
Dosja e Metës në duart e Irena Gjokës, vjen reagimi i avokatit: – Gjyqtarja ka probleme me ligjin, do kërkojmë…
3 Shtator 2025
Irena Gjoka është caktuar gjyqtare paraprake për dosjen ndaj ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili gjendet prapa hekurave prej 11 muajsh tashmë
Gazetari Edison Vatnikaj raporton se Gjoka do të vlerësojë veprimet e Prokurorisë dhe do të vendosë nëse do të kalojë dosja për gjykim, do të kthehet për hetime të mëtejshme, apo ajo do të pushohet.
Pas përcaktimit të gjyqtares Irena Gjoka për shqyrtimin e dosjes së ish presidentit Ilir Meta, mbrojtësi i tii ligjorë Kujtim Cakrani deklaron jo zyrtarisht , se do të kërkojë dorëheqjen e gjyqtares nga çështja dhe në rast se kjo e fundit nuk do të pranojë, atëherë ai do bëjë kërkesë për përjashtimin e saj.
Sipas Cakranit, nuk mundet të shqyrtojë dosjen një gjyqtare e cila është dënuar në shtetin grek dhe që njëkohësisht është anatemuar edhe nga Ilir Meta dhe nga partia që drejtohet prej tij, Partia e Lirisë.
Në kushtet kur Gjoka ka probleme me ligjin, shton Cakrani, nuk mundet të marrë në dorëzim këtë dosje.
Kujtojmë se lidhur me hetimet, Prokuroria ka marrë të pandehur përveç Ilir Metajt edhe shtetasit: Monika Kryemadhi, Ema Çoku, Fatime, Kryemadhi dhe Piro Xhixho.