3 Mars 2023

Fatmir Xhafaj: “… “Opozita dhe jo vetëm me të drejtë ka kërkuar transparencë për një çështje të tillë. Unë, pavarësisht se çfarë mendoj për të dhe sidomos për një pjesë të lidershipit të saj, gjykoj se ata janë në të drejtën e tyre me këtë kërkesë”.

Pas 2 muajsh rezistencë për të mos u ballafaquar me opozitën në Kuvend, lidhur me skandalin “McGonigal”, kryeministri Edi Rama u shfaq në seancën maratonë që zgjati gjatë gjithë ditës. Shefi i qeverisë nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të deputetëve të minorancës për lidhjet e tij dhe bashkëpunimin me ish-shefin e kundërzbulimit të FBI në Nju Jork, Charles McGonigal, duke bërë një “monolog” vetëm prej 45 minutash dhe më pas vendosi të largohej.

Më pas, deputetët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë u revoltuan me injorimin që Rama i bëri rëndësisë së mocionin me debat dhe interpelancës së djeshme për çështjen që ka tronditur politikën në vend. Deputetët demokratë, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, etj., akuzuan kryeministrin se ka shpërdoruar pushtetin politik për të korruptuar një ish-zyrtar të FBI me qëllim nisjen e hetimit për lobimin rus në SHBA në dëm të PD. Sipas deputetëve të opozitës, qëndrimi i djeshëm i Ramës nënkupton fajësinë dhe implikimin e tij në skandalin “McGonigal”. Befasues ishte reagimi i deputetit të PS dhe ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ndryshe nga kolegët e tij socialistë, Xhafaj e konsideroi seancën e djeshme si mundësi që mazhornaca të bëjë transparencën e raportit të saj me Charles McGonigal, me qëllim përmirësimin e komunikimit politik dhe mbajtjes së përgjegjësisë para qytetarëve.

Bardhi: Rama u soll si i pandehur, korrupsioni i tij frymëzon rrezikin rus në Ballkan

Sekretari i fraksionit të PD zyrtare, Gazment Bardhi reagoi ashpër pasi kryeministri Edi Rama mbylli fjalën e tij në Kuvend. Ai e konsideroi qëndrimin e Ramës si heshtje fajësie. Sipas Bardhit, shefi i mazhorancës ka dëmtuar SHqipërinë dhe imazhin e SHBA me skandalin “McGonigal”. Eksponenti demokrat nënvizoi se është Rama që me këtë çështje është kthyer në përhapës të influencës ruse në Ballkan, referuar të dhënave se oligarku rus që ka bashkëpunuar me McGonigal, Oleg Deripaska ka marrë tendera nga qeveria gjatë kohës që socialistët janë pushtet. “Nuk na tha se ç’ishte gjithë kjo dashuri e madhe e shefit të FBI-së me kryeministrin e Shqipërisë. Rama u soll sot si një i pandehur, vendosi të heshtte për të gjitha akuzat. Ka brenda pasoja të shumëfishta, trafikun e influencave, abuzimin me pushtetin, cënimin e marrëdhënieve tona me SHBA-të, turpërimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ka dëmtuar rëndë imazhin e aleatit tonë strategjik, të SHBA. I vetmi që përfiton është Rama. Por s’e ka llogaritur që SHBA-të nuk janë oborri i tij në Surrel. Korruptimi me të paktën 225 mijë dollarë është një nga ato akte që nuk harrohet e nuk falet. Mjafton rreziku i një kryeministri të korruptuar për të bërë që influenca ruse të futet në Ballkan”, u shpreht Gazment Bardhi në Kuvend.

Tabaku kërkon që SPAK të hetojë Ramën: Të marrë shembull nga SHBA

N/kryetarja e PD zyrtare, Jorida Tabaku deklaroi se drejtësia shqiptare duhet të hetojë këtë skandal të madh të korrupsionit politik dhe ekonomik. Ndër të tjera, Tabaku tha se SPAK duhet të marrë shembull nga drejtësia amerikane që po ndjek një çështje të skandalit madhor politik dhe ekonomik. Ajo i vari shpresat e zbardhjes së të vërtetës për lidhjet e kryeministrit Rama me ish-zyrtarin e FBI Charles McGonigal nga gjykimi dhe vendimi që do japë drejtësia në SHBA. “E vërteta është vetëm një, është ajo që ka ndodhur, ajo që shkruhet në akuzë, ajo që shpresojmë të gjithë ta mësojmë më në detaje në një gjyq që po zhvillohet përtej oqeanit. Fati i madh i shqiptarëve është se kjo çështje po hetohet në një vend që u krijua mbi bazat e institucioneve të pavarura dhe sundimit të ligjit. Fati i madh i shqiptarëve është se investimi më serioz i shekullit të 21-të në vendin tonë nga SHBA dhe BE është pikërisht Reforma në Drejtësi. Prandaj, SPAK duhet të mësojë nga ky shembull i mirë. Nuk janë rastësi të gjitha këto prova dhe fakte të bëra publike”, u shpreh Tabaku në fjalën e saj në Kuvend.

Enkelejd Alibeaj i drejton 30 pyetje Ramës për lidhjet me McGonigal

Kryetari i komanduar i PD zyrtare, njëherazi dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj i drejtoi 30 pyetje kreut të qeverisë Edi Rama për raportet e tij, bashkëpunimin me Charles McGonigal dhe 2 shqiptarët e përmendur në akt-akuzën amerikane, Agron Neza dhe Dorian Duçka. Alibeaj kërkoi informacione se më cilët agjentë të tjerë të FBI është takuar Rama dhe arsyet se përse ka dhënë licenca për shfrytëzim pusesh nafte për Nezën dhe Duçkën, etj. “Kush janë personat, të cilët kanë qenë në katër takimet, e cituara në akt-padi?; Kush ka qenë i pranishëm në takimin e 17 shtatorit 2017, përveç teje, Dorian Duçkës dhe McGonigal?; Përse është diskutuar çështja e dhënies së licencave të fushave të shfrytëzimit të naftës në Shqipëri mes jush?; A keni qenë ne dijeni se personi Agron Neza dhe Dorian Duçka kishin interesa financiare në fushën e shfrytezimit të naftës?; A keni marrë masa juve që licenca e shfrytëzimit të naftes të mos u jepej personave A dhe B, në shkelje te ligjit?; Çfarë masash keni marrë pasi gjykata vendosi se leja e shfrytëzimit të 3 parcelave naftëmbajtëse, që iu dha në shoqerie, ishte me shkelje ligjore?; Cili ishte ish-agjenti tjetër, i cili ishte duke darkuar me ju?”, janë disa nga pyetjet që Enkelejd Alibeaj i drejtoi Ramës.

Xhafaj kundër rrymës së PS: Të bëjmë transparencën për ‘McGonigal’

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, mbajti një qëndrim ndryshe nga kolegët e tij të mazhorancës. Ai e konsideroi këtë proces si mundësi që PS të bëjë transparencën e plotë ndaj qytetarëve shqiptarë për skandalin “McGonigal” për të zbuluar të vërtetën e kësja historie kompromentuese. “Opozita dhe jo vetëm me të drejtë ka kërkuar transparencë për një çështje të tillë. Unë, pavarësisht se çfarë mendoj për të dhe sidomos për një pjesë të lidershipit të saj, gjykoj se ata janë në të drejtën e tyre me këtë kërkesë. Ne si mazhorancë kemi përgjegjësinë të përballemi publikisht me këtë temë pasi e vërteta është në interes të publikut, por edhe në interesin tonë politik. Natyrisht edhe të reflektojmë se si të përmirësojmë disa gjëra në etikën dhe komunikimin zyrtar, konfliktin e interesit, financimin dhe lobimin nga partitë politike”, tha Xhafaj.

Nga DARIO VELAJ.

Gazeta Sot