për ta mbajtur këtë samit. Në projektin e parë ka qenë Shkupi, por pas arsyeve që janë paraqitur, të cilat nuk i di, është përzgjedhur Tirana. Ky fakt na gëzon sepse një ngjarje e madhe politike, që ka rezonancë në gjithë rajonin, zhvillohet në Tiranë, kjo duhet marrë si vlerësim por edhe si nxitje për të plotësuar standardet e BE. Presidentja e Komisionit Europian dha të kuptojë që do ketë një plan masash të karakterit ekonomik, zgjerim i mëtejshëm të lidhjeve ekonomike, dhe tregut rajonal të Ballkanit Perëndimor me tregun e BE, do krijohen lehtësira që ky treg të rritet në volum dhe hapësirë.

Është një mundësi shumë e mirë për t’i afruar këto vende me BE. Do të ketë edhe diskutime të tjera për ekonominë e gjelbër, ekonominë digjitale. Por epiqendra e samit do jetë forcimi i bashkëpunimit tregtar, ekonomik. BE ka vënë në dispozicion të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor 30 miliardë euro. Varet nga qeveria shqiptare sa do të shfrytëzojë kapacitetet absorbuese në fushën e projekteve. Nëse ecën me ritmet e duhura do ndikojë në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Gjithë projekti prej 30 miliardë eurosh pritet t’i japë një shtysë të madhe procesit të zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve dhe përafrimit me BE. Shqipëria u përfol për dy projekte, financimi për hidrocentralin e Fierzës dhe projekti hekurudhor që do lidhë Shqipërinë me Malin e Zi. Theksi i samitit është rritja e bashkëpunimit ekonomik, performancës ekonomike, afrimin në tregun e përbashkët europian, përmes rregullave dhe orientimeve të reja”.

I ndalur te tensionet Kosovë-Serbi dhe mundësitë që kjo çështje të jetë pjesë e diskutimeve në Samit, Milo u shpreh:

Nuk e besoj që nesër në samit, në tavolinën zyrtare të bisedimeve kjo çështje të zërë vend. Z.Rama e tha qartë që do jetë një shkëmbim mendimesh gjatë drekave. Nuk janë zyrtare. Janë të lira për të shkëmbyer mendime, por mbahen shënim, që të formatohen në formë zyrtare në një moment të dytë. Por nesër s’do ketë diskutime zyrtare. Ata që e kanë vendosur dhe gjykuar më mirë, sepse është BE që udhëheq procesin e dialogut në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës, dhe për të mos i ulur vlerat samitit të nesërm që është fokusuar në çështjet e rritjes ekonomike, janë lënë mënjanë çështjet e nxehta që nuk mund të zgjidhen me një takim si ai i nesërmi, por vetëm mund të shkëmbehen pikëpamje, ose mund të ketë takime dypalëshe midis përfaqësuesve të nivelit të lartë të vendeve të BE, me drejtuesit e BE, me Presidenten e Komisionit Europian, Presidentin e Këshillit Europian, apo kancelarit Scholz, sepse Macron s’do jetë i pranishëm në takimet e paradites që do zhvillohen në kuadër të samitit.

BE që menjëherë pas sulmit terrorist që u bë në 24 shtator në Banjskë nga forcat ekstremiste serbe, menjëherë bëri thirrje për t’iu rikthyer dialogut. Von der Leyen bëri pikërisht të njëjtën gjë sot, që përsëriti nevojën e dialogut. BE s’i sheh këto çështje në mënyrë kaq emocionale, apo të drejtpërdrejtë siç i shohim ne shqiptarët. Kemi 5 vende anëtare të BE që s’e njohin pavarësinë e Kosovës ende. Qëndrimi do jetë për çfarë dialogu është fjala, duhet të ndryshojë substanca e dialogut, sepse nëse do shkohet me dosjet e vjetra dhe ta fillojnë atje ku e kanë lënë nuk ka kuptim. BE duhet të mbajë qëndrim ndaj Serbisë për çështjen e agresionit terrorist në Veri të Kosovës. Deri më tani BE dhe SHBA kanë folur me shumë kujdes, sepse presin të përfundojë hetimi dhe më pas të dalin me qëndrim zyrtar ndaj Serbisë. Prandaj edhe thirrjet për sanksionet ndaj Serbisë nuk gjejnë jehonë në këtë kohë, sepse duan të jenë të matur dhe të saktë. Ata duan të veprojnë mbi fakte”.

Gazeta Sot