Gjokë Dabaj: – Arratisja nga Jugosllavia në Shqipëri, shpresa dhe zhgënjimi në tokën amë

Nga Kujtim Boriçi

Quhet Gjokë Dabaj dhe sapo i ka kaluat 75 vite të jetës së tij. Ka lindur në Stamboll por në moshën një vjeçare është kthyer në vendlindje në Shestan të Tivarit. Në shkollim e sipër në disa qytete të ish-Jugosllavisë, bëhet pjesë e lëvizjeve kombëtare për ndërlidhje kulturore e heqjen kufijve mes shqiptarëve, bashkimin me shtetin amë. I ngarkuar nga shoqata “Liria”, në vitin 1962, mes peripecive të shumta, arratiset nga ish-Jugosllavia e vjen në Shqipëri për të kërkuar ndihmë në shtetin amë. Por nga viti 1962 kur kaloi kufirin e për gati 3 dekada, ai nuk mundi të rikthehej më në vendlindje. Shokët e grupit u kapën dhe u dënuan. Ndërsa në Shqipëri, Gjokë Dabajt, shpresa i kthehet në zhgënjim… Sigurimi i Shtetit dhe policia e shikojnë si të dyshuar, e ai përfundon në internim… “Jeta ime, është një dramë e dhimbshme, një dramë që u bë e tillë nga shpresa e dashuria e pakufishme dhe admirimi që kishte brezi im i shqiptarëve jashtë kufijve për shtetin amë… Kam provuar shumë vështirësi në jetë, nga arratisja me rrezik koke në kufi me Shkodrën, tek internimi, e ndarja me familjen. Nënën e kam takuar pas 30 vitesh. Mundi të vijë si turiste në vitin 1989 e më takoi… Por asgjë nuk ka lëkundur ëndrrën time e të brezit tim, dashurinë për Shqipërinë, shqiptarët kudo që janë, e bashkimin e natyrshëm si vëllezër të një gjaku”, pohon mes të tjerave në rrëfimin e tij të gjatë Gjokë Dabaj…

Zoti Gjokë! Si do ta perifrazoni jetën tuaj që nga lindja, rritja e një pjesë e rinisë në ish-Jugosllavi, arratisja në Shqipëri, internimi në shtetin amë e deri tek kontaktet pas 30 vitesh me nënën e familjarët?

-Një jetë e trazuar, më shumë me dhimbje, vështirësi, por me një ëndërr të pashuar që më vlon dhe sot kur i kam kaluar 75 vite jetë: Dashuria për Shqipërinë e shqiptarët kudo që janë, dëshira(e realizuar pjesërisht vitet e fundit) për heqjen e barrierave e kufitare mes shqiptarëve, për bashkimin kulturor e ekonomik të tyre… Kjo ishte dhe dëshira e misioni që më dhanë shokët e grupit patriotik ‘Liria’, kur vendosa të arratisem nga ish-Jugosllavia e të vij në Shqipëri, për të kërkuar ndihmë nga drejtuesit e shtetit amë… Edhe pse pësova zhgënjim, përsëri jam i bindur se bëra atë që duhet bërë. Po të isha në të njëjtat kushte, edhe sot që jam 75 vjeç, po të duhej të ndërmerrja këtë mision, do ta bëja përsëri atë që bëra… Ju sot këtu në Shqipëri, nuk mund ta kuptoni se sa dashuri e mall kishin ne atëherë për shtetin amë, për vëllezërit tanë këtu… Thashë më lart se në jetë, larg familjes e të afërmve, kam vuajtur shumë… Është një jetë e trazuar që nis nga fëmijëria ime e hershme…

Diçka për jetën tuaj?

-Po. Unë jam nga fshati Shestan i komunës së Tivarit, sot në kufijtë e Malit të Zi. U linda në vitin 1938 në Stamboll të Turqisë, ku prindërit e mi kishin shkuar në kurbet për një jetë më të mirë… Fillimi i luftës së Dytë Botërore bëri që im atë të mos mund të vinte në vendlindje, por të mbetej atje në Stamboll. Kur unë nuk kisha mbushur më shumë se një vit jetë, së bashku me nënën vijmë dhe vendosemi në vendlindje. Disa vite më pas, përkatësisht në vitin 1947, vjen përfundimisht nga Stambolli në vendlindje dhe babai e vendoset me ne. Thuajse, prindërit e mi e nisën jetën nga e para, e cila mbaj mend, që dhe atje ishte shumë e vështirë. Por im atë, ishte i shkolluar, i lëvizur e donte që unë, të bëhesha me shkollë… E për këtë, ai bëri sa mundi…

Diçka për shkollimin tuaj në ish-Jugosllavi?

-Dhjetë vitet e para të shkollimit, ( përfshi dhe katër klasë të tetëvjeçares e dy të shkollës së mesme), i kam bërë në Tivar dhe Ulqin. Në vitin 1957 më del bursa për mësuesi në Nikshiq. Mësimi bëhej në gjuhën sllave. Pastaj shkova u shkollova në të njëjtën degë edhe në Prishtinë. Këtu dua të theksoj diçka: Ne shqiptarët jashtë kufijve, vazhdimisht kemi qenë nën shtypjen e shumëfishtë të sllavëve, duke u detyruar që të shkolloheshim në gjuhën e tyre e jo në gjuhën e nënës, viheshim përballë goditjes së makinerisë shtetërore kurdoherë ku përpiqeshim të theksonim identitetin tonë, të bënim aktivitete shqip, të shkruanim e të botonin në gjuhën shqipe. Duke jetuar gjatë në Shqipëri, detyruar nga kalvari i mundimshëm i jetës sime, dua të theksoj se ju këtu në Shqipëri, nuk e njihni mirë jetën që kanë bërë e ende po bëjnë(sigurisht jo si në kushtet e diktaturës) bashkëkombasit jashtë kufijve të shtetit amë. Është mirë që kjo të dihet e të njihet mirë nga brezat… Ja, bie fjala, ne të rinjtë e asaj kohe, që gjuhën shqipe dhe dashurinë për Shqipërinë e kishim të gjallë, pasi kjo ishte biseda në familjet tona çdo ditë, por ishte shumë e vështirë të shkolloheshim me gjuhën e nënës, me kulturën tonë, pasi politika jugosllave donte të na asimilonte… Kudo që ishim ne nxënësit, jo vetëm na privonin nga sa thash më lart, por dhe na fyenin… Unë e shokët e mi, kemi pasur shumë zënka, grindje e përgjakje kur na përbuznin duke na thënë “shqiptar”.

Diçka më konkrete në këtë drejtim?

-Po. Ja, po përmend një nga shumë momente kur ishim në shkollën e  mesme të Nikshiqit. Me nxënësit malazezë nuk shkonim mirë, e siç thashë shpeshherë edhe rriheshim. Profesorët e Nikshiqit më donin në fakt, sepse ndoshta u pëlqeja si tip. Rrinim në oborrin e shkollës dhe mundoheshim të bisedonim, por unë, në fillim vihesha në vështirësi pasi nuk e dija mirë gjuhën e tyre… Ja po tregoj një rast sherri që mori përmasa të mëdha. Isha në korridor para dhomës së fjetjes. Një malazez, i quajtur Vllahoviq duke më thënë “shqiptar”. Unë fizikisht vija i dobët, por dhe teknikën e nevojshme në një ndeshje të afërt, nuk e kisha aty ku duhet në përballje fizike të pabarabarta. Në korridor ishte një fshesë. E kapa dhe i rashë me atë fshesë disa herë, derisa e përgjaka mirë dhe u futa pastaj brenda.

Çfarë ndodhi më pas?

-Një malazez tjetër, i klasave të larta, e pa Vllahoviqin duke qarë, në atë gjendje dhe e ka pyetur se pse qante e ishte bërë ashtu. Ai i përmendi fjalën “shqiptar”. Në atë çast, del Seladini, shoku im i dhomës. Malazezi i klasave më të larta, që ishte më i madh se ne, i fut një shpullë të fortë Selatinit, duke menduar se ishte ai që e rrahu Vllahoviqin. Bëhet alarm, e vjen edukatori në shkollë. Në fakt, pas bisedave, ai e mbylli si çështje, por u mor vesh në gjithë shkollën, e ne shqiptarëve, nxënësit sllavë, në përgjithësi, na shikonin me inat, na fyenin, e kërkonin shkas të grindeshin me ne. Nxënësit malazez ishin të indoktrinuar kundër nesh, por edhe druheshin. Ne shqiptarët ishim pak, por kishim unitet, shkonim mirë me njëri tjetrin dhe e mbronim njëri-tjetrin. Për këtë na e kishin frikën. Kishte mes tyre që edhe shoqëroheshin me ne. Por ata ishin shumë të paktë. Unë më pas shkova për shkollim pedagogjik në Prizren, ku popullsia është shqiptare… Por dhe aty, sllavët na fyenin e përçmonin… Qëndrimi i tyre ndaj nesh, në një farë mënyre armiqësor, buronte nga politika tradicionale shtetërore jugosllave kundër ne shqiptarëve që ishim autoktonë në trojet tona etnike… Ata përdornin ndaj nesh edhe fyerje nëpërmjet këngës… Krijoheshin shpesh edhe situata të rënda.. Ja të tregoj një rast, që ka ndodhur në një aksion që bënim gjatë verës në Ostosh…

Çfarë incidenti ndodhi në aksionin për ndërtimin e rrugës në Ostosh?

-Gjatë verës së vitit 1960, në Ostosh u organizua një aksion për ndërtimin e rrugës Ostosh-Shjerrç. U mblodhën disa brigada shqiptarësh të Kreanjës dhe disa brigada malazezësh të Cërrnicës. Në pushim, këndonim këngë dhe luanim valle. Edhe pse territori ishte 100% shqiptar, dhe aksionistët 80% shqiptar, komandat jepeshin në gjuhë sllave, urdhrat dhe dekorimet, gjithashtu në të njëjtën gjuhë në të folur dhe në të shkruar. Kjo, ishte, si të thuash, një fyerje indirekte. Por ç’farë të bënim. Por fyerja bëhej dhe në mënyrë të drejt për drejtë, për shembull, me anë të këngëve. Këndohej sllavisht, por na vinte shumë inat kur këndonin këngë kundër Shqipërisë. Më kujtohen dhe tani disa vargje nga fjalët e një kënge të tillë: “Oj narodo Albanije/ Ubij Hoxhu shteta nije”. E përkthyer kjo është: ”O ti popull i Shqipërisë/ Vraje Hoxhën, dëm nuk bëhet”. Ky vit shënon dhe periudhën e organizimeve të para rinore kundër diskriminimit shtetëror nga shteti ndaj ne shqiptarëve…. Përmend këtu një revoltë rinore..

Cila ishte dhe si u organizua kjo revoltë?

-Në prill të vitit 1960, në konviktin e Normales së Gjakovës ndodhi një revoltë e konviktorëve. Drejtoria e konviktit kishte pezulluar nga ushqimi një numër nxënësish. Unë dhe një grup shokësh, në shenjë revolte, organizuam dhe vendosëm që në solidaritet me të dënuarit, ushqimi të refuzohej nga të gjithë. Ndër organizatorët dhe më të vendosurit ishin Hasan Sala, Gjekë Nikprelaj dhe Selatin Gjenashi. Dua të them se për shkak të terrorit, organizimin e bënim në sistemin 1+3, domethënë unë kisha tre shokë të tjerë, që kontaktoja dhe i dija vetëm unë, e seicili prej tyre, kishte nga tre shokë e kështu sistemi zinxhir. Kjo eksperiencë do të na vlente më pas ne të rinjve që organizuam grupin patriotik “Liria”. Revolta filloi e vazhdoi për më shumë se tri orë me thirrjet masive “Duam bukë! Duam bukë!”. Më në fund, pushteti lokal i Gjakovë, në orën një pas mesnatës, u detyrua të plotësoj kërkesat e konviktorëve. Kështu, 60 nxënësit e lënë pa ushqim, rifituan të drejtën, ndërkohë që organizatorët e revoltës u ndjenë krenarë dhe morën zemër… Ndërkohë, situata në konvikt, alarmoi UDB-në jugosllave e cila nisi hetimet e goditjet…

Gjok Dabaj

Cili ishte reagimi i UDB-së?

-Organet shtetërore, pa dyshim, por veçanërisht UDB-ja nisi hetimet për të përcaktuar organizatorët dhe t’i ndëshkonte ata. Por aty, për herë të parëm, jo vetëm për faktin se seicili nga ne nuk kishte lidhje me më shumë se 3 tre persona, por për frymën e qëndresës, UDB-ja nuk arriti atë që këmbënguli me të gjitha forcat dhe mjetet. Unë, e jo vetëm, unë, përballë presioneve e torturave, nuk pranonin të tregonim asgjë, të bindur deri në vetëflijim… Kështu, pamë se dhe ne kishim forcë… Nuk mendonim se kjo revoltë, do të kishte ndikim të madh e të menjëhershëm…

Cili ishte ndikimi i revoltës?

-Revolta bëri bujë në qytetin e Gjakovës. U forcuan lidhjet mes nxënësve të Normales, gjimnazistëve e me popullin vendas. Profesorati gjakovar ishte lidhur edhe më shumë me nxënësit, duke i marrë ata në mbrojtje. Një frymë entuziazmi patriotik e përfshiu krejt qytetin e Gjakovës. UDB-ja, ndërkaq, shihet shumë e alarmuar. Dua të ritheksoj këtu se organizimi 1+3 e ka zanafillën pikërisht në këtë kryengritje të vogël konviktorësh në Gjakovë në vitin 1961 dhe ai sistem, në vitet 1968 dhe 1981, është përdorur në shkallë shumë më të gjerë në krejt Kosovën… Këtu, ose pas pak kohësh, nis zanafilla e krijimit të shoqatës patriotike “Liria”, që shënon arratisjen time me mision në Shqipëri dhe kalvarin e mundimshëm të jetës…

Gazeta Dita