Integrimi në BE, Kikia: – U krijuan pritshmëri të rreme, realiteti është shumë më i vështirë

14 Prill 2026
Gazetari Mentor Kikia, i ftuar në një emision televiziv, ka theksuar se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon realizëm dhe përpjekje afatgjata, duke vënë theksin te përgjegjësia e qeverisë për menaxhimin e pritshmërive dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara.
Ai u shpreh se ritmi i ngadalësimit të negociatave lidhet edhe me pritshmëritë e larta të krijuara më herët, ndërsa nënvizoi se integrimi nuk është thjesht çështje vullneti politik, por një proces i thellë transformimi për shoqërinë shqiptare.
Mentor Kikia: Unë besoj që sa i takon procesit të integrimit duhet të jemi realistë të gjithë. Por së pari realist duhet të jetë qeveria që ka përgjegjësinë kryesore për çuarjen përpara të këtij procesi. Integrimi nuk është një proces që përmbyllet brenda një muaji, brenda një viti, brenda një mandati qeverisës. Janë hedhur gurë themelet që me kohë, duke ngritur hap pas hapi tullë pas tulle, dhe ajo që ka bërë që sot të flasim për ngadalësim hapash, besoj që pikë së pari është fakti që vetë qeveria për shkak të axhendës elektorale të zgjedhjeve të vitit të kaluar, kishte karikuar shoqërinë dhe mjedisin e përgjithshëm publik me pritshmëri të jashtëzakonshme për një integrim të shpejtë, sikur Europa mezi na na kishte zbuluar dhe thanë, ku keni qenë deri tani dhe hajde se po ju presim. Dhe hapja e grup-kapitujve njëri pas tjetrit, që ishte padyshim një vullnet i jashtëzakonshëm politik i Brukselit, duke tejkaluar edhe ngërçe që në kohë normale do mund të përbënin pengesë.
Dhe besoj që kjo ka qenë produkt i gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë. Dukej sikur tashmë procesi i integrimit dhe futja e Shqipërisë me të drejta të plota në BE ishte thjesht çështje kohe. Për këtë na kishte krijuar një realitet tjetër edhe ajo marrëdhënia personale që zoti Rama kishte krijuar me politikanët në Bruksel, po të kemi parasysh dhe komisionerin e zgjerimit që tregohesh jashtëzakonisht dashamirëse me përqafime dhe entuziazmin e saj, duke ju bashkuar deadline-it që kishte vendosur vetë qeveria shqiptare për përmbylljen e negociatave brenda 2027-ës dhe anëtarësimin në fund të 2030-ën.
Në këto kushte na zuri, hyjmë në janar. Por në janar filloi realisht procesi i negociatave. Shampanja e hapjes së grupkapitujve ishte derdhur ndërkohë. Tani do duhej të merreshim realisht me integrimin. Dhe aty pamë që përmbyllja e grupkapitujve nuk ishte një proces thjesht administrativ, nuk ishte një proces thjesht hajde të bëjmë ca ligje t’ia tregojmë BE-së që i kemi miratuar, por ishte një proces ku ne do duhej të ndryshonim lëkurën tonë 360 gradë për të përmirësuar standartet politike, juridike, ligjore, mjedisore, bujqësore, transparenca, tenderat, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut, të drejtat e medias, liritë e medias e të gjithë me radhë. Pra gjithçka që lëviz nën tokë, mbi tokë dhe në sipërfaqe. Çdo element që lidhet me jetesën e përditshme do të duhej t’i nënshtrohej një procesi jo thjesht reformimi, po transformimi. Këtu pamë që gjërat pastaj nuk ndodhin shpejt e shpejt. Këtu pamë që ne do duhet të bëjmë sforca. Kur po flas për ne, po flas për shoqërinë shqiptare në tërësi, por thashë sërish, përgjegjësia bie mbi qeverinë në radhë të parë. Dhe çfarë ndodhi? Ndodhi ajo që ne këtu nuk kishim të bënim më me vullnet politik. Vullneti politik kishte mbaruar me hapjen e grupkapitullit të fundit në dhjetor të 2025-ës dhe tani është radha e teknicienëve. Teknicienët janë si kirurgu. Kirurgu nuk të operon dhe të thotë ik se s’ke gjë tashti se po të rregulloj unë. Kirurgu të thotë që ke dhe kaq ditë jetë. Pra, mjeku në përgjithësi është transparent me pacientin. Teknicienët nuk tolerojnë. Ata bëjnë verifikimin e miratimit të ligjeve dhe zbatimit të ligjeve për të parë impaktin konkret. Dhe në këtë kuadër Shqipëria ka për të bërë shumë. Dhe unë personalisht kam qenë i bindur që negociatat nuk mbyllen brenda 2027-ës dhe 2030-ta do të jetë vetëm nëse ndodh një mrekulli jashtë kushteve.
Tani, unë besoj që askujt, edhe neve vetë si popull, si shoqëri, nuk na intereson thjesht integrimi sa për sy e faqe. Pasi në fund integrimi nuk është një proces magjibërës. Nëse ne bëhemi sot anëtarë të BE-së, do kuptojmë që do të jetë një bashkëjetesë dramatike për shoqërinë tonë. Procesi i integrimit është proces që në radhë të parë neve na intereson për të përmirësuar standartet politike, për të përmirësuar cilësinë e demokracisë dhe të zgjedhjeve, për të përmirësuar transparencën në raport me garën dhe konkurueshmërinë në ekonomi. Është një proces që na ndihmon të ushtrohemi për t’u sjellë si qytetarë europianë në raport me mjedisin, me sigurinë ushqimore. Sepse nuk mund të shkosh në BE duke patur një problem kaq të madh me sigurinë ushqimore. BE-ja do të thotë që ti të jesh pjesë e atij tregu të madh ku kamioni me domate të ngarkohet në Lushnjë dhe të shkojë direkt në Amsterdam. Por ne e dimë se ç’heqin produktet Made in Albania nëpër pikat kufitare ku i nënshtrohen analizë pas analizave dhe kthehen në gjysmë të rrugës.
