Elena Mirakaj Luli. Një poete nga Malesia e Pukes, me një histori të pashoqe vuajtjesh nën regjimin komunist, një emër i panjohur në fushën e letrave. –

Nga Eugjen Merlika.

– Nëpërmjet kësaj tufe vjershash, që botohet me titullin “Fluturës”, lexuesit shqiptar, kryesisht atij të fushës së poezisë, i vjen një zë i ri. Nuk është një vajzë e re që provon të gjejë rrugën e jetës së saj në atë fushë të hershme e shumë të larmishme të artit njerëzor, që quhet poezi, e që përbën një nga pasuritë më të vyera të sferës shpirtërore të kujtesës njerëzore.

Emri i saj na vjen nga një e kaluar, të cilën e kemi lënë mbrapa pa e njohur ende mirë. Është një e shkuar, e pasur në vlera e njerëz bartës të tyre, mbi të cilët një gjysëm shekulli i zi i historisë sonë hodhi një shtresë llave përvëluese, që pati si synim varrosjen dhe zhdukjen e tyre nga kujtesa historike. Sot ajo demokraci, edhe se e cunguar, që kemi ndërtuar në gati një të katërt shekulli, i jep mundësi të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin rolin e “arkeologut”, të gërmojnë në atë të shkuar, të thyejnë e të heqin lavën mbytëse të kulturës së regjimit komunist, për të nxjerrë në dritë vlerat e mohuara të brezit të gjyshërve e të prindërve të tyre. Shpalosja e tyre, në të gjitha nuancat e mundëshme, është jo vetëm ringjallje morale e atyre njerëzve, një farë shpërblimi i vonë për jetët e veprat e tyre, por edhe një pasurim i vetë jetës kulturore të Kombit me objekte të reja.

Këtij projekti fisnik i shërben edhe ky vëllim , i shkruar në kohë të ndryshme, fshehurazi nga Elena Luli që, në këtë vit, do të kishte mbushur një shekull nga dita e lindjes, 18 marsi 1914. Pak fjalë, për të dhënë profilin e saj të prejardhjes e të formimit, janë të dobishme për të kuptuar e shijuar dhe poezitë e saj. Lindi në Iballe të Pukës, në familjen e njohur të Mirakajve. Babai e la shpejt, pa lindur, e vajza u rrit nën kujdesin e nënës së saj, Cubës, për të cilën do të shkruajë një nga poezitë e saj më prekëse, mbasi ajo, njeriu më i dashur, vdiq në kampin e shfarosjes së Tepelenës e varri humbi nën efektin gërryes të ujrave të Vjosës. Vëllezërit më të mëdhenj, Kola, Pashuku e Pali u shquan në fusha të ndryshme : i pari në veprimtarinë politike, si ministër në qeveritë e kohës së pushtimit, i dyti në tregëti e i treti në mbarështimin e një shtëpie të madhe, që ishte pikë riferimi për gjithë krahinën.

Elena, më e vogla e fëmijëve, shkoi në shkollën e Murgeshave Stigmatine në qytetin e Shkodrës, ku kreu filloren e të mesmen, me përjashtim të një viti në të cilin ishte nxënëse e të famshmit institut “Nana Mbretneshë” në Tiranë. Përfundoi studimet e mesme me rezultate shumë të mira. Ndër mësuesit e saj qe edhe Atë Ambroz Marlaskaj, një nga personalitetet më të shquara të klerit katolik shqiptar, me të cilin ruajti letërkëmbimin kur ai shkoi në Romë. I nënëshkruari, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Ministrisë së Jashtëmë italiane, në dosjet e Shqipërisë, ka gjetur tri letra të dërguara nga Lena Mirakaj e Gjelosh Luli, drejtuar Atë Ambroz Marlaskajt, atëherë profesor i Teologjisë në Universitetin Antonian të Vatikanit. Në fund të vëllimit do të shtohen fac-similet e këtyre letrave dhe përkthimi në gjuhën shqipe.Elena Mirakaj qe një nga katër mësueset e para femra të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1936 ajo u fejua me Gjelosh Lulin, një pinjoll i familjes së njohur atdhetare të Malësisë, asaj të prijësit legjendar Dedë Gjon Lulit. Gjeloshi ishte oficer i ushtrisë shqiptare me gradën e kapitenit të artilerisë, mbasi kishte studiuar në Modena e ishte diplomuar në Akademinë e famshme ushtarake të Torinos, në Itali. Në vitin 1937 mësuesja dhe oficeri krijojnë familjen e re që në pak vite shtohet me dy vajza, të cilat bëhen më vonë objekti kryesor i poezisë më të zgjedhur të vëllimit, që i jep atij edhe titullin.Jeta familjare, fatkeqësisht, qe e shkurtër dhe mbi mësuesen malësore u përplasën orteqet e pamëshirshme të tragjedisë shqiptare të mbas 29 nëndorit 1944. Bijë e nuse familjesh të shquara atdhetare, kundërshtare të komunizmit, do të përballojë me dhimbje e me kurajë të lartë vrasjet e burrit Gjelosh, të vëllait Pashuk, të nipit Ndoc në betejat me forcat e Sigurimit të Shtetit si martirë të lirisë së Vendit të tyre. Këta, ashtu si shumë të tjerë në mëdyshjen arratisje apo qëndresë, zgjodhën të dytën

Elena Luli u internua më 1945 e u lirua mbas tre vjetësh, kur në mal ishte vrarë nga forcat e ndjekjes bashkëshorti i saj. E kthyer në Shkodër me dy vajzat e vogla, vazhdoi kalvarin e “armikut të klasës”, me punët e lodhëshme e të rëndomta, herë herë edhe pa to. Rriti vajzat, Klarën dhe Izabelën, i bëri të studjojnë, brënda kufijve të “luftës së klasave”, pa edhe familjet e tyre, me nipa e mbesa që u bënë ngushullimi i vetëm i jetës së saj që u shua në marsin e vitit 2001, në moshën e nderuar të 87 vjetëve, pasi kishte kaluar dhjetëvjetëshin e fundit në Shqipërinë e ndryshimeve pas komuniste.

Me pak fjalë kjo ishte historia e jetës së poetes, vargjet e së cilës, për herë të parë, i jepen sot në dorë lexuesve. Ata vargje janë mishërim i ideve të autores e shprehje e përceptimeve të një bote ngjyrë hiri, në të cilën kishte pak ose aspak motive të gëzueshme.Vjershat e saj pasqyrojnë travajën e pjesës më të vështirë të jetës, të asaj të internimit, të burgut, të mungesave të përditëshme të një diktature që i përngjet “Një tallazi të zi – E n’gji t’vet don me përpi – Gjithshka n’tokë quhet mirsí” (Lutje).   Mungojnë në tufën e vjershave motivet e rinisë së gëzueshme, të dashurisë, të ëndrrave.

Nuk dijmë në i ka lëvruar ndonjëherë por, në mungesë të tyre, mundohemi të gjejmë arsyen. Ndoshta jeta normale, me të gjithë mikrobotën e brëndshme, në kufijtë e së zakonshmes, nuk i jepte shtysën për t’i hedhur në letër ndjenjat e mendimet, ndoshta mjedisi patriarkal i shoqërisë shqiptare t’asaj kohe frenonte…, ndoshta ato vjersha janë shkruar, por nuk kanë arritur deri te ne, ndoshta…

Pavarësisht nga këto hamëndje që mund të ngacmojnë kureshtinë e lexuesit apo të kritikut, 22 vjershat e shkurtëra e poemthat e kësaj tufe janë të mjaftueshme për të shpalosur personalitetin e autores dhe kompleksin mendim-ndjenjë-përsiatje-kundërveprim, që përcakton përballimin e tij me shoqërinë në të cilën jeton. Ky ndodh në një Vend që nuk është më ai i viteve të vajzërisë, të studimeve e të rinisë, por ai që përshkruhet kështu në një poezi të saj : “E dijmë mirë se tokës amtare – I kanë zhgulë nder e i kanë mbjellë marre.” (“Kaçak malit”). Metafora ka një fuqi befasuese dhe është kundërveprimi i brendshëm i qytetares poete.

Atdheu është kthyer nga një vend i nderit, i traditave, i respektimit të parimeve e normave fisnike morale e shoqërore, në një truall ku është mbjellur turpi, që njëjtësohet me koncepte si poshtërsia, pabesia, dhuna, padija, bimë që “po lshojnë rranjë, filiz tue qitë – kah plehnohen ditë për ditë – prej partisë që flet e pret” (Nuk kam fjalë). Zonja Luli i përket si formim brezit të dytë të Shqipërisë së pavarur, që ishte formuar me idenë e zhvillimit të vrullshëm në rrugën e qytetërimit e trysnonte fort në djegien e etapave. N’atë vrull një pjesë e tij u lajthit nga propaganda komuniste dhe u bë fole e ideve që sollën “socializmin shqiptar”, me të gjitha tragjeditë e tij kombëtare e njerëzore.

Autorja e “Fluturës” nuk hynte n’atë rrjeshtim. Ajo ishte një lule bjeshke, e rritur dhe e edukuar në binomin e famshëm “Fe e Atdhe”, që do të thoshte dashuri për Vendin e lindjes, por edhe respektim të vlerave e parimeve morale e fetare. Për të hapja në përqafimin e vlerave të qytetërimit perëndimor, (“Rinisë”) duhej të shkonte në një hap me atë të ruajtjes së zakoneve të mira e të moralit shqiptar, por edhe në përvehtësimin dhe vënien në jetë të Dhjetë Urdhnimeve të Doktrinës së krishterë, që janë në bazën edhe të besimeve të tjera e që përbëjnë themelin e moralit njerëzor. Ky konceptim i botës, ky projektim i saj në vetëdijen rinore, përbënte bazën e fortë mbi të cilën u formua personaliteti i atij brezi që në Shqipëri dha prova t’admirueshme në përballimin me diktaturën, e cila nuk kurseu asgjë për t’a nxjerrë jashtë loje, madje edhe për t’a asgjësuar.

Bota poetike e  znj. Elena Luli është e përmasave të mëdha dhe e përmbajtjes së larmishme. Në tufën e poezive trajtohen tema të ndryshme, që nga biseda imagjinare me fluturën, që arrin të hyjë në qelitë e burgut ku drobitet trupi e sfilitet shpirti i poetes, e dënuar me dhjetë vjet heqje lirie me padira absurde për “agjitacion e propagandë e bisedë arratisje”, sepse pohon një parim universal e të përjetshëm si ai i bashkëjetesës mes burrit e gruas, së cilës i le si porosi të përshëndesë vajzat e saj të vetmuara në një shtëpi të Shkodrës (“Fluturës”), deri tek radiografia e tejsaktë e një shoqërie, së cilës dhuna e regjimit i ka thithur gjithë lëngun jetësor, duke i vrarë çdo ditë vlerat e parimet (“Parulla-njeriu i ri”) e duke e kthyer në një kufomë që vazhdon të lëvizë vetëm për inerci.
Diktatura, në të gjitha shfaqjet e saj të përbindëshme, mbetet objekti kryesor ku ngjyen penën poetja, jo vetëm si e tillë, por edhe si qytetare, si prind, si grua, si besimtare, si atdhetare, që lëngon në shpirt kur sheh se “Vendit tonë i hupi ndera – Si n’për jerm iku lavdia – T’liga punë bijtën te dera – Ulë për tokë, asht krejt madhështia” (“Shpresoj agimin”). Në këtë kompleks problemesh që gjejnë shprehje në pendën e Elena Lulit e që janë pjesë të ndryshme të të njëjtit mozaik, i cili është Shqipëria komuniste, ndjenjat zotëruese janë dhimbja dhe revolta e brëndëshme.

Këto herë herë arrijnë maja dëshpërimi, deri në mallkim, që na kujton Vajin e Ajkunës tek rapsoditë e Kreshnikëve. Autorja nuk mallkon e as vajton publikisht për humbjet e parakohëshme të familjarëve të saj, mbasi në këtë mënyrë do të zbehej mesazhi. Poezia për të do të humbte fuqinë përgjithësuese e nuk do t’ishte në lartësinë e misionit të saj pushtues të mendjeve e zemrave, nëse do të mbetej vetëm në kuadrin e ngushtë të vetvetes. Kur nga penda e saj dalin mallkime të tipit “Kurrë ksi djemsh mos baftë ma nana!” (“Kaçak malit”) apo “U çiltë toka e raca e njerit – Mbrendë u shoftë o për nji herit” (“Nuk kam fjalë”) dhimbja e saj ka arsye të përgjithëshme, sepse dhuna e sistemit ka shkatërruar karakterin e shqiptarit, trashëgiminë morale të tij, e ka depersonalizuar deri në tjetërsim.

Kanë kaluar dhjetëvjeçarë nga shkrimi i këtyre poezive, por mesazhi i tyre mbetet përsëri aktual, i freskët, dëshmi e fuqisë përgjithësuese e kohëlargët të mendimit poetik të Elena Lulit. Në këtë univers të vogël poetik nuk mungon shpotia (“Dhurata e Kryeministrit”, “Votimet”, “Zyrës Punës”, “Shumë janë ngjarjet”) kundrejt sistemit me të gjithë anakronizmat e tij, me paaftësinë, mungesën e ideve, pozat qesharake që merr, deri në cinizmin vrastar, të pranishëm në çdo çast. Përsiatja e autores shkon deri në thellësi e origjinë të problemit, n’ata vendime të krerëve të fituesve të luftës, që shpërblimet për luftën dhe fitoren i matën me lirinë e popujve të Lindjes evropiane (“Padrejtësi njerëzore”) : “Rusvelt, Çurçill dhe Stalin – Vunë përpara glob e harta – Thue se e kishin trashëgim. – Ç’merr prej Lindjes n’Perëndim – Caqe të reja ata i vunë botës.” Poetja Luli i këndon dhe qëndresës antikomuniste në Vendet e tjera, si në Poloni, Çekosllovaki e Hungari (“Pa titull”), qëndresë që nxitet e përkrahet edhe nga Kisha Katolike e përfaqësuesit e saj si Kardinal Vishinski.

Autorja është një besimtare e plotë. Dashurinë dhe besimin tek Zoti e ka thithur me qumështin e nënës. Shkolla që ka kryer ka plotësuar edukimin fetar e Krishti e Shën Mëria janë të pranishëm çdo ditë në lutjet e saj. Ato lutje i japin fuqinë asaj, ashtu si shumë e shumë të tjerëve, për të përballuar të keqen e jetës së përditëshme, por edhe për të kapërcyer traumat e jashtzakonshme, si humbjet e njerëzve të dashur, arrestimin, internimin, dhunën sistematike të regjimit më kundërzot të botës mbarë. Adhurimi për Zotin nuk e pengon t’i drejtohet Atij me një ton kritik para një skene rrënqethëse të një kamioni të internuarish, në të cilin vdesin nëna lehonë dhe fëmija në bark, nën vështrimin vrastar të përfaqësuesve të rendit kriminal. (“Një ngjarje në Postribë”) “Perëndi ty si s’të vjen keq – Hajt se njeri asht ba dreq – Po atij t’voglit qi i dhe jetë – N’bark t’nanës martir me mbetë” Këta vargje, kjo klithmë dëshpëruese e poetes para një skene makabre, nuk janë shprehje e mosbesimit, por thirrja për ndihmë, e hasur edhe në poezitë e tjera.

Ajo thirrje arrin në apoteozë në poezinë “Zojës së Kalasë së Shkodrës”, që është një hymn për Zonjën e Bekuar, Nënën Virgjëreshë të Jezuit, e cila është një nga objektet më të parapëlqyer të adhurimit në botën e sotme të krishterë. Autorja ka meritën të na ketë lënë këtë poezi të vyer, ndër më të bukurat e vëllimit, e frymëzuar nga Zoja e Shkodrës, imazhi i së cilës i përket legjendës, ikjes së saj përtej detit në Genazzano të Lazios, në Italinë qëndrore, mbas thyerjes së qëndresës shqiptare të epokës së Gjergj Kastriotit. Ikja e ikonës, për poeten, nuk është ikja e Virgjëreshës, ajo vazhdon të jetë mes nesh : “Zojë e kalasë je n’zemrat tona”. Zoja është njëjtësuar me shpresën e të krishterëve shqiptarë gjatë shekujve të pushtimit otoman, tek ajo shkonte mendimi i viktimave të dhunës komuniste para vdekjes, asaj poetja, në poezinë e saj i beson fatet e Atdheut : “Ty amanet – T’a lamë Shqipninë – O zojë e dashtun – Na kthe lirinë!”

Poezia na kujton të tjerë emra vëndesh të botës së krishterë, ku Zonja ka objektet e saj të kultit e ku shumë mijëra njerëz, çdo ditë ulen në gjunjë e kërkojnë bekimin dhe nderën e saj. Lourdi, Fatima, Mezhdugorie, Pompei, Chestokova, Guadalupa, janë më të njohurat e faltoreve të saj, por ne na pëlqen t’u shtojmë atyre dhe atë të Shkodrës apo Genazzano-s.

Preka vetëm disa prej motiveve që frymëzuan talentin poetik të zonjës së nderuar Elena Luli. Kjo tufë poezish, që sot i jepet në dorë lexuesit shqiptar, shton edhe një tjetër zë në “Panteonin e nëndheshëm”, apo në “Letërsinë e dënuar”, siç i pëlqen poetit Zhiti të emërojë krijimet e mbytura nga komunizmi. Është një zë i ëmbël intelektualeje shqiptare, që buron nga lartësitë e Alpeve e përcjell, nëpërmjet vargjeve, fisnikërinë e ndjenjave e qëndresën e karakterit, të shoqëruar me shijen e hollë dhe zhdërvjelltësinë e pendës, duke u bërë zëdhënëse e një Shqipërie të lidhur fort me ligjet morale të trashëguara e me vlerat e vërteta të qytetërimit Perëndimor. Se sa ka mbijetuar kjo Shqipëri nga cunami i gjatë i komunizmit e tregon fakti se, ende sot, ajo vazhdon të luftojë, edhe se mbetet në pakicë.

Një poete, me një histori të pashoqe vuajtjesh nën regjimin komunist, një emër i panjohur në fushën e letrave, por që bashkë me historinë e saj dhe të familjes, plotëson një copëz të historisë që duhet, kërkuar, studiuar, e shkruar.
Emrin e Elena Mirakaj Lulit e hasa për herë të parë para pak ditësh, kur më ra në dorë ky vëllimth poetik me titullin “Fluturës”, me një parathënie tejet shpjeguese e vlerësuese nga Eugjen Merlika.

Pas leximit të tij, ky libër të lë pas një shije të pazakontë, të cilën e përcjellin vetëm personazhet si Elena, ku heroizmi, qëndresa dhe vlera janë kryefjalë të jetëve të tyre. .