Taulant Balla

7 Gusht 2026

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dyshohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Një prej organizatorëve të protestave qytetare në Tiranë, Gentian Progni, ka publikuar në rrjetet sociale një faksimile të një dokumenti, ku shfaqet, mes të tjerëve, edhe emri i Taulant Ballës. Dokumenti, që i përket një kontrate noteriale, përbëhet nga një faqe me dy kolona.

Në njërën prej kolonave janë shënuar pronarët, ku, mes tyre, është edhe emri i Taulant Ballës, i cili ka firmosur gjithashtu pranë emrit të tij. Në kolonën e dytë është shënuar investori, ku figuron shoqëria S D Invest, e cila është në pronësi të biznesmenit Gentian Sula, i cili po hetohet nga SPAK në dy dosje, të Ilir Metës dhe Erion Veliajt. Gjithashtu, në këtë kolonë gjendet edhe emri i shtetasit Alban Çinari, gjithashtu i përfshirë në bizneset e Gentian Sulës.

Në publikimin e Gent Prognit nuk jepen detaje se për çfarë bëhet fjalë, por dyshimi është se, nga formati i dokumentit, duket se kemi të bëjmë me një kontratë investimi, ku palët e përfshira, pra pronarët, me shumë mundësi japin pronën për t’u investuar nga sipërmarrësi ndërtues Gentian Sula. Gentian Progni njofton se kjo dosje do të dorëzohet në SPAK, ndërsa e cilëson publikimin si informacion ekskluziv. Mbetet për t’u parë në vijim dorëzimi i kësaj dosjeje në SPAK dhe publikimi i të dhënave të tjera që lidhen me Taulant Ballën në këtë kontratë noteriale.

(Kontrata e publikuar nga Gent Progni)

Pasuria e dyshimtë e Ballës

Balla është një nga njerëzit më jetëgjatë në politikë pas viteve 2000 në Partinë Socialiste. Ai e nisi karrierën në kabinetin e ish-Kryeministrit Fatos Nano në vitin 2004, dhe më pas ka vijuar pa ndërprerje karrierën si deputet i Kuvendit nga vitit 2005 e deri më sot. Në vitin 2004, në deklaratën fillestare të Pasurisë, Taulant Balla deklaronte të ardhura minimale, pagën në UNICEF prej 15 mijë dollarësh si dhe paga në Partinë Socialiste prej rreth 2 mln lekësh dhe disa pagesa nga Këshilli i Ministrave i kohës. Në total, në vitin 2004, Taulant Balla deklaronte të ardhura vjetore jo më shumë se rreth 20 mijë euro, ndërsa në deklaratën fillestare nuk deklaronte të kishte në zotërim pasuri të paluajtshme.

Por nga viti 2004 deri në vitin 2013, gjatë kohës që Taulant Balla ishte vetëm deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe për më tepër në opozitë, pasuria e tij njohu një rritje të jashtëzakonshme. Deri në vitin 2013, Taulant Balla së bashku me bashkëshorten Iris Pekmezi, kanë qarkulluar pasuri prej rreth 1.3 milionë euro, e cila përbëhej nga disa apartamente, automjete dhe qindra mijëra euro para cash. Ndryshe nga zyrtarët e tjerë, vihet re se familja Balla midis vitit 2008 dhe vitit 2013, mbante para cash në banesë, në vlera që kalonin shumën e rreth 40-50 mijë eurove në vit.

Këto para u larguan nga banesa vetëm pas vitit 2013 kur socialistët erdhën në pushtet. Ndërkohë nga viti 2013 e deri në vitin 2023, pa deklaratën e pasurisë së vitit 2021, familja e Taulant Ballës dyfishoi pasurinë, duke qarkulluar rreth 2.2 milionë euro të ardhura në depozita bankare dhe pasuri të paluajtshme. Në total, gjatë 20 viteve në politik, Taulant Balla dhe bashkëshortja e tij, kanë qarkulluar rreth 3.5 milionë euro të ardhura. Pra, thënë ndryshe, Taulant Balla u fut në politik në vitin 2004 me rreth 20 mijë euro të ardhura vjetore, ndërsa pas dy dekadash, ai ka qarkulluar në total rreth 3.5 milionë euro të ardhura, duke e rritur pasurinë e tij me 175 fish më shumë.

Edhe pasuria e Taulant Ballës, është me risk, pasi gjatë viteve të fundit, ai ka deklaruar blerjen e disa pronave të dyshimta. E tillë është një sipërfaqe toke prej 12 mijë metrash katror, e cila nuk është deklaruar zona se ku ndodhet kjo pronë si dhe vlera e saj. po në vitin 2022, Taulant Balla deklaron blerjen e një apartamenti në vlerën e 199 mijë eurove, por nuk deklaron vendndodhjen si dhe sipërfaqen e pronës. Bashkëshortja e Taulant Ballës, Iris Pekmezi, ka deklaruar paga nga kompania AMC, Alb Telekom apo dhe One, që arrijnë vlerën e 160 mijë eurove në vit, ndërsa prej vitit 2019 ajo ka regjistruar edhe nipt si person fizik, nga i cili deklaron të ardhura të konsiderueshme në ofrimin e konsulencës për sektorin bankar në vend.

Pasuria e deklaruar e Ballës në 2025

Gjatë vitit 2025 familja Balla nuk ka deklaruar gjendje të re Cash jashtë sistemit bankar, por ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm shtesash neto në llogari dhe depozita bankare. Nëse mbledhim të gjitha shtesat e reja minus pakësimet e vogla që janë kryer në llogaritë e tyre për vitin 2025, shifrat janë këto:

Shtesat neto në Monedhën Euro: +102,152.02 EUR

(Kjo vjen nga mbledhja e depozitave dhe llogarive të reja të bashkëshortes: 64,096.41 EUR, 25,445 EUR, 9,976 EUR, 1,740.12 EUR, etj., duke zbritur një pakësim prej rreth 3,392 EUR nga llogaria e vetë Ballës).

Shtesat neto në Monedhën Lek (ALL): +3,747,150.96 ALL

(Kjo përfshin shtesën prej 1,991,441.16 ALL të Ballës nga paga, si dhe shtesat e bashkëshortes prej 911,237.37 ALL, 885,710.31 ALL, dhe 292,800 ALL).

Shtesë në Dollarë (USD): +67.34 USD (llogari e bashkëshortes).

Shënim: Këto shifra përfaqësojnë vetëm paratë e pastra që i janë shtuar pasurisë së tyre në bankë brenda 12 muajve të vitit 2025. Totali i tyre historik ndër vite (që llogaritet në miliona euro depozita) ndodhet në deklaratat e mbartura, por ky dokument dëshmon që vetëm brenda vitit familjes i shtohen mbi 100 mijë euro dhe rreth 3.7 milionë lekë nëpër banka.

Pasuritë e paluajtshme

Në formularin e vitit 2025, që deputeti i PS, Taulant Balla ka deklaruar në Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI, raporton “opendata.gov.al”, sa i takon vitit që shkoi në rubrikën “Ndryshimet e pasurive të paluajtshme”, nuk ka asnjë deklarim të ri. Kjo do të thotë se përgjatë vitit 2025, familja Balla:

Nuk ka blerë asnjë pronë të re (tokë, apartament, apo biznes).

Nuk ka shitur apo tjetërsuar pronat që zotëronte nga vitet e kaluara.

Balla te afera e Call-Centerave ?

Sjellim në vëmendje gjithashtu dhe operacionin e SPAK të disa muajve më parë të SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe Policinë e Shtetit në Shqipëri për të goditur një bazë të një “call center”-i në Tiranë, që operonte në fushën e mashtrimit në një shtet tjetër. Pas publikimit të këtij lajmi, në disa media qarkulluan me shpejtësi pretendime se Balla me motrën e tij qëndronte pas subjekteve të kontrolluara nga SPAK-u. Lidhur me këto pretendime, reagoi vetë Balla, përmes një videomesazhi në rrjetet sociale. Ai theksoi se “fake neës”-et përbëjnë një problem serioz shëndetësor për shoqërinë dhe demokracinë.

Gjithashtu, Balla është shprehur se është mësuar të përballet me sulme dhe lajme të pavërteta, duke theksuar se përhapja e tyre mbetet një rrezik serioz për shoqërinë. Lidhur me këto akuza reagoi dhe vetë Alba Balla. Ajo i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me aktivitete të tilla dhe se nuk ka hyrë kurrë në godinën ku janë kryer kontrollet. “As e njoh, as nuk e kam idenë. Kam qenë në shtëpi me familjen dhe fëmijët e mi. Nuk kam pasur kurrë asnjë lidhje në jetën time me ‘call center’-a apo me njerëzit e tyre. Në atë godinë nuk kam hyrë asnjëherë dhe jo më të kem zyra atje”, ka deklaruar Alba Balla, motra e Taulant Ballës.

Gjithashtu në atë kohë avokati Arben Llangozi evidentoi disa postime të mëparshme në rrjetet sociale të Alba Ballës që janë rikthyer në vëmendje, veçanërisht gjatë festave të fundvitit, ku ajo shfaqej e rrethuar nga dhurata të shumta luksoze. Sipas vlerësimeve publike, vlera e këtyre dhuratave kap shuma prej qindra mijëra eurosh, ndërsa në të njëjtat publikime evidentohet një stil jete i nivelit të lartë dhe konsum luksi. Avokati u shpreh se sipas legjislacionit shqiptar në fuqi, dhuratat që tejkalojnë një vlerë të caktuar monetare përbëjnë detyrim ligjor për deklarim, si në kuadër të ligjit për deklarimin e pasurive, ashtu edhe në atë për parandalimin e pastrimit të parave.

Autoritetet kompetente kanë të drejtën të verifikojnë jo vetëm vlerën reale të këtyre dhuratave, por edhe burimin financiar të tyre, për të përcaktuar nëse ai është i ligjshëm dhe i justifikuar ekonomikisht. Ekspozimi publik i pasurisë dhe i stilit të jetesës nuk përputhet me të ardhurat e deklaruara, lindin dyshime për burime të pajustifikuara financiare, të cilat mund të shërbejnë si indicie për hetime të mëtejshme penale. Në këtë kontekst, edhe dhuratat luksoze, pavarësisht se paraqiten si përfitime personale, trajtohen ligjërisht si pasuri që i nënshtrohet kontrollit dhe verifikimit nga institucionet përkatëse.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se edhe këto publikime në rrjetet sociale mund të konsiderohen si elementë shtesë në analizën e përgjithshme të pasurisë dhe stilit të jetesës, ndërsa mbetet në kompetencë të organeve hetimore të përcaktojnë nëse ekziston ose jo shkelje e ligjit. Hetimet vijojnë dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar përfundimtar mbi përgjegjësitë penale të personave të përfshirë”, tha ai ndër të tjera.

Nga Gazeta Sot