Alarmi i ambasadës amerikane për Iranin në Shqipëri/ Zogaj: – Ka vend për vigjilencë por jo për panik

2 Prill 2026
Analisti Preç Zogaj ka deklaruar se alarmi i ardhur nga ambasada amerikane vjen si shqetësim i Departamentit Amerikan të Shtetit për rrezikun iranian në Shqipëri.
Sipas tij, Shqipëria është e para në hapësirën europiane që ka marrë një paralajmërim të tillë për sulme.
“Ambasada e SHBA-së ka folur, ka vend për shqetësim real sepse ajo është një shqetësim që vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ambasada në këtë rast bëhet zëdhënëse e një paralajmërimi që vjen nga kryeqyteti i SHBA-ve.
Në dijeninë time ne jemi vendi i parë i NATO-s në hapësirën europiane që paralajmërohemi për sulme jo për sulme kibernetike.
Paralajmërohemi për sulme që synojnë njerëz dhe objekte. Kjo është e reja për mendimin tim. Ka edhe raportime që janë hedhur raketa në drejtim të Turqisë por ka diskutime që janë mashtrime, lojë e ushtrive… lojë luftërash”, u shpreh Zogaj.
Ai vuri në dukje se ndoshta Shqipëria paralajmërohet edhe për shkak të pranisë së opozitës iraniane në Shqipëri si dhe me pozicionin e fortë që ka marrë Shqipëria në raport me vendet e tjera ndaj Iranit.
“Arsyeja që ne jemi vendi i parë që paralajmërohemi lidhet edhe me ndoshta me një prani të opozitës iraniane në Shqipëri, mund të lidhet me një pozicion më të fortë që ka marrë Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të botës. Ne jemi pasur këtë specifikën që jemi goditur nga Irani para se të fillojë lufta. Kjo mund të jetë një nga arsyet, por tani duhet parë se çfarë do të ndodhë”, nënvizoi Zogaj.
Megjithatë, sipas tij, ka vend për përgjegjshmëri dhe vigjilencë por jo për panik.
“Ne pamë në tekst që u drejtohet të gjithë qytetarëve amerikanë por ne duhet ta marrim sikur i drejtohet të gjithëve. Nuk ka vend për panik, aq më shumë kur duket se lufta sipas presidentit Trump, që po shkon drejt fundit. Ka vend për përgjegjshmëri, për vigjilencë por jo për panik”, deklaroi më tej ai
