Dosja e përgjimeve të Taulant Ballës në duart e kreut të ri të SPAK Klodian Brahos, pritet goditje e fortë për kreun…

10 Janar 2026
Nga: Gazeta Sot
Dosja e përgjimeve e njohur si “26/1”, e cila lidhet me komunikime të dyshuara mes kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe eksponentëve të krimit të organizuar, ndodhet tashmë në tryezën e drejtuesit të ri të SPAK, Klodian Brahos. Bëhet fjalë për një nga dosjet më të rënda dhe më të ndjeshme për mazhorancën, e cila prej kohësh ka qenë në qendër të akuzave dhe që pritet të hyjë në një fazë vendimtare me zhvillime konkrete në vijim.
Sipas materialeve të bëra publike, dosja përmban përgjime të nxjerra nga aplikacioni i koduar SKY, i përdorur nga grupet kriminale për komunikime të fshehta. Nga këto përgjime janë zbardhur biseda të dyshimta që, sipas denoncimeve publike, lidhin Taulant Ballën me figura të krimit të organizuar, ku përmenden ndërhyrje në drejtësi, pazare elektorale dhe mbrojtje interesash të paligjshme. Kalimi i kësaj dosjeje nën drejtimin e kreut të ri të SPAK shihet si një pikë kthese, pasi hetimet pritet të intensifikohen dhe çdo vendimmarrje e ardhshme mund të sjellë goditje të forta politike, me ndikim të drejtpërdrejtë për kreun e grupit parlamentar të PS dhe mazhorancën.
Sipas bisedave të denoncuara publikisht dhe nga opozita, një grup kriminal i ka kërkuar Taulant Ballës burgosjen e kundërshtarëve të tyre, dhe ky i fundit iu ka kërkuar në këmbim sigurimin e votave për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Më konkretisht, dyshohet se grupi i Suel Çelës i ka kërkuar arrestimin e Çapjave. Kjo gjë ka ndodhur vërtet, pasi u arrestua Ardjan Çapja dhe Balla doli “kampion” me vota në atë kohë. “Tani me datën 10.2.2020, target është njëri nga banditët e bandës së Elbasanit, informon me PIN, me telefonin e tij AM5P80, se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord që t’i kërkonin Taos.
Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Taos i kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni që të gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg? Pra, do na i siguroni ju votat nëse ne me listë i burgosim ata që kërkoni ju? Përgjigja ishte: Po, ne e garantojmë këtë. Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit. Tani, komenti tjetër. Tao është fiks Taulant Balla, është një kriminel që është vetëm njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vet. Përgjigja është se ne garantojmë votat në qoftë se ti arreston listën që të kemi dhënë për të arrestuar. Sipas këtij premtimi u arrestuan Çapjat me kërkesë të Çelëve. Kjo është e vërteta. Ata shkuan në burg në mars të vitit 2021, para zgjedhjeve, në mënyrë që Tao të dilte kampion i votave në Elbasan”, thuhet në pjesët e bëra publike nga dosja hetimore nga opozita.
Pazaret
Gjithashtu, opozita ka denoncuar një tjetër bisedë nga aplikacionet e enkriptuara “Sky Ecc” dhe “EncroChat”, ku sipas tij, dy persona gjatë bisedës deklarojnë se “Tao” ka marrë përsipër për llogari të bandës që të pastrojë komisariatin e Elbasanit dhe të dëbojë të gjithë të lidhur me Boerët që thuhet se janë ose policë të ndershëm që luftojnë krimin ose janë mbështetës të bandës rivale. “Ka kriminelë sot që fshihen në bodrume, ka të tjerë në vila luksoze, por më kriminelë se gjithë të tjerët janë ata të cilët fshehin krimet e tyre në zyra ministrash.
Dhe i tillë është Taulant Balla. Tani kam sjellë këtu për ju, për gazetarët, një copëz, një dëshmi tjetër të krimeve të tij të shëmtuara, Më datën 13.04.2020, Targeti, e kuptoni vetë që ky është kodi, informoi pinin 1FA806 se Tao ka thënë se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhur me Boerët. E kuptoni ju, pra Tao pasi mori përsipër arrestimin me prokurorë dhe gjykatës, pasi me Alfred Shehër dhe Pajtime Fetahë, Enkelejda Fetahu dhe të tjerë, tani Tao merr përsipër të pastrojë komisariatin me kërkesë të bandës. Tani Boerët janë ose policë të ndershëm që luftojnë krimin ose janë mbështetës të bandës tjetër, njëra nga këto. Pra, informon pinin Tao se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhurit me Boerët. Boerët, po të nisemi me veprimet e tyre, i bie të jenë banda rivale ose mund të jenë policë të ndershëm që nuk i nënshtrohen bashkëpunimin me bandat dhe bëjnë detyrat”.
Akuzat
Po ashtu Sali Berisha, ka zbardhur këto kohë dhe detaje nga dosja “Toyota Yaris”, duke implikuar Ballën. Kreu i PD-së ka zbuluar bisedat, që sipas tij, janë bërë mes ish-punonjëses së BKH-së, Erjona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe Astrit Vladit. Sipas dokumentit që Berisha lexoi disa javë më parë, Daupaj shprehej “Do ta çoj për sekuestro, nuk do i bëj nder Ballës. Po e çoj për sekuestro komplikohet puna se do ia marrin”. Berisha po ashtu deklaroi se Astrit Vladi dhe ministri Taulant Balla ishin njëlloj dhe se paratë ishin të përbashkëta. “Radovan Çela, avokati: Këto ditë, po më pyet, do jetë prapë Balla apo do jesh ti? Vladi (e merrni me mend ju tani, Vladi dhe Balla ishin njëlloj, ishin para të përbashkëta): OK se flas unë, por të na tregojë mënyrën se si do e mbyllë”, lexoi Berisha.
“Do e pësojë keq, i thuaj. Do i bjerë kokës me grushte. Kishte të drejtë bundra, nuk duhej toleruar që në fillim. Aty ku do të shkojë ai, do ia djegin letrat me benzinë, se bundra luan edhe me Taon”, është shprehur ish-punonjësja e BKH-së, sipas dokumentit që Berisha lexoi. Gjithashtu, thuhet se Taulant Balla është i regjistruar në komunikime të shpeshta intensive me bos kryesor të organizatave kriminale në Shqipëri dhe jashtë vend. “Një rast tjetër që e implikon atë direkt është ndërhyrja e tij direkte për lirimin e personave që i vunë eksplozivin Lul Kullës. Taulant Balla ka marrë në telefon anëtarin e KLP-së, Vatë Staka dhe i ka kërkuar të ndërhyjë në Shkodër për lirimin e kriminelëve që i vunë eksplozivin Lulzim Kullës. Dhe Vatë Staka ka zbatuar urdhrin, dhe kriminelët janë lënë të lirë. Paratë e klanit të rrezikshëm Toyota Yaris kanë pasur si destinacion edhe pronarin e kullës pas sahatit me mbiemër Abdia”, thuhet në denoncimet publike.
