3 Dhjetor 2025

Nga: Auron Tare

Harta e mëposhtme vjen nga arkivi amerikan i Luftës së Dytë Botërore. Ajo është pjesë e dosjes së “Komisionit Robert”, një komision i krijuar me studiues dhe specialistë të trashëgimisë kulturore dhe arteve, të mbledhur nga disa universitete amerikane.

Ironia e një dosjeje në Universitetin e Harvardit gjatë

Qëllimi i këtij komisioni ishte hartimi i listave të detajuara të pasurive kulturore në Europë, në mënyrë që ushtria dhe aviacioni amerikan të shmangnin goditjen apo shkatërrimin e tyre. Në një përplasje globale me pasoja katastrofike për kontinentin, ky komision përpiqej të mbronte trashëgiminë dhe artin europian nga humbjet e pariparueshme.

Ironia e një dosjeje në Universitetin e Harvardit gjatë

Brenda arkivit të këtij komisioni, i cili ruhet sot në Universitetin e Harvardit, gjendet edhe dosja që i kushtohet Shqipërisë. Specialistët amerikanë hartuan një listë të gjerë të të gjitha zonave me interes të veçantë kulturor në territorin shqiptar, duke krijuar edhe një hartë me pikat që duhej të shmangeshin nga bombardimet ose nga veprimet e këmbësorisë në rast zbarkimi.

Me shumë interes është faqja e parë e kësaj dosjeje, ku theksohet qartë rëndësia e madhe e trashëgimisë ILIRE dhe me tutje greke, romake, bizantine, e kështu me radhë.

Në dokumentet e Luftës së Dytë, amerikanët i kushtonin rëndësi parësore ruajtjes së trashëgimisë ilire dhe mbrojtjes së saj nga çdo rrezik i mundshëm ushtarak një përparësi qe fatkeqësisht nga “shkolla e re internacionale” e arkeologjisë shqiptare nuk përfillet më pasi shikohet si remineshencë e periudhës komunisto-nacionaliste.

Përtej kësaj ironia e kësaj dosjeje është e madhe. Imagjinoni një ekip i specializuar punonte në  kohe lufte në Harvard për të përpiluar një listë të pasurive kulturore shqiptare që të mbroheshin, në një kohë kur vite pas viteve 90-të, vetë shqiptarët do t’i shpërfillnin, do t’i linin në mëshirë të fatit, apo  do t’i dëmtonin dhe shkatërronin këto vlera historike më shumë sesa çdo bombardim i mundshëm i aviacionit amerikan.

Po ta dinin studiuesit e Harvardit se lista e tyre për mbrojtjen e trashëgimisë shqiptare do të hidhej ne plehra  nga vetë shqiptarët e pas ’90-ës, ndoshta nuk do të ishin lodhur fare me atë punë.