Dhoma Amerikane e Tregtisë ka reaguar ashpër ndaj projektit të kryeministrit të vendit Edi Rama sa i përket Amnistisë Fiskale. Në një deklaratë publike për mediat, Dhoma shpreh shqetësimin se nëse ku projektligj miratohet legjislacioni do të minonte përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, duke shpërblyer konkurrencën e pandershme.

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, ky projektligj nuk ofron garancinë e mjaftueshme që individët me të precedent penal apo veprimtari kriminale të përjashtohen nga kjo amnisti dhe përbën rrezik për pastrimin e parave dhe futjen e të ardhurave nga droga.

“Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shpreh shqetësimin e saj mbi projektligjin e amnistisë fiskale, që ka hyrë në fazën e konsultimit publik, në një moment sensitiv të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Vlerësimi jonë është se projektligji nuk ofron garanci të mjaftueshme që individët e implikuar në veprimtari kriminale do të përjashtohen nga amnistia.

Nëse miratohet, legjislacioni do të minonte përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, duke shpërblyer konkurrencën e pandershme. Ne gjithashtu vlerësojmë se pozita e Shqipërisë në programet ndërkombëtare të monitorimit mbi pastrimin e parave do të rrezikohej dhe si rrjedhojë reputacioni i vendit do të dobësohej.

Si konkluzion, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme.

Projektligji parashikon në mënyrë jo shumë bindëse se politikanët dhe familjarët e tyre të afërt nuk do të mund të përfitojnë, por në kushtet e “familjarëve të afërt” kanë vendosur kriterin e gjendjes civile “në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Shqipëria konsiderohet si një vend me rrezik të lartë për pastrimin e parave dhe me mekanizma të dobëta ligjzbatuese për identifikimin, hetimin dhe sekuestrimin e parave të pista”, thuhet në deklaratë.

Legalizimi i parave të emigrantëve

Ndërkohë, Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaron se Amnistia Fiskale është deklaruar nga qeveria si mundësia për të legalizuar paratë e të gjithë emigrantëve shqiptarë. Dhoma bënë me dije, se shteti u jep mundësinë emigrantëve që të legalizojnë deri në dy milionë euro.“Amnistia Fiskale është deklaruar nga qeveria si mundësia për të legalizuar paratë e të gjithë emigrantëve shqiptarë.

Pasi u refuzua dhe u kundërshtua publikisht herën e parë që u propozua, u rikthye edhe njëherë me Këshillimin Kombëtar.

Sipas projektligjit që është prezantuar deri më tani, shteti u jep mundësinë emigrantëve që të legalizojnë deri në dy milionë euro. Në rastet kur subjektet deklaruese duan t’i transferojnë shumat e deklaruara jashtë vendit para këtij afati, ndaj tyre parashikohet penalitet në masën 30% të shumës së transferuar. Nëse subjektet vendosin t’i investojnë pasuritë e deklaruara në tituj shtetëror, bono thesari apo obligacioni jo më të vogla se 2-vjeçare, Banka e Shqipërisë do të mbajë një tatim prej 5% të shumë totale për investimet e bëra në 4-mujorin e parë prej hyrjes në fuqi të ligjit dhe 7% pas kësaj periudhe kohore”, thuhet në deklaratë.

Gazeta Sot