E ngarkuara me punë e SHBA, Van Horn: Presidenti Trump inkurajon luftën kundër korrupsionit!

3 Dhjetor 2025
E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy Van Horn, vlerësoi rolin dhe kontributin e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, në ceremoninë e 25-vjetorit të saj. Van Horn tha se Dhoma Amerikane përfaqëson tashmë 267 kompani, duke e cilësuar këtë një arritje të jashtëzakonshme dhe një tregues të ndikimit gjithnjë në rritje.
“Dhoma Amerikane është bërë një nga zërat më të besueshëm dhe më të respektuar në peizazhin e biznesit shqiptar. Ajo mbetet kyçe në forcimin e zërit të komunitetit të biznesit”, u shpreh Van Horn.
Ajo theksoi se advokimi i Dhomës ka sjellë rezultate konkrete, duke përmendur si shembull përmirësimin e sistemit të taksimit, i cili tashmë është më i drejtë dhe më i balancuar, si dhe vendimin e Këshillit të Ministrave për tarifat e prodhimit të energjisë, që sipas saj është një hap i rëndësishëm për të hapur rrugën drejt më shumë investimeve në sektorin energjetik shqiptar.
Van Horn përcolli edhe një mesazh nga Presidenti Donald Trump, duke theksuar angazhimin e tij për marrëveshje të drejta dhe një klimë të shëndetshme biznesi.
“Presidenti Trump inkurajon marrëveshje të ndershme që garantojnë konkurrueshmërinë, luftën kundër korrupsionit dhe transparencën. Kjo i jep mundësi bizneseve të kenë sukses dhe të tërheqin më shumë investime amerikane në Shqipëri”, theksoi ajo.
Ceremonia e 25-vjetorit të Dhomës Amerikane të Tregtisë mblodhi përfaqësues të qeverisë, komunitetit të biznesit dhe diplomacisë, duke shënuar një moment të rëndësishëm në historinë e partneritetit ekonomik SHBA–Shqipëri.
