Hetimi i SPAK për koncensionin korruptiv të Ballukut, zbardhen përgjimet e reja të ministres: Isha dje me Bashkimin…

26 Dhjetor 2025
Të tjera detaje janë zbuluar nga dosja hetimore e Belinda Ballukut, zv kryeministre dhe njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, e cila është nën hetim nga SPAK. Kështu përveç tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe të Tiranës, ajo po hetohet edhe për segmentin Thumanë-Kashar.
Nga bisedat e zbërthyera nga celulari “BlackBerry” i vartësit të saj Evis Berberi janë publikuar edhe komunikime që ministrja bënte përmes aplikacionit Signal.
Në këto mesazhe, Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit se kishte qenë një ditë më parë me “Bashkimin”, duke shtuar se i kishte thënë se “kjo është sfida ime dhe e tij”. Në vijim, në komunikim përmendet se “vinci për trarët e urës vjen nesër ose pasnesër”, ndërsa Evis Berberi përgjigjet se kishte shkuar drejt urës dhe po kthehej.
Në një tjetër mesazh, Balluku shprehet se po i bënte “nderin e jetës me Thumanë-Kashar”, duke shtuar se do të flisnin më pas dhe se personi në fjalë “mund të bëhet shumë ushtar”, duke e përshkruar si “të izoluar dhe të pashpresë”.
Sipas SPAK, komunikimi i mësipërm i referohet shtetasit Bashkim Ulaj, ortak i shoqërisë “Gener 2” sh.p.k., e shpallur fituese në procedurën koncesionare “Për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”. Vlera e parashikuar e projektit është 245,750,755 euro.
Po sipas të dhënave hetimore, në datën 09.05.2022 është lidhur kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, dhe shoqërive “Gener 2” sh.p.k. (koncesionari) dhe “G2 Infra” sh.p.k. (shoqëria koncesionare), me objekt “Për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”.
