9 Janar 2026

Gazetarja Anduena Llabani, e ftuar në studion e News24, ka bërë deklarata të forta lidhur me zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Llabani, Balluku dyshohet se ka ndikuar në Gjykatën Kushtetuese për të marrë një vendim në favor të saj.

“Thuhet se zonja Balluku e ka blerë Gjykatën Kushtetuese për të dhënë një vendim në favor të saj. Jam e sigurt që Gjykata Kushtetuese do ta miratojë kërkesën e saj,” u shpreh gazetarja gjatë emisionit, duke theksuar se ky vendim mund të ketë pasoja të mëdha politike dhe institucionale.

Llabani deklaroi gjithashtu se rreth 14 zyrtarë të lartë janë aktualisht në procese hetimi, shumica e të cilave, sipas saj, mbështeten në raporte ndërkombëtare.

“Rreth 70% e proceseve në hetim për këta zyrtarë të lartë bazohen në raporte ndërkombëtare. Sot kemi Pirro Vengun në hetim nga SPAK, Ceno Klosin gjithashtu, Niko Peleshin në një procedim aktiv, Frida Krifcën, si dhe Engjëll Agaçin,” tha ajo.

Gazetarja u ndal edhe te Ministria e Mbrojtjes, duke ngritur dyshime për tenderë që lidhen kryesisht me veshjet ushtarake. Ajo iu referua edhe intervistës së fundit të Arben Ahmetajt, i cili për herë të parë publikisht përmendi emrin e një oficeri të lartë.

“Ahmetaj përmendi emrin e Petri Cunit, i cili është major dhe dyshohet se ka lidhje me kompani të kontraktuara për prodhimin e veshjeve ushtarake, konkretisht me kompaninë KAYO. Ka nisur një hetim për të verifikuar rolin e tij,” deklaroi Llabani.

Sipas saj, informacionet e bëra publike nga Ahmetaj janë shoqëruar me dokumentacion të plotë, çka ka çuar në nisjen e hetimeve për disa prej këtyre çështjeve, të cilat ajo i cilësoi si “skandale që pritet të verifikohen nga drejtësia”.