Historiani zbulon dokumentet sekrete: Si i bënte rekrutimet Sigurimi. Terrori mbi familjarët dhe urdhri i Enver Hoxhës… 

20 shkurt 2020

ANILA DEDAJ/ Në përpjekje për të zhvilluar kulturën e kujtesës e për të hedhur dritë, në një gjysmëshekulli historie të manipuluar, ditën e djeshme në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u diskutua për “Emigracionin politik shqiptar në vitet 1944-1990”.

Në këtë konferencë të pasuruar me një ekspozitë dokumentesh, mes dhjetëra studiuesish, historiani Gjon Boriçi diskutoi rreth temës “Përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për të vënë nën kontroll emigracionin politik shqiptar në vitet 1945-1974”. Pas një pune të gjatë studimore, Boriçi arrin të zbulojë përpjekjet kolosale të shtetit komunist shqiptar për të kontrolluar emigracionin politik, duke investuar sasi të mëdha parash nga i ashtuquajturi Fondi Special i Emigracionit. Historiani shpjegon se në këtë lëvizje konstante të Sigurimit të Shtetit, ka qenë e përfshirë udhëheqja më e lartë e PKSH-së. “Ka qenë urdhër i dhënë direkt nga Enver Hoxha, që të bëjnë ç’është e mundur, e të penetrojnë tek organizata ‘Shqipëria e lirë’, ose tek Partia Agrare Antikomuniste në Itali”, tregon ai. Studiuesi shpjegon gjithashtu se përse këto përpjekje rezultuan të suksesshme, duke vënë theksin te dy faktorë kryesorë: Mosorganizimi i mirë i organizatave jashtë vendit, si dhe presioni ndaj të arratisurve përmes përndjekjes dhe internimit të familjarëve.

“KONTROLLI NDAJ EMIGRACIONIT POLITIK, SHPENZIME TË MËDHA PARASH”

Historiani Gjon Boriçi tregon se lëvizjet e Sigurimit të Shtetit për të kontrolluar emigracionin politik, kanë qenë konstante dhe urdhrat vinin drejtpërdrejtë nga udhëheqja më e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare (Fillimisht Partia Komuniste, e pas Kongresit të parë të vitit 1948, Partia e Punës Shqiptare). “Këto përpjekje të vazhdueshme, për të kontrolluar të gjitha veprimet e emigracionit politik shqiptar rezultuan jo pak herë qenë të suksesshme. Emigracioni zuri fill nga fundi i tetorit të vitit 1944 e vazhdoi në vitet pasardhëse”, thotë Boriçi.

Historiani, duke hulumtuar dokumente të deklasifikuara së fundmi, arrin në konkluzionin se në diktaturë janë bërë shpenzime të mëdha në këtë drejtim.

“Bëhet fjalë për një platformë të qartë, që nis që në 16 janar të vitit 1945 dhe, siç dokumentet tregojnë, Sigurimi i Shtetit me urdhër të Udhëheqjes më të lartë të Partisë Komuniste shqiptare ka bërë shpenzime të jashtëzakonshme parash për të ndjekur, survejuar dhe rekurtruar”. Sipas historianit, këto shuma kanë qenë pjesë e të ashtuquajturit Fond Special për Emigracionin.

“Janë shpenzuar mijëra dollarë për të pasur një kontroll dhe mund të them që jo pak herë Sigurimi i Shtetit ka qenë i suksesshëm për sa u përket kontrollit, mbikëqyrjes dhe rekurtrimit të eksponentëve të emigracionit politik shqiptar, që përqendrohej mbi të gjitha në Europën Perëndimore”. Boriçi tregon se Italia përbënte vendin me numër më të lartë të emigrantëve shqiptarë. “Në dokumente kam zbuluar edhe shifrën, e thuhet se deri në vitin 1946 ka pasur deri 6 mijë emigrantë të larguar. Këtu nuk bëhet fjalë veç për figura politike, apo kundërshtarë të regjimit, por edhe për njerëz të thjeshtë që ishin grumbulluar në Itali”.

Ndërsa vendin e dytë, sipas studiuesit, e zë Turqia, duke u pasuar nga Jugosllavia, Franca etj. Procesi i vazhdueshëm i kontrollit të emigrantëve, e veçanërisht organizatave politike që u krijuan, ka qenë sipas tij merak i vetë diktatorit. “Ishte një platformë e mirëfilltë. Vetë Enver Hoxha ka dhënë urdhër që të bëhet ç’është e mundur e të penetrohet te Komiteti Kombëtar ‘Shqipëria e lirë’, apo te Partia Agrare antikomuniste, që ishte edhe ishte organizata e parë politike e themeluar në Itali”. Ndërsa depërtimi tek emigracioni politik shqiptar në Amerikë, duket se ka qenë më i zbehtë, kjo sipas historianit, edhe për shkak të marrëdhënieve të ftohta mes SHBA-së dhe shtetit komunist shqiptar. “Mes dy vendeve kishte probleme, kjo sepse qeveria amerikane nuk e njohu qeverinë shqiptare. Diçka e tillë erdhi pasi qeveria shqiptare nuk pranonte të njihte të gjitha protokollet, nënprotokollet dhe marrëveshjet e nënshkruara nga qeveritë e mëparshme shqiptare, duke filluar nga mbreti Zog etj.”, shton ai.

SUKSESI I SIGURIMIT ME EMIGRACIONIN POLITIK, FAKTORËT

Studiuesi shpjegon se faktorët kryesorë që i bënë përpjekjet e Sigurimit të Shtetit të suksesshme mbi emigracionin politik shqiptar janë të përqendruara te terrori ndaj familjeve të të arratisurve, përçarja mes anëtarëve të organizatave dhe partive të krijuara, si dhe mbështetja financiare që pati PKSH-ja nga vendet aleate. “Elementi i parë që u thye, ishin ata persona që kishin në Shqipëri familjet e internuara. Presioni në këto raste ka qenë i dyfishtë!”. Historiani, duke iu referuar një raporti sekret, tregon se në këto kontrolle janë të implikuar edhe figura të larta si Behar Shtylla, asokohe ministër i Jashtëm i vendit.

“Drejtori i Zyrës Shtetërore të Statistikave, që jepte të dhëna tronditëse, i raportonte OKB-së se edhe kampi i Himarës dhe ai i Tepelenës, ishin të ndërtuara posaçërisht për familjarët e personave të arratisur, që ishin edhe kundërshtarët politikë kryesorë të regjimit”. Sipas tij, ishte pikërisht një raport i tillë i konsideruar si “shumë sekret”, që bëri të shtyhet anëtarësimi i Shqipërisë në OKB edhe një vit, pasi tregonte se ishin shkelur të drejtat elementare të njeriut.

“Pasqyrohen madje edhe statistikat, ku tregohet se në burgjet e kampet shqiptare, mund të ketë pasur mbi 10 mijë veta, e mijëra të tjerë të zhdukur. Pra, flitet për një popullsi prej 1 milion e 300 mijë vetash”. Historiani shpjegon se mbikëqyrja mbi familjarët e të arratisurve ka qenë e vazhdueshme duke ushtruar presion të fortë. “Janë gjetur lista të pafundme, ku tregohet se është Tirana, qyteti që mban rekordin për sa u përket njerëzve të arratisur. Në këto dokumente tregohet se Sigurimi kishte informacione të detajuara për familjarët e të arratisurve. Mbanin shënim ku dhe si jetonin të afërmit duke shqyrtuar, se cili prej tyre do të internohej”. Boriçi sjell në vëmendje faktin se regjimi ka shkelur edhe ligjin për sa i përket internimit të të miturve. “Ndonëse ishte mjaft i ditur ligji se nën moshën 18 vjeç ishte e ndaluar të çoheshin në internim, ka shumë raste ku atje, janë dërguar familjarë me fëmijë të vegjël edhe nga 2 e 3 vjeç. Diçka e tillë ka ndodhur sidomos në kampet e Himarës, Tepelenës etj.”. Ka qenë pikërisht ky lloj terrori i ushtruar ndaj familjarëve që sipas Boricit ka detyruar eksponentë emigrantë të bashkëpunonin me Sigurimin. “Duhet kuptuar me racionalitet situata. Familjarët e të arratisurve janë përballur me një skëterrë… Ka pasur edhe elementë të veçantë që nuk janë thyer, duke pranuar të vuajnë, por kanë qenë shumë më të paktë në numër”.

ORGANIZATAT POLITIKE TË EMIGRANTËVE, JO NË LARTËSINË E DUHUR

Studiuesi Gjon Boriçi e konsideron organizimin e emigracionit politik shqiptar, jo në lartësinë e duhur. Sipas tij, anëtarët e këtyre strukturave kanë qenë të paorganizuar dhe mes tyre ka pasur shumë grindje të brendshme.

“Nuk u bënë asnjëherë bashkë, edhe pse pati përpjekje edhe nga aleatët anglo-amerikanë. Qenë ‘Balli Kombëtar’, ‘Ilegaliteti’, ‘Blloku Indipendet’ i Ernest Koliqit, por duket se çdokush luftonte për hesap të vet. Vihet re edhe një përpjekje e vakët e Ahmet Zogut në vitin 1947 për të thirrur eksponentët kryesorë të emigracionit shqiptar në Kairo të Egjiptit, ku ai ishte vendosur asokohe, por nuk pati sukses”. Sipas historianit, emigracioni politik shqiptar nuk kishte një platformë të mirogranizuar apo mbështetje favorizuese.

“Nga ana tjetër. PKSH-ja, po fillonte të forcohej dalëngadalë, po forconte shtetin, strukturat. Kishte ndihmë të madhe financiare, sidomos në marrëveshjen në bashkëpunim me Jugosllavinë, të tjera nga Bashkimi Sovjetik. Po ashtu ka marrë shumë ndihma, kredi, para nga vendet e Bllokut Socialist, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre shkonte për të survejuar, për të kontrolluar emigracionin politik shqiptar”.

Gazeta Panorama