Rama krifcaa

Nga Elmas Bogdani

Çdo ditë që kalon thellohet skandali se si fondet e dhënë nga Bashkimi Europian për bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare janë shpërdoruar në mënyrën më cinike, korruptive dhe nepotike, të cilat nuk janë dërguar në destinacionin final, por janë shpërndarë si dhuratë miqve të qeverisë dhe Partisë Socialiste. Organizatorja e këtyre skemave është Frida Krifca. Ajo abuzoi me fondet, sikundër e kanë denoncuar media dhe qytetarët që kanë qenë pjesë e grupit të interesit, për shkak se fermerët apo blegtorët nuk përfituan asnjë cent dhe madje gjithë paratë, i merrnin miqtë dhe “oligarkët” pranë ministres Krifca. BE i bllokoi fondet. Madje tha se çështja është nën hetim, por pa përmendur asnjë emër. Për këtë kujdeset gazeta “SOT”. Në këtë shkrim të sotëm, po sjellim për lexuesin dy investigime, se si politikanët morën miliona nga skema e IPARD, ndonëse nuk u takon, pasi këto para duhet të shkojnë për fermerët dhe bujqërit dhe dokumentet tronditëse që tregojnë se Frida Krifca financoi Zoton dhe Mërtirin me 310 mijë euro nga fondet e IPARD.

Gruaja e kryebashkiakut të Divjakës përlan fondet

Eriona Kokoneshi, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi është një ndër përfituesit e skemës së IPARD. Ajo ka përfituar, një mbështetje totale prej 45 mijë eurosh investim për blerje pajisje dhe makineri linje prodhim vere. Këto janë vreshtat e kryetarit të bashkisë së Divjakës ku do të implementojë paratë e fituara. Bashkëshortja e kreut të Bashkisë së Divjakës është në konflikt të pastër interesi, pasi 25% e fondeve dhe më konkretisht 11 mijë euro që do ti falen janë nga buxheti i shtetit dhe jo nga fondet e BE-së. Ndryshe nga fermerët e Divjakës që nuk kanë mundur t’i afrohen skemës së IPARD, nga thirrja e dytë e kësaj skeme ka përfituar edhe nipi i kreut të bashkisë së Divjakës, Andi Kokoneshi. Ai është mbështetur me 32 mijë në sektorin e qumështit.

Kunati i Tahirit dhe ish-deputeti Peza pjesë e skemës

Më tej sipas investigimit, edhe ish-deputeti Dash Peza, një ndër emrat më të njohur të Partisë Socialiste ka përfituar një shumë të majmë prej 222 mijë euro për diversifikimin e fermës së njohur në Pezë “Il PAESE”. Investimi do të përdoret për zhvillimin e turizmit rural, restaurimin e godinës ekzistuese dhe ndërtimi i një Guest-House . Edhe në këtë rast ish-deputeti ka përfituar 60.7 mijë euro nga buxheti shtetit që do t’i falen në fund të investimit. Ndërkohë edhe Alban Berisha, administrator i “Ferma 100”, i njohur më së shumti si kunati i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka përfituar rreth 48 mijë euro mbështetje për rikonstruksionin e një stalle në Vaqarr. Në të njëjtën thirrje edhe Elda Alia, kontaktet e së cilës rezultojnë të jenë të shënuara si të dhëna zyrtare të “Fermës 100”, është shpallur fituese e plot 121 mijë euro. Me këto para ajo pretendon se do të krijojë një pemëtari me bajame dhe lajthi, do të blejë traktor dhe agregate bujqësor si dhe do të ndërtojë dhoma të reja. Edhe në këtë rast adresa është e njëjtë me atë të “Fermës 100”, në Vaqarr. Duke qëndruar tek lidhjet e politikës që mund të kenë favorizuar në përfitimin e parave falas nga skema e IPARD “Myzo clean” një kompani e krijuar me 5 qershor 2020, ka përfituar plot 300 mijë euro. Ndonëse vetëm në një fjali në fund të objektit të kësaj kompanie e ka të shënuar se do të merren edhe me mbarështim, pikërisht për këtë gjë ka përfituar fondin bujar të IPARD.

Përfiton anëtari i PS Vlorë

Kompania rezulton të jetë 70% në pronësi të Klajdi Myzaferaj, cili rezulton të jetë anëtar i Partisë Socialiste të Vlorës. Anila Isufaj, gruaja e Marjus Isufaj, një ish-drejtor të LSI që për gjashtë vite me radhë ka drejtuar, Qendrën e Furnizimit dhe Shërbimeve Elektrike Patos, e cila varet nga shoqëria tregtare “Albpetrol”, ka përfituar 255 mijë euro për ndërtimin e Një serre në Sheq të Fierit. Marjus Isufaj që njihet ndryshe edhe si miku i Ben Qimes, u dëmshpërblye nga gjykata me shumën marramendëse prej 493 mln lekë me pretendimin se është diskriminuar për shkak se është me LSI-në. Në listë e përfituesve të IPARD rezulton të jetë edhe Arben Isufaj që është emri i vërtetë i “Ben Qimes” një ndër më të kërkuarit në vend për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal. Ai ka përfituar plot 294 mijë euro për ndërtimin e një sere në Dërmenas të Fierit.

Skema shtrihet edhe në Delvinë dhe Poliçan

Libonike Nurellari, këshilltare e Këshillit Bashkiak të Poliçanit për PD-në, man rekordin si aplikantja që është shpallur më shumë herë fituese. Ajo është shpallur fituese dy herë në thirrjen e parë, ku ka përfituar në total prej 50 mijë eurosh, një herë në thirrjen e dytë ku ka përfituar 72 mijë euro dhe një herë në thirrjen e tretë gjatë së cilës ka përfituar 265 mijë euro për mbjellje vreshti dhe mekanikë. Leart Kohila, punonjës pranë Albpetrol Fier, vëllai Agron Kohila, inspektor tatimesh në Tiranë, djemtë e ish-kryetarit të Partisë Socialiste, dega Delvinë, Agron Kohila, aktualisht zv/kryetar i Bashkisë Delvinë, ka përfituar 62 mijë euro nga thirrja e tretë e IPARD.

Financohen Zoto dhe Mërtiri

Nga ana tjetër në investigimin e Monitor tregohen disa dokumente ku shihet se, personi EB, i cili me prokurë të posaçme noteriale përfaqëson dhe vepron në emër të incerneratorit të Tiranës, “Integrated Energjy BV SPV”) me të drejtë firmë në të gjitha dokumentet e shoqërisë, ka përfituar 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD nën masën “Investime në asete fizike të fermave bujqësore”, në emër të kompanisë së tij E B person për të investuar në sera në një tokë në Sharrë që e ka blerë nga koncesionari. Fondet janë grant i pakthyeshëm që Bashkimi Europian i jep qeverisë shqiptare si mbështetje për rritjen e kapaciteteve në bujqësi. Keqpërdorimin e fondeve IPARD e ka denoncuar në media këto ditë eksperti i blegtorisë Ervin Resuli. Nga dokumentet, investitori E B (i regjistruar si person fizik) është përfituesi i 310 mijë eurove dhe njëkohësisht është punonjës i inceneratorit të Tiranës, me të drejtë firme me kopetenca të plota i kompanisë Integrated Energjy BV SPV” . Në disa kontrata figuron dhe si punëtor, me pas i blen-shet toka me inceneratorin dhe në fund admnistrator i tij 9të drejtë firme). E.B. (si person fizik) ka një kontratë konsulence edhe me kompaninë “Consulting Se Partners”, në pronësi 80% të Stela Gugallja, https://opencorporates.al/sq/nipt/l72206029g, e cila merr përsipër që të kryejë të gjitha veprimet (sipas dokumentit të mëposhtëm Kontratë konsulence). Stela Gugallja është sot në kërkim nga SPAK për abuzime me inceneratorin e Elbasanit (pjesë e të njëjtës skemë për përfitimin e tre kontratave koncesionare për inceneratorët në Fier, Tiranë dhe Elbasan). Pas aplikimit me asistencën e “Consulting Se Partners” AZHBR ka shpallur fitues personin fizik E B nga fondet e programi IPARD 2020 -2021 me mbështetjen maksimale të skemës 65% te vlerës më shumë 310 mije euro.

Si u ndërtua skema e përfitimit të fondeve nga IPARD

Me datën 16 gusht 2021 shoqëria “Integrates Energy BV SPV” që ka marrë me koncesion ndërtimin dhe operimin e incerneratorit të Tiranës i ka shitur shtetasit E.B një sipërfaqe toke arë 8500 metër katror në zonë e Sharrës ( shih kontratën noteriale bashkëngjitur). Më pas shtetasi E.B. ka një kontratë konsulence me kompaninë “Consulting SE Partners” në pronësi të Stelja Gugallës që të plotësojë të gjitha dokumentet e nevojshme tek Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural për të përfituar fonde për ndërtimin e një fermë hidroponike në zonën e Sharrës. Me 22 shkurt 2022 personi E.B. bëhet administrator me të drejtë firmë dhe përfaqësimi i inceneratorit të Tiranës. Ndërsa AZHBR e ka shpallur fitues personin EB me një vlerë 310 mijë euro. Ndonëse fondi ka shkuar në një projekt bujqësor sipas destinacionit, aksesi preferencial është problemi konkret që kontestohet. IPARD mund të krenohet me serën, por Dashamir Çela nuk ka shans të marrë mbështetje, pasi fondet nuk janë të mjaftueshme për të gjithë.

Gazeta Sot