23 Korrik 2026

Emri i Taulant Ballës vijon të jetë në qendër të debatit publik, i shoqëruar nga një sërë akuzash dhe çështjesh që kanë bërë jehonë ndër vite. Nga pretendimet për lidhje me biznesmenin Edmond Bego, akuzat për ndërhyrje në polici dhe drejtësi, përgjimet me grupe kriminale në Elbasan, pretendimet për asgjësim provash dhe favorizim të prokurorëve e gjyqtarëve, deri te dosja e bujshme “Toyota Yaris” dhe hetimet e autoriteteve belge, kreu i grupit parlamentar socialist është përballur vazhdimisht me akuza të artikuluara nga kundërshtarët e tij politikë dhe figura publike. Së fundmi, ndërsa flitet për avancim të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj Ballës, gazeta “SOT” rikthen në vëmendje të gjitha episodet që kanë shoqëruar emrin e tij ndër vite.

Akuzat e lidhjeve të Ballës me Edmond Begon

Edmond Bego është i njohur gjerësisht nga publiku pas akuzave të opozitës për aferat e tij në zgjerimin e Lanës, për privatizimin e tokave publike dhe për tenderat e mëdhenj publikë që ka fituar pa garë dhe me çmimet më të larta. Bego njihet për miqësinë e ngushtë me Ballën. Balla ka mbrojtur publikisht lidhjen me trafikantin e drogës, ku sipas opozitës ka fluturuar plot 57 herë me charter, pa sqaruar arsyen e udhëtimit dhe burimin e parave. PD ka theksuar më parë se ligji e ndalon Taulant Ballën të marrë dhuratë mbi 100 mijë lekë, ndërkohë që një udhëtim me charter kushton të paktën 30 mijë euro. Në fund të vitit 2018, Prokuroria për Krime të Rënda njoftoi fillimin e një hetimi pasuror të bazuar në ligjin anti-mafia ndaj biznesmenit Mond Bega, i njohur gjithashtu me emrat Edmond Bego dhe Manoli Bega.

Tenderat e fituar

Por pavarësisht të shkuarës kriminale, hetimeve të vazhdueshme nga prokuroria për pastrim parash, Bego vazhdoi i qetë aktivitetin e tij. Sipas opozitës, ai fshihet pas disa projektesh dhe tenderash miliona euro. Biznesmeni i dënuar për trafik lëndësh narkotike dhe organizatë kriminale në Itali, u akuzua nga PD se qëndronte pas një projekti ndërtimi prej 60 milionë eurosh në Tiranë, për realizimin e të cilit është ndryshuar plani urbanistik i kryeqytetit. Po ashtu sipas PD, kompania ‘Inert Express’ – në pronësi të ‘mikut të Taulant Ballës Mond Bega,’ kishte fituar një tender 99 milionë lekë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes edhe pse nuk kishte eksperience në ndërtimin e nënstacioneve elektrike.

Gjithashtu, biznesmeni akuzohet se ka përfituar dhe një tender nga OSHEE me vlerë 3 milionë USD. Sipas opozitës, vetëm 3 nga tenderat që Edmond Bego ka marrë gjatë vitit 2018, kanë qenë në zonën elektorale të Taulant Ballës. Pavarësisht se ligji shqiptar i ndalon një të dënuari për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale të marrë pjesë në tendera publikë, Edmond Bego ka fituar edhe miliona euro nga tenderat e shtetit. Sipas drejtësisë, ai është i dënuar në Itali me 11 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge, heroinë dhe kokainë. Vendimi nga drejtësia italiane është marrë më 26 prill 2007 fillimisht me 27 vjet e 9 muaj, i ulur në 18 vjet e 5 muaj, dhe si përfitues nga amnistia e 2009-ës është dënuar me  11 vjet heqje lirie. Për të njëjtën çështje në Itali, ai është arrestuar edhe vite më parë në Shqipëri, asokohe me emrin Manoli Bega. Ishte 24 dhjetori i 2009 kur drejtoria kundër krimit të organizuar në Tiranë e arrestoi në kryeqytet.

Gjithashtu në njoftimin e policisë të dhjetorit 2009 thuhej se i arrestuari ishte i përfshirë në një organizatë kriminale ku bënin pjesë edhe Aldo Bare, Enver Dondollaku, ndërsa ai ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit, koordinimin e aktivitetit dhe pjesëtarëve të tjerë të organizatës, si dhe organizator për shpërndarjen dhe administrimin e parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike. Bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë në Tiranë në 2010, Bego u lirua për më pak se 3 vite burgim. Ai është ndaluar në vitin 2018 nga policia greke teksa kthehej për në Shqipëri nga Korfuzi ku bëri pushimet me familjen, ku u arrestua për llogari të autoriteteve italiane por mbi urdhër-arresti tashmë të skaduar. I gjendur përballë akuzave të opozitës se është ortaku i tij në biznes, Balla sqaroi në atë kohë se e njeh familjarisht, por nuk di që ku personazh të ketë pasur ndonjëherë mburojë politike.

Akuzat e tjera

Ndërkohë ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj i ka renditur disa kohë më parë tetë akuza kryesore që sipas tij tregojnë një panoramë të rëndë të ndikimit të Ballës në politikë dhe në institucionet e shtetit. Sipas Malajt, Balla ka ushtruar ndërhyrje direkte dhe indirekte në polici, ka dalë në përgjime me grupe kriminale në Elbasan, ka favorizuar prokurorë dhe gjyqtarë në konflikt interesi, ka qenë i përfshirë në çështjen e njohur të “Toyota Yaris” me 3.4 milionë euro të transferuara nga Belgjika, bllokim të ligjeve, si dhe për ndërmjetësim me shërbime sekrete të huaja. “Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentarë të Rilindasve edhe sipas akuzave, jo vetëm publike, është akoma “Qelbi i pa pastruar/ i pa shtrydhur ligjërisht në politikën shqiptare”.

Arsyet kryesore sipas Malajt

  • Ndërhyrje direkte dhe indirekte ndaj policisë.

Këto ndërhyrje kanë qenë kërcënuese dhe ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e ligjit.

  • Dalja në përgjimet e prokurorisë me grupet kriminale në Elbasan.

Përgjimet zbulojnë lidhje të mundshme të Ballës me struktura kriminale lokale.

  • Keqpërdorimi politik i gjyqtares.

Gjyqtarja e Elbasanit, tani në paraburgim, urdhëroi prokurorinë të asgjësonte me shkatërrim fizik çdo përgjim ku përmendej Balla si garanci ndaj kriminelëve.

  • Keqpërdorimi politik me favor i prokurorëve të çështjeve të tij.

Familjarë te tyre u promovuan në institucione kushtetuese, në konfliktin e interesave.

  • Përfshirja në çështjen “Toyota Yaris”.

Rreth 3.4 milion euro u transferuan në Shqipëri nga Belgjika. Pas kapjes nga bashkëpunimi SPAK me autoritetet belge, procesi hetimor dhe gjyqësor u ndikua politikisht edhe nga Balla. Edhe pse çdo shqiptar që kalon një pikë kufitare me mbi 10.000 euro i sekuestrohen paratë, në këtë rast rreth 3 milion euro iu kthyen dërguesit, pasi ai kishte marrë një garanci paraprake.

  • Varësia nga bixhozi.

Taulant Balla besohet i varur nga bixhozi. Pas mbylljes së basteve sportive rreth 6 vite më parë, rreth 900 milion euro nuk u formalizuan. Humbjet kanë ardhur nga mosformalizimi dhe përdorimi kriminal i të ardhurave, nga tarifat e licensimit, tatimi fitimit dhe sigurimet shoqërore, duke dëmtuar të ardhurat buxhetore nga mos taksimi i tregut informal dhe kriminal të lojërave të fatit, me jo më pak se 200 milion euro.

  • Ndërmjetësimi me shërbime sekrete të huaja.

Taulant Balla besohet të ketë vepruar si ndërmjetës që i solli si këshilltar Ramës ish-shefin e shërbimeve sekrete të Rumanisë, i cili pas ndërhyrjeve jo publike të partnerëve strategjikë iku pa vonesë nga pozicioni kritik, që lidhej me sigurinë kombëtare. Kush përpiqet të reagoj si patronazhist duhet të mbajë parasysh se në analizat e mia, dobiprurëse për vendin tonë/Shqipërinë dhe për të majtën, ku janë disa qindra përfaqësues dinjitozë, jam fokusuar me analiza kritike për jo më shumë se 5-7 prej tyre, si mostra përfaqësuese të kriminalizmit të politikës dhe sidomos të së majtës progresiste ku aderoj dhe shërbej me vetëdije të plotë dhe përkushtim pozitivë maksimale.

  • Përfshirja në vrasje.

Ndërkohë ish-ministri Arben Malaj për të mbështetur një nga pikat e akuzave që ka hedhur ka shpërndarë një artikull të gazetës “SOT” ku pasqyrohen akuzat e opozitës ndaj Taulant Ballës, i cili ka thënë në Kuvend se Balla jo vetëm ka rënë në përgjime me banda kriminale, por ka porositur edhe vrasje. Sipas opozitës, dokumentet dhe mesazhet e zbardhura tregojnë se Balla ka vepruar si pjesë e një skeme kriminale të mirëorganizuar. Opozita ka deklaruar se krimi i organizuar kërkonte futjen e njerëzve të vet në listat e deputetëve, duke marrë garanci direkte për votat në Kuvend. Ka qenë Sali Berisha, i cili tha se Taulant Balla, në rolin e kreut të grupit parlamentar, u dha dritën jeshile bandave për të futur emra të diktuar nga burgu.

Në sallë u përmendën përgjime ku flitet për marrëveshje të mbyllura dhe afate konkrete për realizimin e tyre. Sipas Berishës, Mario Çela, i njohur si “Target”, fliste për vrasje të porositura dhe pazare politike të mbuluara me vota. Ai theksoi se këto nuk ishin thjesht favore apo tendera, por krime të rënda të porositura me mbrojtje politike. Berisha akuzoi Ballën se garantonte personalisht votat nëse kërkesat e bandave plotësoheshin. “Në datën 20.02.2020, Target, ose Mario Çela, me të cilin, parafolësi që duhet të ishte sot i dënuar të paktën 40 vite për vrasjet që ka porositur me dokumenta, informon PIN-in. Se kishin rënë dakord mes tyre që të mos kërkonin Taos, këtij këtu… të mos i kërkonin… dëgjojeni… bandës.

Asnjë tender publik, se ky merret me tendera… asnjë tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord të kërkonin. Ky mesazh iu përcoll Taos. Dhe i dhanë afat gjer në dhjetor. Dëgjojeni! Është krahu i kartelit të Çelës. Tao iu përgjigj kësaj. E garanton… a garantoni që të gjitha ata njerëz që do të votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që donin nga burgu? Dëgjojeni! Dëgjoni çfarë krimineli është. Ja ku e ka vendin ky. Prisni. Përgjigja ishte: Po! Ne e garantojmë këtë”, ka deklaruar Berisha.