24 Nentor 2025

Ashtu sic ishte paralajmëruar, opozita do të mbajë sot “Foltoren” para Kryeministrisë

Tubimi është lajmëruar të mbahet në ora 18:00, ndërsa pritet të mbërrijë në “foltoren” e improvizuar para godinës së qeverisë, kreu i PD, Sali Berisha.

Duke e quajtur “Foltoren 2”, Berisha më herët u shpreh se  qëllimi i saj nuk është vetëm shpëtimi i opozitës, por i Shqipërisë nga krimi dhe korrupsioni i qeverisë. Ai paralajmëroi se fundi i qeverisë do të vijë nga kjo betejë në shesh.

Foltorja nuk ka mision të shpëtojë opozitën por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga krimi. Fundi i qeverisë do vijë nga ky shesh. Ne do vijojmë betejën tonë si misionarë dhe do vijojmë deri në largimin e tyre dhe rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Në fokus të protestës së sotme vijojnë të jenë akuzat ndaj qeverisë për “heshtjen” e opozitës në parlament, korrupsionin si dhe mungesën e votës së lirë.

Për mbarëvajtjen e protestës, policia ka marrë masa duke rrethuar për mbrojtje godinën e Kryeministrisë, ndërsa rrugët që çojnë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë kufizuar për qarkullim.

Nga: Balkanweb