8 Shkurt 2026

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në podcastin e tij “Flasim” ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke rikthyer kërkesën e SPAK-ut, i cili po ashtu kërkon edhe arrestimin e saj.

Rama e cilësoi vendimin si një precedent të rrezikshëm dhe të paprecedent në vendet demokratike, duke deklaruar se Gjykata Kushtetuese “nuk gjeti forcën” për të mos lejuar, sipas tij, “rimarrjen peng të qeverisë” përmes një mekanizmi të pazakontë. Ai e quajti pezullimin e një anëtari të qeverisë në një seancë paraprake nga prokurori dhe gjykata si një praktikë të panjohur në botën demokratike.

Sipas kryeministrit, Shqipëria po shndërrohet në “shembullin e parë të një budallallëku botëror”, ndërsa shtoi se Gjykata Kushtetuese, në vend që të jepte një vendim të qartë, u “mbyt në lugën e ujit të turbullt”, duke iu referuar arsyetimeve që ai i cilësoi të paqarta dhe të pajustifikuara.

Rama u shpreh se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion, madje as nga vetë prokurori që ka kërkuar pezullimin e saj, dhe se masa është marrë në një seancë të mbyllur, në fazën përgatitore të një gjykimi. Sipas tij, zhbërja e kësaj praktike të “drejtësisë së re Made in Albania”, të cilën e konsideroi ende të papjekur, është e domosdoshme për të garantuar pavarësinë e Parlamentit nga gjyqësori.

“Ne do ta vijojmë këtë betejë ku na ka thirrur, pa dëshirën tonë, kjo çarje antidemokratike e pezullimit të një anëtari të qeverisë”, deklaroi Rama, duke shtuar se mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e mban të hapur këtë konflikt institucional. Ai theksoi se bëhet fjalë për një vendim të thjeshtë, pasi, sipas tij, nuk ekziston asnjë rast i ngjashëm në asnjë vend tjetër të botës.

Në fund, kryeministri u shpreh se kushdo që beson se përpjekjet për shtetin ligjor dhe drejtësinë do të prodhojnë kosto politike për mazhorancën qeverisëse, gabon. Sipas Ramës, lufta për drejtësi, shtet ligjor dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka, ende sot, një garant të vetëm: atë vetë dhe mazhorancën që ai drejton.

Nga: Gazeta Sot