15 Mars 2023

Një stacion treni i braktisur gjysmë shekulli më parë po rikthehet në jetë në formën e një hoteli lusoz. Godina, e vlerësuar si një ndër më të bukura në zonë, ndodhet në malet Pirenej, i mbuluar nga bora në luginën Aragon të Spanjës.

Në përurimin e stacionit në vitin 1928 morën pjesë Mbreti i Spanjës dhe Presidenti i Francës, pasi ndodhet shumë pranë kufirit mes dy shteteve. Gjatë Luftës II Botërore, Canfranc ishte epiqendër e arrestimeve, operacioneve spiunazhi dhe trafikut të arit. Ndërsa në vitin 1970 mbylli përfundimisht dyert.

Tani, pas 50 vitesh, një grup hotelier vendosi t’i rihapë ato, duke e transformuar plotësisht godinën. Klientët e parë u pritën në janar të këtij viti dhe shumë të tjerë parashikohet ta vizitojnë atë. “Jemi shumë të lumtur që stacioni i trenit jeton sërish”, tha për CNN kryebashkiaku i Canfranc, Fernando Sanchez Morales.

Rinovimi i stacionit dhe transformimi në hotel është realizuar nga arkitekti spanjoll Fernando Ramirez de Dampierre, i cili është kujdesur të ruajë edhe historinë e kësaj “ure lidhëse” mes Spanjës e Francës. Gjatë Luftës II Botërore, para se kontrollin e stacionit ta merrnin nazistët, ajo ishte porta dalëse e hebrenjve që kërkonin t’i shpëtonin përndjekjes.

“Në periudhën 1940-42 mijëra hebrenj u larguan përmes këtij stacioni për në Lisbonë dhe më pas në SHBA”, thotë për CNN gazetari Ramón Javier Campo Fraile, njohës i historisë. Prej aty kanë kaluar edhe spiunët që i bashkoheshin rezistencës antinaziste franceze, të cilët merrnin e jepnin mesazhet e Aleatëve.

Por në vitin 1942 nazistët morën kontrollin e Canfranc dhe e mbajtën atë deri në qershor 1944. Ishte e vetmja zonë e Spanjës e pushtuar prej tyre. Gjermanët kontrollonin trafikun e arit aty. Zërat qarkullonin prej kohësh, por vetëm në vitin 2000 ato u konfirmuan.

“Rreth 86 tonë ar ka kaluar aty në vitet 1942 dhe 1943”, tha Campo Fraile për CNN. Për të mos humbur historinë, arredimi i brendshëm i hotelit frymëzohet nga stili i viteve 1920, por edhe trashëgimia e vetë Canfranc. Hoteli ka 104 dhoma, 4 prej të cilave suita. Gjithashtu ka një qendër spa, një pishinë dhe tre restorante.

Nga OraNews